SHBA bojkoton debatin e Jeremiqit në OKB

10.04.2013 (komentet: 0)

Në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York, sot mbahet debati për punën e tribunaleve ndërkombëtare për krime lufte, në të cilin debat do të marrë pjesë edhe presidenti serb, Tomisllav Nikolliq.

 

Diskutimet mbi temën “Roli i së drejtës penale ndërkombëtare në realizimin e pajtimit”, janë caktuar për datën e sotme, nga presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuk Jeremiq.

Në delegacionin e Serbisë sot merr pjesë edhe ministri i punëve të jashtme, Ivan Mërkiq.

Jeremiq këtë debat e ka future në agjendë vitin e kaluar pas shfajësimit të gjeneralëve kroatë, Ante Gotovinadhe Mlladen Markaç, në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane do të jenë të përfaqësuara nga diplomatë të rangut më të ulët.

Jeremiq ndërkaq e ka cilësuar si “skandaloze” faktin që presidenti i Tribunalit të Hagës nuk i është përgjigjur thirrjes për të marër pjesë.

Në fakt, presidenti i Tribunalit, Theodor Meron, ka kritikuar debatin në fjalë, duke thënë se “me të vihet në pikëpyetje respekti thelbësor për sundimin e ligjit”.

Gjykatësi Meron, duke folur ditë më parë në Brookings Institution në Washington, ka thënë se “shfajësimet, sikurse edhe dënimet, dëshmojnë për shëndetin e këtij sistemi”.

“Debati nuk është i atillë, në të cilin pjesëmarrja ime do të kontribuonte ndaj normave që unë i kam shumë për zemër”, pati thënë Meron.

Debati pritet të fillojë në orën 10:00, sipas kohës lokale në New York./Indeksonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment