S’KA BILETA PËR SHQIPTARË!

24.08.2012 (komentet: 0)

Tifozët shqiptarë do të hasin në vështirësi të madhe për ta siguruar një biletë për ndeshjen kualifikuese të botërorit ‘Brazili 2014’ ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës. Kjo pasi Federata e Futbollit e Zvicrës, pasi ndau 800 bileta për tifozët shqiptarë, ka vënë në treg bileta, të cilat do t’u shiten vetëm zviceranëve. Tifozët e shumtë shqiptarë ndihen të indinjuar thellë me këtë vendim të zviceranëve.

 

Dueli ndërmjet përfaqësueses së Zvicrës dhe Kombëtares shqiptare, që do të zhvillohet më 11 shtator në Luzern, i vlefshëm për kualifikimet e botërorit ‘Brazili 2014’, duket se ka nisur të nxehet akoma pa filluar mirë.

Dyndje tifozësh shqiptarë para sporteleve të stadiumit, apo edhe nëpër internet për të kërkuar një biletë janë shumë të mëdha. Federata Zvicerane e Futbollit ka ndarë rreth 800 bileta për tifozët shqiptarë, që është afërsisht 5 për qind e kapacitetit total të stadiumin, aq sa edhe parashihet me rregullore të FIFA-së për ekipin mysafir.

Një tifoz shqiptar A.H. i cili jeton në Zvicër, i ka thënë ueb faqes asport.info se biletat e tjera të vëna në treg shiten vetëm për shtetasit zviceranë, duke treguar se është dashur që ai ta dokumentojë me pasaportë shtetësinë zvicerane për ta blerë biletën.

”Federata e Zvicrës njëjtë ka vepruar edhe kur ka luajtur me Turqinë, i ka shitur biletat vetëm me pasaportë”, ka thënë tifozi i cili ndihet shumë i pakënaqur me trajtimin. Kjo mund të shihet si një “frikë” e Federatës Zvicerane të Futbollit që stadiumi i Luzernit mos të mbushet me tifozë shqiptarë.

Ndryshe, grupimi më i madh i tifozëve të Kombëtares “Tifozat Kuq e Zi” kanë thënë se kanë në dispozicion vetëm 800 bileta e që është shumëfish më pak sesa kërkesa. Njëri nga organizatorët thotë se ka fluks jashtëzakonisht të madh për të marrë një biletë, meqë tani botërisht dihet se Federata Zvicerane e Futbollit i shet biletat vetëm për shtetasit zviceranë, jo edhe për të tjerët./expressonline/mesazhi/

Kthehu mbrapa

Shto koment