Tensione në periferi të Shkupit

13.04.2012 (komentet: 0)

Pas vrasjes së pesë maqedonasve afër liqenit të Hekuranës, kanë shpërthyer trazirat afër Shkupit, ku shtëpitë e shqiptarëve goditen me gurë. MPB ka njoftuar se katër vetura janë sulmuar, si dhe dy autobusë të linjës që qarkullon drejt fshatit Luboten të Shkupit.

Banorët që jetojnë afër vendit të krimit, kanë deklaruar se të vrarët kanë shkuar në liqen, sipas të gjitha për të peshkuar. Katër nga viktimat ishin të moshës18- 20 vjeçe, ndërsa njëri 40 vjeç.

Sipas informacioneve jozyrtare nga policia, fillimisht janë vrarë katër të rinjtë, ndërsa më vonë burri i cili rastësisht është gjetur në atë vend. Mediat maqedonase kanë thënë se të rinjtë janë rreshtuar para se të likuidohen dhe se kufomat e tyre gjendeshin pranë njëra tjetrës.

Vëllai i njërit prej viktimave ka thënë për “Kanal 5” se të rinjtë e kanë njohur vrasësin dhe se vëllai është vrarë si dëshmitar i masakrës.

Fshatarët kanë thënë për “Press 24” se të shtënat i kanë dëgjuar mbrëmë rreth orës 20 dhe se viktimat ata i kanë gjetur dy-tri orë më vonë.

BIRN raporton se protestuesit e mbledhur besojnë se ata janë vrarë nga shqiptarët, gjë që mund të shtoj tensionet ndëretnike në Maqedoni.

Banorët e Radishanit kanë bllokuar rrugët anësore të Shkupit. Në pankartat ata kanë vënë emrat e Filip Slavkovskit, Aleksandar Nacevskit, Cvetanc Acevskit dhe Kiro Trickovskit. I vrari i pestë është Borge Stefanovski.

Ata kanë kërcënuar gazetarët se do t’i shkatërrojnë pajisjet e tyre nëse futen në fshat. Kur një televizion maqedonas ka raportuar se është sulmuar një kameraman i tyre, policia ka bllokuar hyrjen në fshat të ekipeve televizive.

Ndryshe, “INA” raporton se qindra banorë kanë bllokuar aksin rrugor që lidh komunën e Butelit me vendbanimet e Radishanit dhe Lubotenit, duke kërkuar që të ndriçohet urgjentisht vrasja. Banorët e fshatit Luboten të Shkupit theksojnë se janë të bllokuar.

Baki Halimi, këshilltari komunal i BDI-së në komunën e Butelit, theksoi se fshati është i bllokuar dhe rrethuar nga ana e policisë, të cilët po bllokojnë turmat e grupeve të ndryshme të maqedonasve, që kanë për qëllim sulmin ndaj fshatit dhe popullatës.

"Akoma pa pritur zbardhjen e rastit, shpifjet e ndryshme në këtë tragjedi kanë arritur qëllimin për të dezinformuar për fshatin tonë. Apeloj tek të gjithë qytetarët që të presin ndriçimin e rastit dhe të dalin para organeve të drejtësisë ata që janë përgjegjës për këtë akt mizor të vrasjes, dhe jo të krijohet një situatë e tillë për të tentuar për të krijuar skenare në fshatin tonë", theksoi Baki Halimi.

Nga përfaqësuesit e këtij fshati është bërë thirrje që të mos braktisin fshatin apo të pranojnë mysafirë të huaj.

Banorë të fshatit theksojnë se janë në akth dhe nuk dinë se si do të jenë zhvillimet e mëtejme pas acarimit të situatës dhe protestës e barrikadave të popullsisë maqedonase të fshatit Radishan të banuar me maqedonas.

MPB përmes një komunikate ka bërë thirrje për përmbajtje nga spekulimet lidhur me vrasjen e katër të rinjve të moshës 20 vjeç dhe një 40 vjeçari pranë Liqenit të Hekuranës në afërsi të fshatit Smilkovc të komunës së Butelit.

"MPB intensivisht është vënë në kërkim të kryerësve të vrasjes dhe vërtetimit të motiveve. MPB shprehë ngushëllime deri tek familjet e të vrarëve dhe apelon për qetësimin e ndjenjave. Ndërsa, kërkohet që media të jenë të përmbajtura nga spekulimet dhe të mos nxisin tensionet ndëretnike", thuhet në një deklaratë të MPB-së.

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), transmeton “Zhurnal”, ka apeluar “te i tërë opinion, e posaçërisht te banorët e vendeve të afërta të fatkeqësisë, që të veprojnë në drejtim të qetësimit të situatës në terren dhe të mos lejojnë që tensionet të eskalojnë”.

Ndryshe, ministrja e Brendshme, Gordana Jankulovska, pak më parë ka deklaruar se rreth 30 persona po mbahen nga organet policore, si të dyshuar për vrasjen e pesëfishtë në fshatin Smilkovc të komunës Butel të Shkupit.

Ajo apelon për qetësi dhe mos tensionim të situatës nga ana e banorëve dhe shmangien e dezinformatave të ndryshme. 

Kthehu mbrapa

Shto koment