“Nëse ka një gjarpër në afërsi, unë ik sa të mundem”

13.02.2012 (komentet: 0)

Kështu ka thënë Xherdan Shaqiri, për gazetën zvicerane “Sonntagsblick”. Kjo gazetë në ditën e diel, ka bërë një shkrim të gjatë për yllin shqiptar, me titullin: “Çfarë e bën atraktiv Shaqirin?”.


Shqiptari nga Zhegra e Gjilanit, Xherdan Shaqiri, që luan aktualisht me kampionin zviceran, Baselin dhe kombëtaren e Zvicrës, që para pak ditësh ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me gjigantin gjerman, Bayerni nga Munihu, por që është edhe më tutje në qendër të medieve zvicerane bile edhe më i preferuari.

Gazeta zvicerane “Sonntagsblick”, në ditën e diel, ka bërë një shkrim të gjatë për yllin shqiptar, me titullin: “Çfarë e bën atraktiv Shaqirin?". Shaqiri është edhe futbollisti më i shtrenjtë shqiptar deri më tash, pasi sipas shkrimeve të fundit marrëveshja në mes tij dhe Bayernit është 12 milion euro. Shqiptari mbetet në fokus të medieve për personalitetin e tij, karakterin dhe temperamentin e tij, që përshkruhet si i këndshëm dhe i sinqertë. Sonntagsblick” ka përshkruar edhe jetën e Shaqës, që është i dashur për të gjithë në Zvicër, por edhe kudo që janë shqiptarët. Një mesfushor që me lojërat e tija të jashtëzakonshme bëri që Baseli të jetë edhe në të tetën e finales te Champions League, ku do të ndeshet me Bayernin. Gazeta “Sonntagsblick”, shkruan për Shaqirin se njëra ndër to është thjeshtësia e tij dhe përkushtimi ndaj familjes. Natën pas nënshkrimit të kontratës me Bayernin, Xherdani ishte në darkë me familjen, sikur çdo natë tjetër. Nuk pati as darkë festive, as shampanjë, thuhet në gazetë. "Unë kam nevojë për ngrohtësinë e familjes. Familja më ka bërë atë që jam, prandaj i jam shumë mirënjohës”. Ai tregon se është djali i tretë në familje dhe fëmija e i parafundit. Prandaj, me gjithë famën dhe paratë që sjell në shtëpi, ai e di vendin e vet në hierarkinë e familjes. “Babai është shefi”, ka deklaruar Shaqiri. Karakteristikë tjetër e Shaqirit është sinqeriteti dhe thjeshtësia, që nuk e kanë braktisur as tash, kur ka nënshkruar marrëveshje me njërën ndër skuadrat më të mëdha evropiane.

“Përse një klub i madh si Bayerni do t`i jepte 15 milionë franga për të më mbajtur në bankinë?”, ka thënë ylli shqiptar. Ndërkohë, kur flitet për sinqeritetin, Shaqiri edhe sot pranon se Barcelona dhe jo Bayerni, është klubi i tij më i adhuruar, ëndrra e tij e futbollit që e ka përcjellë që nga fëmijëria. "Barcelona, Reali dhe Bayerni janë tri klubet më të mëdha të Evropës", ka theksuar Shaqiri. Mesfushori në vazhdim ka treguar se është i pranishëm për çdo ditë në mediet shqiptare dhe njerëzit në Kosovë krenohen me të. Ai ka zbuluar se, gazetat e atjeshme kontaktojnë përmes vëllait, Edinit ose përmes menaxherëve. “Askush nuk e ka numrin tim të telefonit”, ka treguar Shaqa. Më tutje ka treguar edhe diçka interesante, që sipas Shaqës ende nuk ka femër.

Ai vazhdon të jetë i lirë. “Femra që ka më së afërmi është Monica Belluci. Portreti i aktores seksipile italiane gjendet në bluzën e tij”. Futbollisti është luftarak në fushë, që nuk i frikësohet asnjë rivali, por një frikë e ka nga gjarpri!. “Nëse ka një gjarpër në afërsi, unë ik sa të mundem", e ka pranuar Shaqiri frikën nga gjarpërinjtë dhe buzëqesh. “Me buzëqeshjen që ka magjepsur gjithë Zvicrën dhe që, mbase, do të magjepsë edhe Munihun", ka përfunduar portreti për Shaqirin.

Kthehu mbrapa

Shto koment