Ministrja Edita Tahiri u prit në Qeverinë dhe Parlamentin e Bullgarisë

03.02.2016 (komentet: 0)

Në vazhdim të vizitës zyrtare në Bullgari, ministrja për Dialog, Edita Tahiri është pritur sot në Qeverinë e këtij shteti nga zëvendëskryeministri njëherit ministër i Punës dhe Politikave Sociale, z. Ivailo Kalfin si dhe në Parlamentin e Bullgarisë nga Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Marrëdhënie me Jashtë dhe Integrime Evropiane, znj. Dzhema Grozdanova, si dhe grupi i deputetëve i miqësisë Kosovë--Bullgari.

Në takimin mes ministres Tahiri dhe zëvendëskryeministrit Kalfin u bisedua për fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, me theks të veçantë në fushën ekonomike si dhe bashkëpunimin për integrimet euroatlantike.

 

Ministrja Tahiri vlerësoi lartë miqësinë mes dy vendeve duke shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në të gjitha fushat dhe sidomos në fushën ekonomike, duke theksuar se potencialet ekonomike të Kosovës krijojnë një bazë të mirë për thellimin e bashkëpunimit me programe konkrete. Ajo e njoftoi zëvendëskryeministrin Ivailo Kalfin me përparimet e arritura në Kosovë, reformat evropiane në sektorë të ndryshëm të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës sidomos ato ekonomike dhe të sundimit të ligjit, si dhe për arritjet në kuadër të integrimeve euroatlantike. Ajo më këtë rast e falënderoi zëvendëskryeministrin Kalfin për mbështetjen që Bullgaria ia ka dhënë Kosovës në arritjen e marrëveshjes për Stabilizim-Asociim dhe kërkoi që kjo mbështetje të bëhet edhe në avancimet tjera të Kosovës në integrimin evropian. Në mënyrë të veçantë ajo kërkoi mbështetje nga Bullgaria për çështjen e liberalizimit të vizave për të cilën Kosova i ka përmbushur obligimet, duke theksuar se vonesat e mëtejme nga Bashkimi Evropian janë të padrejta.

 

Nga ana e tij zëvendëskryeministri Ivailo Kalfin tha se Qeveria e tij çmon arritjet e Kosovës në planin e brendshëm dhe të jashtëm, ndërsa vlerësoi sukses të madh nënshkrimin e Marrëveshjes Stabilizim Asociim mes Kosovës dhe BE-së. Ai më tej tha se marrëdhëniet bilaterale i konsiderojnë tejet të rëndësishme dhe se përkrahja e Bullgarisë do të jetë e vazhdueshme për Kosovën në rrugën e integrimit euroatlantik. Po ashtu theksoi se janë të lumtur që Kosova është anëtare e barabartë në organizatat rajonale dhe kontributin që po e jep për fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal. Ai tha se Bullgaria mbetet e përkushtuar që të këmbejë përvojat me Kosovën, në të gjitha fushat e rëndësishme të reformave.

 

Biseda më pas u fokusua në bashkëpunimet konkrete që Kosova e Bullgaria mund t’i realizojnë, sidomos në fushën e çështjeve sociale, të tregtisë, sundimit të ligjit, infrastrukturës dhe arsimit, ku të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për formalizmin e këtyre bashkëpunimeve përmes takimeve të shtuara dhe arritjes së marrëveshjeve bilaterale në të ardhmen.

 

Ndërkaq në Parlamentin e Bullgarisë biseda u përqendrua për thellimin e marrëdhënieve bilaterale me rritjen e bashkëpunimit në mes të parlamenteve përkatëse, me ç’rast znj. Grozdanova tha se i kanë bërë ftesë dhe presin që komisionet e Parlamentit të Kosovës ta vizitojnë Bullgarinë dhe të krijohet një bashkëpunim i qëndrueshëm në mes të dy parlamenteve dhe diplomacia parlamentare të fuqizohet edhe mëtej. Znj. Grozdanova e njoftoi ministren Tahiri se Kryetarja e Parlamentit të Bullgarisë, znj. Tsetska Tsacheva së shpejti do ta vizitojë Kosovën.

 

Nga ana e saj, ministrja Tahiri e falënderoi znj. Grozdanova për angazhimet e parlamentit të Bullgarisë në mbështetje të Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit. Ajo siguroi që Kosova mbetet e përkushtuar në fuqizimin e bashkëpunimit në mes të dyja vendeve me qëllim avancimin e rrugës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian, NATO-së dhe Kombeve të Bashkuara. Ministrja Tahiri foli edhe për dialogun e Brukselit që zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë si kontribut për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë, të ruajtjes së paqes dhe promovimit të vlerave perëndimore si anëtarë potencial të familjes evropiane.

 

Në këto takime ministrja Edita Tahiri u shoqërua nga këshilltari i saj kryesor, Dren Zeka dhe ambasadori i Kosovës në Sofje, Shpend Kallaba.

Kthehu mbrapa

Shto koment