Shtypi evropian: Amsera e vogël, ikonë e mbijetesës

13.02.2012 (komentet: 0)

Gjithandej është portreti që ka kapluar gjithë botën, i vajzës që ka dalë pothuaj e paprekur nga ferri që i ka marrë së paku 9 familjarë

 

Rasti i shpëtimit të vogëlushes Amsera nga orteku që i kishte mbytur gjithë familjarët tjerë, kufizohet me një mrekulli. Si i tillë, ai ka gjetur vend në të gjitha mediet e Evropës, në emetimet e mbrëmshme televizive dhe në botimet e sotme të gazetave. Njësoj ka qenë edhe në mediet në gjuhën gjermane dhe franceze të Zvicrës.

Emisioni i lajmeve „Tagesschau“ i televizionit publik zviceran ka dhënë në vazhdimësi pamje nga aksionet e shpëtimit dhe është fokusuar edhe në mrekullinë e vetme të kësaj tragjedie, mbijetesën e Amserës së vogël.

Gazeta „Blick“ dhe ajo „Blick am abend“ e Cyrihut shkruajnë për fatin tragjik të Amserës, e cila i gëzohet shpëtimit, pa qenë e vetëdijshme për humbjen e madhe që ka pësuar. Orteku i borës i ka mbytur së paku 2 vëllezërit e saj me gjithë gratë dhe fëmijët e tyre, përcjell „Blick“ raportimin e BBC-së nga vendi i ngjarjes. Dhe, gjithsesi, nuk mungon portreti që ka kapluar gjithë botën, i vajzës që ka dalë pothuaj e paprekur nga ferri që i ka marrë së paku 9 familjarë. „Cingërrima e telefonit ka shpëtuar vajzën“, citon gazeta zëdhënësin e FSK-së, Shemsi Syla.

Rreth këtij rasti po ashtu shkruan edhe 20 minuten dhe shumica e gazetave tjera zvicerane.

Njësoj për mrekullinë e quajtur Amsera shkruan edhe gazeta zvicerane në gjuhën frënge „Le Matin“, duke iu referuar portalit tonë, albinfo.ch. 

Portalet informative austriake kanë raportuar dje për rastin e rrallë të shpëtimit. Kështu, gazeta „Krone“ në versionin e saj elektronik nënvizon se Amserës i kanë shpëtuar jetën forcat speciale të armatës austriake që veprojnë në kuadër të KFOR-it, bashkë me ushtarët e FSK-së.

Kthehu mbrapa

Shto koment