Nili është i kuq sonte në Egjipt

15.08.2013 (komentet: 0)

SHBA dënon dhunën e qeverisë kërkon heqjen e shtetrrethimit dhe lejimin e protestave paqësore – Turqia kërkon ndërhyrjen e OKB-së – Qeveria egjiptiane thotë se është vendosur qetësia pas përleshjeve që vranë rreth 300 vetë – Vëllazëria Myslimane thotë se ka qenë masakër ku u vranë 2,600

 

Nga Ruben Avxhiu

Dy versione ngjarjesh janë lexuar sot nga media tradicionale dhe bashkëkohore e Egjiptit. Njëra flet për ndërhyrjen e qeverisë për vendosjen e rendit publik, tjera për shtypjen me dhunë dhe me gjak të të drejtës së njerëzve për të protestuar.
Në fund të ditës, dy kampe me tenda të krijuara nga mbështetësit e ish-Presidentit të rrëzuar Morsi, janë shkatërruar dhe djegur nga policia dhe trupat speciale. Ato kanë shërbyer si pika organizimi dhe grumbullimi për protestat disaditore që kërkonin anullimin e atij që quajnë “grusht shteti” dhe rivendosjen e presidentit të zgjedhur nga populli.
Qeveria e përkohshme egjiptiane i ka quajtur të dy kampet si të paligjshme dhe një kërcënim për rendin publik e sigurinë e qytetarëve egjiptianë. Ishin bërë në fakt më shumë se 40 ditë që kur kishte filluar protesta e uljes masive në shesh dhe qendrimit aty. Qeveria u ka bërë thirrje protestuesve të largohen disa herë si dhe në prag të sulmit me buldozierë dhe tankse, por shumë prej tyre kanë vendosur të rezistojnë sulmit të policisë.
Zyrtarët egjiptianë kanë kundërshtuar krahasimet e këtyre kampeve me ato të protestuesve në vende të tjera të botës apo me vetë egjiptianët që kërkonin rrëzimin e Morsit. Ata i kanë akuzuar protestuesit në kampe si ekstremistë.
Media perëndimore ka filmuar momente dhune tronditës në rrugët e Kajros, disa prej këtyre imazheve shoqërojnë këtë shkrim.
Ndërsa qeveritë e shumë vendeve kanë ngurruar të diskutojnë vendimin e qeverisë egjiptiane për prishjen e dy kampeve, SHBA dhe disa vende perëndimore kanë dënuar dhunën e përdorur. Sipas tyre qeveria egjiptiane nuk ka bërë dallim mes protestusve paqësorë dhe atyre të dhunshëm.
Shtëpia e Bardhë ka kërkuar në veçanti heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe rikthimin e normalitetit në vend, duke hapur dialogun mes të gjitha forcave politike, përfshi edhe Vëllazërisë Myslimane që mendohet të jetë në zemër të protestave.
Kajro ka deklaruar në darkë se në vend është rivendosur qetësia por se vazhdon të jetë në fuqi gjendja e jashtëzakonshme për orët e natës.
Sipas bilancit zyrtar u vranë 278 vetë, përfshirë 43 policë. Këto shifra janë kundërshtuar nga Vëllazëria Myslimane, e cila thotë se 2,600 protestues janë vrarë dhe se ka qenë një masakër njerëzish të pafajshëm.
Ministri i Brendshëm Mohamed Ibrahim ka thënë se kanë qenë militantët e Vëllazërisë Myslimane që kanë provokuar dhunën duke qëlluar në drejtim të policisë. Sipas tij ata janë përpjekur të pushtojnë institucione të shtetit dhe kanë djegur kisha. Fjala është për shkatërrimin dhe djegien e zyrës së guvernatorit krahinor në Aleksandri dhe të selisë së qeverisë në Fayyoum, si dhe për katër kisha që thuhet se janë djegur në jug të vendit.

Por linja qeveritare egjiptiane pësoi dje një goditje kur zëvendës-presidenti i përkohshëm i Egjiptit, Mohamed ElBaradei dha dorëheqjen. Ai ka qenë kundër islamistëve por mesa duket ka mbetur i zhgënjyer nga mënyra e veprimit të organeve të shtetit.
Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje qeverisë së përkohëshme të respektojë të drejtat e njeriut, përfshirë lirinë e grumbullimit dhe procesit të rregullt gjyqësor.
“Ky është një moment kritik për egjiptianët. Rruga e dhunës çon vetëm drejt destabilitetit më të thellë, shkatërrimit ekonomik dhe vuajtjeve të mëtejshme”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i SHBA-së John Kerry. “E vetmja rrugë e përshtatshme për secilën palë është rruga drejt zgjidhjes politike”.
Megjithatë, SHBA mbetet e pavendosur se si duhet ta trajtojë Egjiptin. Nëse do ta quante grusht shteti rrëzimin e Morsit, kjo do të sillte ndërprerjen automatike për ndihmën prej 1,5 miliardë dollarë që i jep ushtrisë egjiptiane. Ushtria ishte kyçe në rrëzimin e presidentit islamik.
Nga ana tjetër, shumë aktivistë të njohur politikë dhe të të drejtave të njeriut në Egjipt e kishin kritikuar SHBA-në se duke mbështetur Morsin po ndihmonte ngritjen e një diktatori të ri në Egjipt pas shumë dekadash mbështetje të Mubarakut.
Amerika sigurisht nuk do të mund të kënaqë të dy palët në Egjipt. Mes dhunës së ushtrisë dhe hijes së diktaturës fetare të Morsit, ajo mbetet në të shumtën e rasteve objektiv kritike e sharje nga egjiptianët e të dy krahëve.
Zëri i Amerikës ka thënë dje se “Presidenti Obama po informohet rregullisht lidhur me gjendjen në Egjipt nga Këshilltarja për Sigurinë Kombëtare Susan Rice dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare, ndërkohë që vazhdon pushimet me familjen në ishullin Martha’s Vineyard pranë Bostonit”.
Një shtet që nuk ka ngurrime për çfarë ka ndodhur është Turqia, e cila e ka shpallur dhunën e sotme një masakër të qeverisë egjiptiane dhe ka bërë thirrje që OKB-ja të dënojë publikisht Kajron dhe të mendojë një pln ndërhyrjeje. Kryeministri turk, Rexhep Erdogan shihet si aleat dhe frymëzues i Vëllazërisë Myslimane në Egjipt.
Një lajm që hyri në këtë moment të fundit nga agjensia e njohur Reuters thotë se vendet perëndimore janë përpjekur deri në çastin e fundit për të bindur Gjeneralin Al-Sisi që të heqë dorë nga operacioni duke këshilluar se dhuna mund të ketë pasoja politike e ekonomike shumë më të rënda se protesta e zgjatur islamiste. Dështimi i këtyre përpjekjeve ka sjellë edhe dorëheqjen e El-Baradeit.

/illyria/

Kthehu mbrapa

Shto koment