Kur një interist fut Milanin në krizë të thellë...

16.03.2014 (komentet: 0)

Antonio Cassano me dy gola të shënuar shkëlqeu në fitoren prej 4-2 të Parmas ndaj Milanit në San Siro.

Milani në këtë takim me të filluar ndeshja pati një start të keq, i cili edhe u reflektua nga protestat e tifozëve jashtë stadiumit që nuk mirëpritën stafin teknik pas rezultateve negative.

Christian Abbiati u përjashtua në minutën e pestë, për t’i mundësuar një penalti Antonio Cassanos, i cili realizoi për 1-0 ndaj ish ekipit të tij.

Në pjesën e parë nuk pati më gola, me Milanin që pati vështirësi të ndjeshme për shkak të një lojtari më pak në terren.

Në pjesën e dytë (51’), ishte Antonio Cassano ai që e dyfishoi epërsinë mysafire në 2-0, për t’i heshtur tifozët e rivalit të përbetuar të ekipit që ai është tifoz, Interit.

Milani provoi të kthehej dhe atë e bëri. Adil Rami (57’) shënoi për 2-1, teksa në minutën e 76-të Milani mendoi se mund të fitonte, kur si zakonisht Balotelli realizoi nga pika e bardhë për 2-2.

Përgjigja ishte e shpejtë nga Parma. Sikurse në stilin e Palacios në derbin e Madonninas, ishte edhe Amauri ai që realizoi me finte në mënyrë të shkëlqyer për 3-2.

Në fund ishte Biabiany në minutën e 96-të që finalizoi fitoren e madhe të Parmas për 4-2.

Parma vazhdon ngritjen në tabelë duke i afruar Interit. Parmanët kanë 46 pikë në vendin e pestë, vetëm një më pak se Interi në vendin e katërt.

Milani është në vendin e 11-të me 35 pikë, 12 pikë më shumë se Bologna në vendin e 18-të.

/E.Smerqaku/

Kthehu mbrapa

Shto koment