Kujt i takon Leka i Madh?

17.12.2013 (komentet: 0)

Pretendimet e studiueses italiane Lucia Nadin, se ka zbuluar një testament që dëshmon se Aleksandri i Madh “është pinjoll i farës ilire”, ka “sqaruar” dilemat e shumta se kujt i takon Aleksandri i Madh, që shpesh herë ka qenë temë diskutimi në mes të popujve të Ballkanit. Publicistët shqiptarë theksojnë se faktet shkencore disa herë e kanë dëshmuar se Aleksandri i Madh, ose siç njihet ndryshe Leka i Madh, ka prejardhje ilire.

 

Kujt i takon Leka i Madh?

Historiani dhe publicisti Jusuf Buxhovi, theksoi se testamenti i publikuar ditëve të fundit, i cili u zbulua nga studiuesja italiane Lucia Nadin, nuk është diçka e çuditshme. Sipas tij, historiografia e cila mbështetet në burime të antikitetit dëshmon se Aleksandri i Madh nuk ka qene grek, por gjenealogjia e tij familjare më së shumti e lidh atë me Ilirët.

“Nëse analizohen burimet antike, atëherë prejardhje e mbretërisë së Maqedonisë është nga e gjashta dorë e mbretërisë së dardanëve. Kjo është shumë e qartë. Mirëpo, këtu historiografia serbomadhe qëllimisht ka krijuar huti në botimet e tyre për historinë. Historianët maqedonas dhe ata serb i kanë trilluar tekstet e historisë, duke u përpjekur që maqedonasit ta përvetësojnë Aleksandrin e Madh. Unë kam vërejtje edhe për historianët institucionalë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, të cilët duhet që t’i korrigjojnë qëndrimet e tyre të gabuara se Leka i Madh ishte grek. Këtë lëshim të tyre më së miri mund ta shohim tek tekstet që përdoren nëpër shkollat tona, respektivisht te libri Historia e Popullit Shqiptar, i botuar në vitin 2002, e ku mbretëria e Maqedonisë shkëputet nga trashëgimia dardano-ilire. Veçanërisht, historiografia e autorëve të Shqipërisë në raport me Lekën e Madh është shumë vulgare”, ka thënë Buxhovi për Telegrafin.

Publicisti Kim Mehmeti theksoi se raporti i shqiptarëve me figurën e Aleksandrit të Madh ka qenë raport korrekt dhe objektiv, raport që duhet të jetë ndaj një figure që i ka rrënjët në lashtësi.

Ai ka theksuar se zakonisht në Ballkan të gjithë tentojnë që t’i përvetësojnë figurat historike, duke treguar se e kanë një hero të tyre të rëndësishëm.

“Fatmirësisht, shqiptarët gjatë historisë së tyre asnjëherë nuk kanë përvetësuar pa të drejtë heronjtë, sepse çdo here si popull kemi pasur heronj të shumtë në historinë tonë kombëtare. Nëse vërtetohet përmes zbulime shkencore se Aleksandri i Madh ka rrënjë shqiptare, kjo duhet të na bëjë të ndjehemi krenarë”, ka thënë ai për Telegrafin.

Mehmeti, duke folur për raportin në mes të Republikës së Maqedonisë dhe historiografisë, tha se përmendoret te cilat gjendjen ne Shkup pothuajse të njëjtat i gjen në Athinë, Sofje dhe gjetiu, për shkak se maqedonasit vazhdimisht përvetësojnë heronjtë.

Ndryshe, studiuesja e shquar italiane Lucia Nadin ka zbuluar një testament të Aleksandrit të Madh në të cilin ai i drejtohet popullit të Shkodrës duke ju dhënë atyre një territor në administrim si dhe duke ju drejtuar me fjalën se ai është “pinjoll i farës së ilirëve”.

Dokumenti është publikuar këto ditë nga studiuesja italiane e cila ka bërë një hulumtim për Aleksandrin e Madh.

Në letrën e dërguar shkodranëve, Aleksandri i Madh shkruan: “Unë Aleksandri, bir i Filipit, mbretit të maqedonasve, mishërim i monarkisë, krijues i Perandorisë Greke, biri i Zeusit, bashkëbisedues i Brahamanëve dhe i Pemëve, i Diellit dhe Hënës, triumfues mbi mbretëritë e Persëve e të Medëve, zoti i Botës prej ku lind dhe ku perëndon dielli, nga Veriu në Jug, pinjoll i farës së shquar të popujve Ilirikë të Dalmacisë dhe Liburnisë dhe të popujve të tjerë të së njëjtës gjuhë që popullojnë Danubin dhe zonën qendrore të Thrakës, u sjell dashurinë, paqen dhe përshëndetjet e mija dhe të të gjithë atyre që ndjekin sundimin e botës.

Duke qenë se ju gjithmonë me jeni treguar të besës dhe të fortë e të pathyeshëm në betejat e bëra krah meje, u jap dhe u dorëzojë juve në zotërim të lirë gjithë hapësirën e Akuilonit e deri në skaj të Italisë së Jugut. Askush tjetër, veç jush, të mos guxojë të vendoset dhe të qëndrojë në ato vende. Dhe, po u gjet ndonjë i huaj, ai do të mund të qëndrojë vetëm si skllavi i juaj, dhe pasardhësit e tij do të jenë skllevër të pasardhësve tuaj.

U shkrua në Kështjellën e qytetit të Aleksandrisë, themeluar prej meje buzë lumit madhështor të Nilit në vitin XII. Me vullnet të perëndive që nderohen në mbretëritë e mia, Zeusit, Marsit, Plutonit dhe Minervës, perëndisë së perëndive. Dëshmitar të këtij akti janë Atleti, logotheti im, dhe 11 princa të tjerë, të cilët unë po i emërojë si trashëgimtarë të mi dhe të të gjithë Botës, meqenëse po vdes pa lënë pasardhës” (testamenti është zbuluar dhe përkthyer nga studiuesja italiane Lucia Nadin, të cilin ajo e ka paraqitur në hulumtimin shkencor, “Statuti de Scutari, della prima meta del secolo XVI con le addizioni fino al 1469”, e cura di Lucia Nadin, giogno 2002, Romë)

Më poshtë mund t’i lexoni qëndrimet e disa studiuesve, shkrimtarëve, të cilët e dëshmojnë prejardhjen ilire të Aleksandrit të Madh.

Rose Wilder Lane, shkrimtare e studiuese amerikane e njohur në të gjithë botën, në vitin 1920 ka vizituar Shqipërinë e veriut dhe pastaj ka shkruar librin “Majat e Shalës”, ku ndër të tjera shpjegon se “Aleksandri i Madh ishte nga Mati (nga babai) dhe kur u rrit shkoi ne Maqedoni”. Lane, në bisedë e sipër me një malësor, tregon se si ai (malësori) duke folur për figurën e Aleksandrit të Madh, rendit brezat paraardhës të tij: Karana, Cenua, Trimi, Perdika, Argua, Filipi, Ajeropi i cili u bë dhe mbreti Dare i Maqedonisë dhe kishte këta pinjollë: Alqeti Leka , Arminti, Perdika i Dytë, Arqelloja i Dytë, Oresti, Leka i Dytë, Filipi i Dytë dhe Leka i Madh (i biri Filipit dhe Olimbisë) që njihet me emrin Aleksandri i Madh i Maqedonisë.

Profesori Edvin Jasques, duke folur për vetitë e shqiptarëve dhe lidhjen e tyre me Aleksandrin e Madh, thotë se "ilirët ose shqiptarët, këta bijë të paepur, ishin luftëtarë të shqipes, trashëgimtarë të denjë të Akilit, Filipit, Aleksandrit të Madh dhe Piros së Epirit...".

Edit Durham, shkrimtare britanike që u bë e famshme për shkrimet e saj antropologjike rreth jetës në trojet shqiptare, në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit të XX, ka thënë se Leka i Madh, pa dyshim ishte shqiptar”.

Studiuesi francez Robert D’Angely, i njohur për hulumtimet e tij shumëvjeçare për dhe rreth shqiptarëve thekson se “gjeneralëve të vet, Leka iu drejtua në gjuhën amtare, pellazge ose shqipe”.

Ndërsa, Straboni ka thënë “Maqedonia më përpara quhej Emathia”, sipas Emathit. Shumë historianë fjalën Emathia e zbërthejnë me gjuhën shqipe si “i madh”. Emrin tjetër më vonë e mori nga një udhëheqës i vjetër, që quhej Macedon. Sipas Strabonit, këtë vend e sundonin disa nga fiset epirote dhe ilire. Pak a shumë të njëjtën gjë thotë historiani romak, M. Iuniani Iustini, e po ashtu Plini. /Telegrafi//

Kthehu mbrapa

Shto koment