Drenica kërkon 3 pikë në Gjilan.

19.03.2013 (komentet: 0)

Drenica do të kërkojë të nxirret në Gjilan. Kuqezinjtë do t’i kërkojnë tri pikë ndaj Dritës, për t’i ikur pjesës së ekipeve të rrezikuara, por do të ishin të kënaqur edhe me një barazim. Në anën tjetër, gjilanasit do të tentojnë të bëjnë lojë të hapur dhe ta nxjerrin një rezultat pozitiv në shtëpi.

Drenica do të kërkojë të nxirret në Gjilan, në përballjen që do ta ketë sot ndaj Dritës. Skuadra kuqezi e nisi sezonin pranveror me një barazim ndaj Trepçës, ndërsa ndaj gjilanasve do t’i kërkojnë tri pikët e plota, për t’i ikur sadopak zonës së ekipeve që rrezikojnë të bien nga Superliga.

Aktualisht, Drenica është e parafundit në tabelë me 17 pikë të grumbulluara. Drenicasit janë lidhur ngushtë këtë edicion me barazime, duke regjistruar 11 sosh, por në Gjilan ata i duan tri pikë. Natyrisht, trajneri Tahir Lushtaku thotë se as barazimi nuk do të ishte i keq, kur kihet parasysh kualiteti i kundërshtarit.

“E kemi një kundërshtar jashtëzakonisht të fortë, njërin prej ekipeve më stabile në Superligë. Drita nuk ka kurrfarë presioni, ndërsa i gjithë presioni bie tek ne, pasi nuk gjendemi mirë në tabelë. Sido që të jetë, ne duhet ta lëmë ngarkesën anash, për ta kërkuar një rezultat të mirë pa presion”, theksoi ai.

“Nëse nuk mungon angazhimi dhe disiplina e të gjithë lojtarëve, mund t’i fitojmë tri pikë në Gjilan. Por, do të isha i kënaqur edhe me një pikë. Gjithçka varet se si do të rrjedhë ndeshja, e cila megjithatë besoj se do të jetë e mirë për sytë e publikut”, shtoi Lushtaku.

Ndërkohë, pamje krejt tjetër në tabelë ka Drita, e cila është e katërta me 29 pikë. Gjilanasit në këtë duel do të hyjnë pa ndonjë presion të madh.

“I kemi bërë përgatitjet si për çdo ndeshje tjetër, do të shohim se me çfarë formacioni do të startojmë, pasi kemi futbollistë me kartonë. Është një takim për ne mjaft me rëndësi, pasi kemi përpara një ekip si Drenica, që ka bërë shumë përforcime dhe renditja e saj në tabelë nuk është reale, pasi ka treguar lojëra të mira. Si çdo herë, do të mundohemi të bëjmë lojë të hapur dhe ta marrim një rezultat pozitiv”, tha Morina, i cili, përkundër faktit se gjilanasit janë mjaft afër kreut, thotë se titulli nuk është imperativ i Dritës.

Kthehu mbrapa

Shto koment