Ku ndodhen Ishujt e Deleve?

03.05.2014 (komentet: 0)

Ishujt e deleve janë në Evropë, por jo në Bashkimin Evropian, nuk janë ekzotike dhe kanë fare pak diell. Janë të varfra me vegjetacion, delet shihen në çdo hap ndërsa moti është gjithnjë me shi, i zymtë dhe një pjesë e popullsisë vuan nga depresioni.


 

 

 

 

  Shkruan : Ismet Azizi

 

Ishujt janë të vendosura në mes të Atlantikut të Veriut dhe Detit të Norvegjisë, i përkasin Mbretërisë së Danimarkës, dhe përbëjnë  një arkipelag prej 18 ishujve të mëdha.

Me vite të tëra, kanë qenë ngushtë të lidhura me Islandën me Ishujt  Shetland, Ishujt Orkan, Hebridet dhe Grenlandën. Ishujt fqinjë  janë të ngjashme për nga madhësia dhe popullsia , madje mund të konsiderohet  se popullsia solidarizohet në mes veti, sepse vetëm ata e dinë se si jetohet duke qenë të  rrethuar nga oqeani i ftohtë .

Nga 18 ishujt, vetëm një është i pabanuar. Ishujt karakterizohen me  shpatie më  të  pjerrëta në Evropë dhe mungesë të vegjetacionit. Pika më e lartë mbi nivelin e detit, e të gjithë ishujve, është 882 metra .

Në hartë pothuajse nuk duken, ndodhen në gjysmë të rrugës në mes Norvegjisë dhe Islandës, ndërsa popullsia  sillet rreth 50.000 banorë. Shtëpitë kurrë nuk mbyllen me dry dhe njerëzit hyjnë në shtëpitë e njëri tjetrit  pa trokitur. Fëmijët luajnë  të lirë  në rrugë, vrasje nuk ka ndodhur që 24 vjet .

" Krimi " më i madh  që ka ndodhur në dekadat e fundit është zhdukja e një njeriu që është menduar të jetë një serb por më vonë doli se ishte kroat. Zhdukja e këtij njeriu ishte shokuese për të gjithë vendin .

Kultura e këtyre ishujve rrënjët i ka në kulturën e popujve nordikë. Ishujt kanë qenë të izoluar për një kohë të gjatë nga lëvizjet e rëndësishme kulturore  Evropiane. Prandaj, në një masë të madhe është  ruajtur kultura e tyre tradicionale.   

Kryeqytet  i  këtyre  ishujve  është Torshavn dhe ka një popullsi rreth 19,000 banorë. Emri në përkthim do të thotë  porti Tora që sipas  mitologjisë skandinave është Zoti i rrufesë.

Pothuajse të gjithë ishujt janë të lidhur me tunele nënujore dhe me ura, të cilët në masë të madhe e lehtësojnë  dhe e përshpejtojnë rrugën  për çdo pjesë të vendit. Deri në jug të ishujve,  të cilët nuk janë të lidhur me tunele, shkon trageti modern. Deri te ishulli më jugor nga kryeqyteti udhëtimi zgjatë dy orë.

Shiu dhe erërat e forta janë normale dhe të zakonshme. Koha është aq e paqëndrueshme sa  që brenda ditës mundë të paraqitën të katër stinët. Banorët zakonisht zgjohen me mot të  zymtë pothuajse çdo ditë, kështu që nuk është çudi që shumë prej tyre ndodhën nën  depresion ose me kalimin e kohës bëhen të varur  nga alkooli.

Alkooli është i ndaluar sipas fesë  Lutheriane dhe shitet vetëm në dyqane të specializuara. Çmimet e alkoolit dhe çdo gjë tjetër janë rreth tri herë më të shtrenjtë se në vendet ballkanike .

Sporti është pasioni i madh i të gjithë banorëve, pa përjashtim. Në radhë të parë, natyrisht, është futbolli, mandej në të dytin hendbolli. Garat në futboll dhe hendboll zhvillohen në dy sezona, vetëm e vetëm për të pasur mundësi me i përcjellë ndeshjet. Pra, ndeshjet e  futbollit zhvillohen nga prilli deri në tetor, ndërsa hendbolli  nga shtatori deri në muajin  prill.

Delet mund të shihen në çdo hap, dhe ato janë shenjë mbrojtëse e shtetit, bile janë pjesë e  stemës së shtetit. Kur banorët janë në gjumë, ato zënë rrugët dhe sillen ngjashëm me qentë tanë endacak. 

Fjala është për shtetin që ndryshe njihet me emrin Ishujt Faroe. Pra, bëhet fjalë për një shtet ishullor i cili ndodhet  në qendër  të Oqeanit Atlantik dhe emri i të cilit, i përkthyer në shqip, do të thotë  Ishujt e Deleve.  Natyra e veçantë dhe shumë karakteristike  është një nga arsyet që këta ishuj  janë bërë destinacion shumë i popullarizuar  turistik.

Ishujt Faroe janë një nga shtetet që kanë status  të përcaktuar në mënyrë specifike. Përndryshe është  rajon autonom i Mbretërisë së Danimarkës nga viti 1948. Me kalimin e viteve ishujt kanë  fituar  qeverisje autonome  me përjashtim të mbrojtjes dhe të punëve të jashtme. Prandaj, ky vend hyn në radhën e shteteve të pavarura të cilat nuk janë sovrane.

Pas Luftës së Dytë Botërore, një pjesë e popullsisë ishte shprehur për pavarësi nga Danimarka. Më 14 shtatorë të vitit 1946 janë mbajtur  zgjedhjet lokale që kanë pas për qëllim përcaktimin e statusit. Nuk  ishte referendum, sepse Parlamenti nuk është i detyruar t’i  përmbushë detyrimet ndaj qytetarëve. 

Në vend të pavarësisë u arrit  një kompromis, ku në  parlament u soll një ligj për qeverisje (autonomi), i cili hyri në fuqi në atë vit.

Kthehu mbrapa

Shto koment