Rreth 300 tifozë kosovarë të gatshëm për Beograd

10.10.2014 (komentet: 0)

Tifozët nga Kosova kanë nisur përgatitjet e nevojshme për të kompletuar dokumentacionin e kërkuar që të jenë të pranishëm në ndeshjen që Shqipëria e zhvillon kundër Serbisë në Beograd.

 

Ndeshja ndërmjet Serbisë e Shqipërisë zhvillohet më 14 tetor në kuadër të xhiros së tretë eliminatore për kampionatin evropian që do të mbahet në vitin 2016 në Francë.

Udhëheqësi i grupit të tifozëve "Plisat" nga Prishtina, Albert Kastrati, ka njoftuar se përgatitjet po shkojnë sipas planit. Ai ka thënë se rreth 300 tifozë nga Kosova do të udhëtojnë për në Beograd për të përkrahur kombëtaren shqiptare.

"Jemi duke i bërë përgatitjet e fundit para se t'ia dorëzojmë listën e tifozëve nga Kosova Federatës Shqiptare të Futbollit. Listën do t'ia dorëzojmë FSHF-së të premten dhe më pas do të presim përgjigje. Ne do t'ua dorëzojmë fotokopjet e letërnjoftimeve apo të pasaportave të cilat i kemi. Lista e plotë si për tifozët nga Kosova ashtu edhe për ata nga Shqipëria do të shkojë e njëjtë dhe nuk do të ketë ndarje", ka thënë Kastrati për Kohën Ditore.

 

 

Ai tha se në Serbi do të merren vetëm flamujt kombëtarë, pasi nuk do të rrezikojnë me ndonjë koreografi tjetër që do të mund të provokonte incidente apo edhe ndëshkimin e FSHF-së nga UEFA. 

 

Kthehu mbrapa

Shto koment