Mourinho: Superkupa më mungon në vitrinë
29.08.2013 (komentet: 0)
Superkupa e Europës ka vënë përballë jo vetëm dy skuadrat më të mira të kontinentit që triumfuan në Champions dhe Ligën e Europës, por edhe dy trajnerët më të mirë në botë.
Bajerni i Mynihut dhe Çelsi do zbresin në stadiumin e Pragës më 29 gusht
për të zhvilluar këtë finale. Në Çeki do përballen dy shokët që në
vitin 1996 bënin pjesë në një skuadër, por tipat e ndryshëm dhe
karakteri i tyre kanë bërë që t’i shpallin luftë njëri-tjetrit duke
kaluar çdo kufi. Zhoze Murinjo ishte asistent i Van Galit në 1996-ën dhe
Guardiola ishte “nxënësi” i tij. “Kemi bashkëpunuar 4 vite bashkë. Siç
më njeh mua Murinjo, ashtu e njoh edhe unë atë”,- pati thënë Pep pas një
sfide në vitin 2011. Ndërkohë, Zhoze Murinjo, edhe pse e ka fituar dy
herë Champions-in, nuk ka mundur të zhvillojë një Superkupë, pasi është
larguar menjëherë nga Porto dhe Inter. Kurse Guardiola ka fituar
gjithçka në vitin 2009 dhe 2011. Gjatë një interviste për “Uefa.com”,
Zhoze Murinjo flet për Bajernin, rikthimin e tij te Çelsi dhe
Superkupën.
Z. Mourinho, si u ndjetë pas rikthimit te Chelsea?
Unë jam pjesë e një klubi, ku më përshtatet gjithçka. Dhe jam në vendin
ku dua të jetoj dhe e shoh si privilegj. Shumë të tjerë duan të jetojnë
në një vend apo të drejtojnë një klub, por nuk kanë asnjë mundësi. Duke
iu referuar eksperiencës sime në shumë vende të ndryshme, në Londër
ndihem më i lumtur.
Ç’kuptim ka për ju Superkupa e Europës?
Për ne është një titull, të cilin duam ta fitojmë. Në Superkupë luhet
për trofe dhe të gjithë e dimë që nuk është njësoj me evenimentet e
tjera ku duhet të fitosh shumë sfida. Bëhet fjalë vetëm për një duel dhe
në futboll s’para ka shumë rëndësi, por është një titull me prestigj.
Këtë kupë do ta preferonte çdo klub në vitrinë. Pra, ne për këtë do
përpiqemi.
Para tri viteve fituat tripletën me Interin, por këtë sukses e arriti dhe Bajerni…
Të fitosh tre trofe është tepër e vështirë dhe këtë e realizojnë vetëm
ekipe me mentalitet fituesi dhe kualitet të lartë futbolli. Ashtu si
Bajerni mbajti lart nivelin dhe ambiciet e tij në tri kompeticione ishte
fantastike dhe neve të gjithëve na ra në sy. Jup Hejnkes bëri një punë
të shkëlqyer. Natyrisht që u impresionova nga mënyra se si funksionoi e
gjithë paketa e tij strategjike sezonin e kaluar. Tani të luash kundër
ekipit më të mirë të vitit të kaluar është një sfidë për ne. Për ne
është një përcaktim pozicioni. Na duhet të luftojmë dhe të krahasohemi
me më të mirët dhe nga ky moment e mësojmë se ndaj kujt do luajmë në
fazën në grupe.
Cili është synimi juaj në Champions?
Për ne është qëllimi kryesor të kalojmë fazën në grupe. E shoh si
detyrim parësor. Të premten do e njohim kundërshtarin tonë dhe do
nxjerrim prej tyre gjithçka. Ajo ndeshje do na shërbejë si një matës për
të ditur se ku jemi.
Patët thënë se Bajerni i Hejnkesit ishte më i miri i Europës dhe vërtet e faktuan. Po te Bajerni i Guardiolës s’keni besim?
Për veprat e Hejnkesit kam respekt dhe Bajerni shkëlqeu, i meritoi tre
trofetë. Tani, ata kanë marrë trajner dhe lojtarë të rinj dhe nuk jam më
i sigurt nëse do jenë më aq të mirë sa me Hejnkesin.
Sa e vështirë ka qenë për ju të përshtateni sërish me Çelsin, pasi kanë kaluar 6 vite?
Mua më duket sikur kam kohë që e drejtoj këtë skuadër. Deri tani jam
shumë i kënaqur me rezultatet dhe sigurisht na duhet ende kohë për t’u
përshtatur dhe realizuar objektivat që duam. Rëndësi ka që jemi në rrugë
të mbarë.
Shto koment