Peja për fitore kundër Bashkimit

22.02.2014 (komentet: 0)

Stinori pranveror i ETC Superligës së Kosovës në basketboll do të fillojë me derbin ndërmjet Bashkimit dhe kampionit në fuqi, Peja, i cili do të zhvillohet në palestrën ‘Sezai Surroi’.

 

Ish-basketbollisti i Pejës Endrit Hysenagolli, i cili sezonin e kaluar djersiti fanellën ‘verdhezi’, kurse tashmë është pjesë e prizrenasve, tha se janë përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. “Kemi pasur pak kohë që të përgatitemi pasi nuk kemi qenë e gjithë skuadra”, u shpreh Hysenagolli.

Ndryshe ai tha se duhet pasur kujdes nga Peja, pasi dihet se çfarë skuadra ka. “Peja ka një ekip shumë të mirë dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Ne duhet të zhvillojmë një lojë të bukur, pasi që kemi pak kohë bashkë si ekip, dhe duhet kohë e gjatë për tu komponuar”, përfundoi Hysenagolli. Bashkimi stinorin vjeshtor e mbylli në pozitën e katërt me 21 pikë të tubuara.


Per Shimen eksiton vetëm fitorja

Dikur bashkëlojtarë tashmë kundërshtarë. Gerti Shima, do të jetë përballë ish shokut të skuadrës së tij Endrit Hysenagolli. Peja që stinorin vjeshtor arriti të shpallet si kampion vjeshtor synon që të nis me fitore edhe stinorin pranveror. Alo-qendra shqiptare Shima, ka parashikuar si një ndeshje shumë të vështirë në Prizren. “Ne jemi skuadër kampione dhe duhet ta dëshmojmë këtë. Do të jetë një ndeshje e vështirë në Prizren, pasi ata kanë bërë një skuadër shumë të mirë, por ne do të shkojmë për fitore dhe duhet kemi kujdes”, theksoi Shima per Arenan.

Ndryshe ai tha se publiku në palestrën ‘Sezai Surroi’ do të jetë një ndihmesë e madhe për Bashkimin. “Ata kanë në favor të tyre publikun dhe kanë përparësi, por ne duhet të tregohemi të fokusuar dhe të japim maksimumin. Ende nuk jemi komponuar mirë me trajnerin e ri, por megjithatë shpresoj të dalim mirë në këtë ndeshje pasi synimet tona janë që të mbrojmë titullin e kampionit dhe të fitojmë Kupën e Kosovës”, përfundoi Shima.

Ndryshe në dy ndeshjet e zhvilluara në stinorin vjeshtor Peja ka mposhtur në dy ndeshjet Bashkimin. Ndeshja ndërmjet Bashkimit dhe Pejës pritet të zhvillohet nga ora 19:00.

Përgaditi : Engjell Smerqaku

Kthehu mbrapa

Shto koment