Këshilli i Evropës diskuton për Kosovën

22.01.2013 (komentet: 0)

Korrupsioni, krimi i organizuar dhe niveli i ulët i zbatimit të ligjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, janë sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohet Kosova. Ky është konstatimi i raportit për Kosovën që do të paraqitet sot në Këshillin e Evropës në Strasburg nga anëtari i Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, Bjorn Von Sidow.

Raporti po ashtu thekson se liria e shprehjes në Kosovë mbetet në nivel shqetësues. Në raport thuhet se transmetuesi publik, Radio Televizioni të Kosovës nuk i është garantuar ende qëndrueshmëria dhe pavarësia financiare. 

Marrë parasysh këto sfida, raportuesi për Kosovën Bjorn Von Sidow pritet të kërkoj miratimin e një rezolute në të cilën si pikë do të ishte edhe vendosja e kontakteve të drejtpërdrejta ndërmjet Kosovës dhe Këshillit të Evropës. 

Para diskutimit të në asamble, pikëpamjet e tyre për raportin do të mund t’i paraqesin gjatë takimit në Komisionin për politikë të jashtme të Këshillit të Evropës edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, Hydajet Hyseni dhe Vjosa Osmani të cilët janë ftuar të marrin pjesë.

Këshilli i Evropës është organizatë pan evropiane që merret kryesisht me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. 34 nga 47 shtete anëtare të këtij institucione e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kthehu mbrapa

Shto koment