Destabilizimi i rajonit, interes serbo-bullgar

25.04.2012 (komentet: 0)

Ndezja e konflikteve ndëretnike në rajon është më shumë ide dhe interes i shërbimeve sekrete serbo-bullgare. Kjo nuk është interes i shqiptarëve. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve të sigurisë në vend

Përshkallëzimi i situatës së sigurisë në rajon, vlerësohet se po iniciohet nga qarqe serbe dhe bullgare, përmes propagandës së tyre me qëllime të caktuara. Kështu vlerësojnë njohës të rrethanave të sigurisë në vend. 

Policia e Kosovës ka hedhur poshtë konstatimet e mediumeve Maqedonase se mes kufirit Kosovë – Maqedoni ka grupe të uniformuara dhe të armatosura. Ekspertët e sigurisë në Kosovë vlerësojnë se shërbime sekrete bullgare dhe serbe janë të interesuara për destabilizimin e Maqedonisë për interesat e veta. 

Sipas kritikëve të sigurisë, kjo mund të interferohet edhe në Kosovë, por nuk ka vend për frikë, për shkak të mekanizmit ndërkombëtar të sigurisë që është i pranishëm në Kosovë. 

Me titullin “Maqedonia në kazanin kosovar”, e përditshmja maqedonase “Fokus”, të martën ka shkruar se në rajonin e Likovës dhe përgjatë kufirit Maqedoni-Kosovë, ka grupe të uniformuara dhe të armatosura. Këto grupe sipas gazetës i kanë parë edhe policia dhe me këtë janë të njohur instancat më të larta të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ish-ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Pavle Trajanov, për gazetën në fjalë ka thënë se sipas informatave që ka ai, përgatitet destabilizimi i Kosovës, pasi përgatitet marrja me forcë e Veriut të Mitrovicës.

 “Policia e Kosovës ka zyrtarët e saj policorë të mjaftueshëm në brezin kufitar që janë përgjegjëse për kontrolle kufitare dhe të njëjtit janë në numër të mjaftueshëm për të bërë kontrollin e nevojshëm. Policia deri tash nuk ka raportuar për ndonjë grup të uniformuar, apo personi ilegalë në kufi me Maqedoninë. 

Nuk kemi shtuar prezencën në kufi”, tha për “Lajm”, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani. Njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, mendon se konstatimi për të vënë kontrolle nëpërmjet forcës në Veriun e Kosovës nuk qëndron dhe se pretendimet për të destabilizuar Kosovën nëpërmjet intereferimeve nga Maqedonia nuk mund të gjejnë terren.

Kthehu mbrapa

Shto koment