BARÇA E BAYERN, PREKIN GJYSMËFINALEN

04.04.2012 (komentet: 0)

Barcelona dhe Bayern Munich e kanë prerë nga një biletë për në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Gjiganti katalunas e eliminoi Milanin, falë fitores 3:1 në Camp Nou. Lionel Messi dhe Andres Iniesta u përkujdesën për fitoren e gjigantit katalunas, kurse goli i Antonio Nocerinos ishte i pamjaftueshëm për Rossonerët. Ndërkaq, gjigantit Bavarez i mjaftuan dy golat e Ivica Olic, për të ecur tutje.

Barcelona dhe Bayern Munich janë dy gjysmëfinalistët e parë të Ligës së Kampionëve. Të dyja skuadrat i kanë fituar përballjet përkatëse në shtëpi sonte, ndaj Milanit, respektivisht Olympique Marseilles.

Gjiganti katalunas, pasi barazonte pa gola në San Siro (0:0), triumfoi me rezultat 3:1 në Camp Nou, në një ndeshje të cilën e dominoi totalisht.

Lionel Messi ka realizuar dy gola nga penalltia në pjesën e parë (penalltia e dytë ishte e dyshimtë), kurse golin e qetësisë e ka gjetur Andres Iniesta, në fillim të 45 minutëshit të dytë.

Kurse, Rossonerët e ëndërruan përkohësisht kualifikimin, kur Antonio Nocerino i barazoi shifrat në pjesën e parë, pasi mori një top nga Zlatan Ibrahimovic.

Në duelin tjetër, Bayerni, i cili fitonte edhe në Francë, ia doli ta mposht Olympique Marseillen me rezultat identik edhe në Allianz Arena, 2-0.

Realizator i dyfishtë ishte sulmuesi kroat Ivica Olic, që shënoi në pjesën e parë. Kështu, Barcelona do të luajë në gjysmëfinale me fituesin e duelit Chelsea – Benfica, kurse Bayerni do të ketë punë me Real Madridin ose APOEL-in.

Liga e Kampionëve

Çerekfinalja

Rezultatet

Barcelona – Milan 3:1

Bayern – Marseille 2:0

Kthehu mbrapa

Shto koment