1500 POLICË PËR VIZITËN E VUÇIQIT NË TIRANË

26.05.2015 (komentet: 0)

Shqipëria po merr masa të forta sigurie për vizitën e kryeministrit të Serbisë nesër në Tiranë

Aleksandër Vuçiq do të mbërrijë paraditen e nesërme në Tiranë dhe do të qëndrojë për dy ditë, pasi të enjten do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës.

Por sot një ditë para vizitës e gjithë Policia e Tiranës dhe ajo e Shtetit është vënë në gatishmëri të plotë për të garantuar sigurinë e tij. Burime nga Policia bëjnë të ditur se po merren masa konkrete për të garantuar siguri, dhe nesër do të jenë të angazhuar rreth 1500 policë e gardistë; shërbimet inteligjente, si dhe drejtoria e antiterrorit në Policinë e Shtetit.

Po ashtu bëhet me dije se kryeqyteti do monitorohet nga helikopterë të ushtrisë. Por masa specifike sigurie do të ketë edhe për Ambasadën Serbe në Tiranë, e cila pritet të rrethohet nga shërbime policore të rendit, për të shmangur ndonjë incident të mundshëm.

Rrugët do të jenë të bllokuara totalisht.B llokimi i tyre do të nisë pas orës 10 e 40 minuta, kohë në të cilën Vuçiq mbërrin në kryeqytetin shqiptar. Po në këtë orë do të ketë edhe kufizim deri në bllokim të lëvizjeve në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës. Për këtë arsye Policia ka këshilluar qytetarët që duan të lëvizin drejt Durrësit në këtë orë, që të përdorin rrugën e vjetër e Ndroqit.

Dy rrugët që do të bllokohen totalisht përgjatë dy ditëve janë: “Ismail Qemali” dhe “Donika Kastrioti”. Po ashtu do të ndalohet parkimi në më shumë se 15 rrugë, duke filluar nga ora 12 e mesnatës së të martës.

Nga rruga e Rinasit, në Qafë Kashar, sheshi “Shqiponja”, rruga “Dritan Hoxha” në të dyja senset (hyrje-dalje), rruga e Durrësit, sheshi “Skënderbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Ismail Qemali”, rruga e Elbasanit deri te Pallati i Brigadave, ku do të bëhet edhe pritja e kryeministrit serb./kp 

Kthehu mbrapa

Shto koment