Pritet marrëveshja për pensionet e Zvicrës

02.04.2013 (komentet: 0)

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe Presidentja e Këshillit Nacional dhe e Kuvendit Federal të Zvicrës, Maya Graf, kanë shfaqur bindjen e tyre sot se çështja e pensioneve shqiptarëve të Kosovës që kanë punuar në Zvicër të zgjidhet shumë shpejt me një marrëveshje në mes të të dyja vendeve.





 



Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se çështja e pensioneve të shqiptarëve të Kosovës që kanë punuar në Zvicër pritet të zgjidhet shpejt, edhe pse ka shtuar se kjo çështje më shumë është e ekzekutivit të të dyja vendeve sesa e parlamenteve.

“Për këtë çështje kemi biseduar edhe në vitin e kaluar dhe natyrisht se çështja është më tepër në mes dy ekzekutiveve të vendeve tona sesa të parlamenteve. Kemi biseduar edhe në vitin e kaluar por kemi biseduar edhe sot dhe unë besoj se do të arrihet një marrëveshje në mes dy vendeve tona për atë çështje mjaft të ndjeshme dhe të rëndësishme për qytetarët tanë”, ka thënë ai.

Edhe Presidentja e Këshillit Nacional dhe e Kuvendit Federal të Zvicrës, Maya Graf, shpreson se nuk do të ketë problem për arritjen e një marrëveshjeje mes të dyja shteteve sa u përket pensioneve të shqiptarëve të Kosovës që kanë punuar në Zvicër.

“Dëshiroj të jap dëshminë se jemi plotë shpresë se kjo shpejt do të realizohet dhe nuk besoj se do të ketë ndonjë problem këtu, që të nënshkruhet edhe kjo marrëveshje”, ka thënë ajo.

Për më tepër, Gjykata Federale e Zvicrës në tetor të 2011, pati vendosur në të mirë të pensionistëve të Kosovës, duke e vlerësuar të paligjshëm vendimin e Qeverisë së Zvicrës për ndalimin e dhënies së pensioneve për kosovarët që nuk jetojnë në Zvicër. Madje, ajo kërkoi që kompensimi i tyre të bëhet në mënyrë retroaktive. /kosovapress/

Kthehu mbrapa

Shto koment