Eto’o: Guardiola? Ka qenë lojtar i mirë, asgjë më shumë!

25.03.2014 (komentet: 0)

Sulmuesi i Chelseat, Samuel Eto’o, e ka kritikuar ish-trajnerin e tij te Barcelona, Pep Guardiola.

“Guardiola ka qenë një lojtar i mirë, por asgjë më shumë. Dëshironte të më japë instruksione si sulmues, por ai ka qenë mesfushor, ndërsa më thoshte se si duhej të lëvizte një sulmues. I thashë: ‘Përnjëmend nuk je normal’”, ka treguar kamerunasi në një intervistë për BeIN Sports.

33-vjeçari ka thënë se trajneri aktual i Bayern Munichut kishte dashur ta largonte që në sezonin e parë kur mori drejtimin e Blaugranëve. “Për fatin e tij të keq shënova tre gola brenda 20 minutash në verën e vitit 2008 në një ndeshje miqësore, prandaj nuk mund të më dërgonte askund”.

Në sezonin e parë nën drejtimin e Pep, Barcelona fitoi tripletën, ndërsa Eto’o luajti rol kyç në këto triumfe duke realizuar 47 gola në 64 paraqitje. Megjithatë, ai thotë se nuk i ka marrë lëvdatat e merituara për këtë sukses. “Më është dashur t’ia kujtoj se çfarë i kam sjellë klubit me golat e mi dhe se duhet të më falënderojë mua për suksesin e tij”.

Në verën e vitit 2009, Guardiola më në fund e largoi kamerunasin, i cili shkoi te Interi si pjesë e marrëveshjes që Zlatan Ibrahimovic të shkonte në drejtim të kundërt. Megjithatë, edhe me Nerazzurrët, Eto’o fitoi tripletën.

Futbollisti i Chelseat nuk është lojtari i vetëm që nuk ka fjalë të mira për Guardiolan. Edhe Ibrahimovic haptas e kritikon strategun spanjoll sa herë që i jepet rasti.

Kthehu mbrapa

Shto koment