Serbia fsheh gjurmët e krimit

13.03.2014 (komentet: 0)

Delegacioni i Republikës së Kosovës për bisedime me Delegacionin e Serbisë për çështjen e personave të zhdukur nuk do të marrë pjesë në takimin e planifikuar për të premten më 14 mars 2014, lidhur me rastin e Rashkës.

Pas takimit qeveritar të mbajtur më 11 mars 2014, me akterët ndërkombëtarë të përfshirë në këtë proces, ku u harmonizuan qëndrimet dhe u dakorduan konkluzionet e përbashkëta, delegacioni i Kosovës i ka propozuar palës serbe që fillimisht të mbahet një takim gjithëpërfshirës mes palëve dhe akterëve ndërkombëtarë, me qëllim të hartimit të një Projekti gjithëpërfshirës dhe planit për veprim në Rastin e Rashkës, duke përfshirë edhe pajtueshmërinë mes palëve mbi shpenzimet e nevojshme buxhetore për rifillimin, vazhdimin dhe përfundimin e zhvarrimeve, si dhe procedimin e mëtutjeshëm profesional të këtij rasti.

Një takim i tillë është menduar t’i paraprijë edhe takimit në mes të ekspertëve, ku do të diskutoheshin çështjet profesionale mjekoligjore.

Sot gjatë ditës, edhe përmes shkresës zyrtare - përmes Kryesueses së Grupit Punues për Persona të Zhdukur, përkatësisht Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq - delegacioni i Kosovës ka pranuar njoftimin mbi pajtueshmërinë e delegacionit të Serbisë, duke pranuar njëkohësisht edhe ftesën për të mbajtur një takim gjithëpërfshirës, të premten më 14 mars 2014, takim ky që do t’i paraprijë edhe takimit të ekspertëve.

Mirëpo, për shkak të ndryshimeve - në orët e pasdites - të qëndrimit të palës serbe, duke anuluar takimin gjithëpërfshirës në të cilin ishte planifikuar të diskutohen projekti gjithëpërfshirës dhe plani për veprim në rastin e Rashkës, delegacionit të Republikës së Kosovës iu është pamundësuar udhëtimi për në Rashkë.

“Ky ndryshim i qëndrimit... kthen Serbinë në vitet paraprake, në përpjekjen e saj për të fshehur gjurmët e një krimi me përmasa gjenocidiale”, thuhet në një kumtesë. “Raste të tilla, përkatësisht përpjekje të palës serbe për të vonuar fillimin e gërmimeve dhe zhvarrimeve më qëllim të ndriçimit të së vërtetës rreth rastit e Rashkës, kanë përcjellë për vite të tëra këtë proces, përkundër dëshmive dhe kërkesave të shumta të dorëzuara nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë”.

Qeveria e Republikës së Kosovës thërret autoritetet e Serbisë dhe kërkon nga bashkësia ndërkombëtare që të ushtrojë trysni tek këto autoritetet për ofrimin e informacioneve mbi fatin dhe vendndodhjen e personave të kidnapuar dhe të zhdukur gjatë luftës, si dhe të ndryshojë veprimet dhe qasjen e saj në përpjekje për të penguar dhe vonuar procedimin e mëtutjeshëm të rastit të Rashkës, që është një nga tragjeditë me te mëdha qe prek jo vetëm familjaret e të pagjeturve, por krejt Kosovën.

Kthehu mbrapa

Shto koment