Majlinda në Olimpiadë, nën flamurin e Shqipërisë

28.05.2012 (komentet: 0)

Xhudistja më e mirë kosovare Majlinda Kelmendi me gjithë pritjet e mëdha nuk do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike “Londra 2012”, por ajo do të garojë me flamurin e Shqipërisë.

Një vendim të tillë e ka marrë të enjten në Kubec të Kanadasë, Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON). Majlindës, madje nuk iu lejua as paraqitja si sportiste e pavarur, që ka qenë një dëshirë e dytë dhe kërkesë zyrtare e saj, nëse përfaqësimi si shtet nuk do të ishte i mundshëm. KON-i ka vendosur që forma e vetme e paraqitjes së Majlindës në Olimpiadën e Londrës të jetë si sportiste nga Shqipëria. Pas këtij vendimi ka reaguar menjëherë ministri i Sportit, Memli Krasniqi, sipas të cilit KON-i me këtë rast ka bërë shkelje të të drejtave të njeriut. “Bordi i KON-it në esencë bëri një shkelje të të drejtave të njeriut, duke mos e lejuar xhudisten tonë Majlinda Kelmendi që ta përfaqësojë shtetin e vet në Lojërat Olimpike ‘Londra 2012’. Me këtë akt, KON-i po ua humb edhe më shumë shpresat dhjetëra mijëra sportistëve, talenteve nga Kosova se ëndrra e tyre për të qenë të suksesshëm, të barabartë me sportistë tjerë, duke përfaqësuar shtetin e vet një ditë do të realizohen”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e ministrit të sportit. “Është jashtëzakonisht johumane ndaj një sportisteje si Majlinda Kelmendi, e cila me gjithë sfidat dhe intrigat politike ka arritur suksese kulminante, duke siguruar edhe normën olimpike, të mos i mundësohet pjesëmarrja në Olimpiadën e Londrës”. Gjithashtu ministri Krasniqi mendon se vendimi i KON-it është një thyerje e parimeve olimpike dhe mbi të gjitha një konfirmim i padrejtësisë shumëvjeçare që po i bëhet Kosovës në sport. “Përkundër kësaj padrejtësie, këtij veprimi josportiv dhe jonjerëzor ne nuk do të ndalim përpjekjet tona që Majlinda të jetë në Lojërat Olimpike ashtu siç dëshiron ajo, siç dëshiron i gjithë komuniteti sportiv dhe të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne nuk do të kërkojmë asgjë më shumë, vetëm trajtim të barabartë njerëzor e sportiv. Për mbi 20 vjet sportistët e Kosovës kanë qenë të izoluar. Ky vendim është në funksion të vazhdimit të këtij izolimi. Por ky vendim nuk do të na ndal nga e drejta e jonë që sportistët e Kosovës të jenë të barabartë në garat e mëdha sportive”, ka theksuar Krasniqi në komunikatën për medie.

Kthehu mbrapa

Shto koment