Në Zarë hapet edhe gjimnazi për shqiptarët

30.06.2016 (komentet: 0)

 

“Ministria e arsimit, shkencës dhe sportit, ka marrë mendim profesional ekspertësh nga Agjencioni për arsim dhe edukim , për kurikulën për lëndën gjuha shqipe kultura, sipas “Modelit C” për shkollat e mesme në Republikën e Kroacisë, shkruan KultPlus.

 

Mehmet Latifi

Zarë - Pas një angazhimi të përkushtuar për mësimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe për nxënësit shqiptar të shkollave tetëvjeçare në Zarë, që tashmë dy vjet funkcionon në Sh. F. “Kruno Krstiq” në Arbënesh të Zarës, nën drejtimin e Vesel Lekaj, ky i fundit ka arritur të zgjërojë këtë program mësimi edhe për nxënësit shqiptar të shkollave të mesme në Zarë, duke kërkuar miratimin edhe nga Ministria e Arsimit të Republikës së Kroacisë, krahas pëlqimit të gjimnazit “Vlladimir Nazor” në Zarë. 

Kërkesa që i është drejtuar Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kroacisë, për mësimin plotësues “Modeli C”, më në fund është miratuar pozitivisht dhe mundësohet mësimi plotësues edhe për nxënësit shqiptar të shkollave të mesme në Zarë.
Në shkresën-përgjigjen që ka arritur në adresë të Shkollës “Vlladimir Nazor” dhe të Vesel Lekaj, nënshkruar nga zv/ministri i arsimit të Republikës së Kroacisë shkruan: 

“Ministria e arsimit, shkencës dhe sportit, ka marrë mendim professional ekspertësh nga Agjencioni për arsim dhe edukim me numër protokoli: “KLASA: 602-01/15-01/0132; UBROJ:561-06/20-15-03, datë 10 qershor 2016”, për kurikulën për lëndën gjuha shqipe kultura, sipas “Modelit C” për shkollat e mesme në Republikën e Kroacisë. 

Agjencioni për arsim dhe edukim, ka dhënë mendim pozitiv për kurikulën e lëndës gjuha shqipe dhe kultura sipas “Modelit C” për shkollat e mesme, që nënkupton që sipas kurikulës së përmendur, nga viti shkollor 2016/2017, mësimi i gjuhës shqipe dhe kulturës (Modeli C), mundë të mbahet- zhvillohet për nxënësit e interesuar pranë shkollës tuaj “Vlladimir Nazor”.
Në kuadër të këtij plan-programi, të miratuar nga Ministria e Arsimit të R. së Kroacisë, sipas Standardeve Shtetërore Pedagogjike të edukimit dhe arsimimit, sipas gazetës Zyrtare (Narodne Novine 63/2008, cl.43, stav 3, alinea 3), nxënësit shqiptar të shkollës së mesme do të njihen krahas lëndëve tjera të përgjithshme shkollore, edhe me lëndët: gjuhë e letërsi amtare-shqipe, histori, gjeografi, art figurativ dhe artin muzikor. 

Pa dyshim se meritë për këtë kanë në rend të parë vetë shqiptarët që jetojnë në Zarë, të mbështetur nga Bashkësia e Shqiptarëve në Zarë, ligjet pozitive dhe vetë pozita e shqiptarëve jo vetëm në Zarë por në tërë Kroacinë dhe angazhimi permanent, vetëmohues dhe i përkushtuar i Vesel Lekaj. /KultPlus.com 

Kthehu mbrapa

Shto koment