Berisha: Fqinjë çlirohuni nga antishqiptarizmi! Kurti: Bashkim shqiptarëve!

09.07.2012 (komentet: 0)

Sot ne Tirane hapi punimet Konferenca Ndërkombëtare ‘Fqinjët e Shqipërisë”. Konferenca mblodh emra te shquar te politikes ne vendin tone dhe ne trevat ku jetojne shqiptare.

Konferenca u pershendet nga kreu i qeverise shqiptare qe dha disa mesazhe si dhe shume te tjere, ku spikati dhe fjala e kreut te Vetvendosjes, Albin Kurti. Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot që fqinjët e shqiptarëve të çlirohen njëherë e mirë nga doktrina antishqiptare dhe të punojnë së bashku për një qëllim, integrimin e rajonit në Bashkimin Europian. 

“Gjithmonë ka ekzistuar frika nga shqiparët. Vite më parë, një fondacion amerikan bëri një punë të shkëlqyer, dhe lidhja Flaka organizoi një seri workshopesh, seminaresh për shqiptarët dhe fqinjët e tyre saqë zgjoi xhelozi tek fqinjët, por këto janë realitetet. Dhe kjo sepse shqiptarët janë një komb. ... Asnjë komb në të shkuarën nuk ka përjetuar padrejtësira dhe dhimbje të mëdha sa kombi ynë, por është kombi që mbështet më shumë integrimin në BE si të ardhmen më të mirë për të. Arritjet e shqiptarëve janë madhore dhe historike, por përsëri rrugë është për t’u bërë dhe përshkrimi i kësaj milje drejt BE ka një rëndësi të madhe, drejt NATO për Kosovën dhe Maqedoninë e Malin e Zi, ka rëndësi të madhe për cdo shqiptar, po ashtu edhe clirimi i fqinjëve tanë nga doktrinat e vjetra raciste, ksenofobiste antishqiptare”- tha Berisha.

Kryeministri shqiptar solli në kujtesë një moment kur ishte fëmijë dhe pa skenën sesi ushtarët në kufi perpiqeshin të vrisnin një bari sepse i kishin ikur delet jashtë kufirit. Sipas Berishës ajo skenë në vitet ’50 ishte e ngjashme me skenat gjatë zgjedhjeve serbe në Presheve, duke shtuar se kjo skene ngjante me ekspeditat e Milloshevicit kundër shqiptarëve të bazuara në frikën dhe urrejtjen ndaj tyre. 

Më pas kreu i qeverisë theksoi se është e domosdoshme që shqiptarët të rikuperojnë ndasitë e tyre duke bërë që kufijtë mes tyre të jenë më pak të rëndësishëm. 
‘Shqiptarët të angazhohen për projektet e tyre sepse këto projekte ngado të ndërtohen janë rajonale, i shërbejnë jo vetëm fqinjësisë, por fqinjësisë rajonale në përgjithësi, por janë maqedonasit, janë serbët janë gjithë kombet e rajonit. Duhet përparësi e madhe në projektet rajonale, jo të mbahen të distancuar shqiptarët nga njëri-tjetri, por të bëhet gjithcka që kufijtë të jenë sa më të parëndësishëm. Shqiptarë kanë arsye të kenë një dialog konstant në interesin më të mirë, një debat konstant të vlerave të përbashkëta që ata ndajnë.”

Pas kritikave antishqiptarizëm, Berisha nuk la pa përmendur dhe bashkëpunimin fqinjësor.
“Shqipëria bashkëpunon ngushtë me fqinjët në luftën kundër kriminalitetit, për vendosjen para drejtësisë së kriminelëve, por nuk pranojnë skena të atilla”- tha ai. 

“Edhe bashkëpunimi ndërshqiptar në rrafshin ekonomik mund të shndërrohet sërish në një faktor të rëndësishëm të zhvillimit rajonal”, tha Berisha, duke shtuar se, “shqiptarët janë sot të lirë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi dhe kanë një projekt madhor për të ardhmen e tyre. 

Sipas Berishes, shqiptarët kanë 1 mijë e një arsye për të pasur një dialog konstant, një debat konstat të vlerave të përbashkëta kombëtare që ata ndajnë. 'Kultura është e një rëndësie të jashtëzakonshme dhe burimi kryesor është bashkëpunimi kulturor i cili ushqen indentitetin e një kombi. Asnjëherë ne nuk kemi pasur probleme me identitetin, por ai duhet të kurohet dhe të trajtohet dhe rruga më e sigurtë është ajo kulturore. Në këtë kontekst bashkëpunimi ndërkulturor është një kusht i rëndësishëm për të sotmen dhe të ardhmen e tyre”, theksoi me tej Berisha.

Kryeministri vuri ne dukje se bashkëpunimi fqinjësor mbi të gjitha ka një qëllim të përbashkët, integrimin. 
“Nëse duan të ardhme të përbashkët duhet të clirohen nga frika e tyre në interes të shqiptarëve dhe kombeve të tyre. Shqipëria mbetet e angazhuar për bashkëpunim të ngushtë tërësisht shqiptar e rajonal dhe se ky bashkëpunim ështtë kusht për integrimin në BE”. 

Albin Kurti

Kryetari i Vetvendosje, Albin Kurti përshëndeti punimet e konferencës ndërkombëtare ‘Fqinjët e Shqipërisë’ duke theksuar se këto 2 shtete nuk janë dy shtete fqinje. 
“Shqipëria dhe Kosova për mua nuk janë shtete fqinj. Kur unë vij në Shqiperi nuk ndjehem si mysafir”. 
Sipas Kurtit bashkimi kombëtar i shqiptarëve është i pashmangshëm. 
Majko
Ish-kryeministri dhe deputet i Partisë Socialiste, Pandeli Majko kërkoi të hënën rritjen e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit mes vendeve fqinje të rajonit të Ballkanit. 
"Ne na nevojiten panele ku të ftojmë edhe ministra të Jashtëm të vendeve fqinje, t'i bëjmë pyetje, të diskutojmë e të mirëkuptohemi me njëri-tjetrin se si po rrjedhin gjërat dhe në fund të korrigjojmë veten nëse kemi gabime në marrëdhënie me të tjerët", u shpreh ish-kryeministri Majko, gjatë fjalës së mbajtur në punimet e konferencës "Fqinjët e Shqipërisë", i organizuar nga Instituti për Studime Bashkëkohore. 
Ai tha se megjithë "pikëpyetjet dhe pikëçuditjet shumë të rëndësishme, e vërteta edhe historike, është se ne jemi akoma shumë të komplikuar brenda vetvetes". 
"Jam shumë optimist se mënyra të tilla takimi janë të vlefshme për të ngjallur debat, por e rëndësishme është t'i themi njëri-tjetrit që jemi këtu. Ne mund të themi se shqiptarët janë kudo të lirë, por jo, nuk janë kudo të lirë. Në Preshevë statusi i shqiptarëve nuk është statusi i njerëzve të lirë; në Mal të Zi kemi ende probleme; në Maqedoni falë fleksibilitetit të shqiptarëve kemi një qeveri të qëndrueshme dhe këto duhet t'i themi", theksoi ndër të tjera Majko në fjalën e tij në konferencë. 

Artan Hoxha 
Drejtuesi i Institutit të Studimeve Bashkëkohore, Artan Hoxha deklaroi gjatë Konferencës me temë "Fqinjët e Shqipërisë'", zhvilluar sot në Tiranë se, "ne ndajmë vlerat bazike të shoqërive perëndimore, sepse besojmë se i takojmë asaj shoqërie dhe jemi pjesë e saj". 

Duke vënë në dukje vlerat e popullit shqiptar, Hoxha tha se, "ne besojmë tek paqja, stabiliteti, demokracia besojmë tek të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave, besojmë tek nisma e lirë dhe tregu i lirë, besojmë tek lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe ideve". 

Ali Ahmeti
Kreu i BDI, parti shqiptare ne Maqedoni, Ali Ahmeti ne fjalen e tij kerkoi qe te zbatohet marrveshja e Ohrit. 'Per shqiptaret e Maqedonise ka rendesi te zbatohet Marreveshja e Ohrit". 

Suzana Aliu

Nënkryetarja e Kuvendit të Maqedonisë, Suzana Saliu tha sot në konferencën "Fqinjët e Shqipërisë" se "integrimi i rajonit në Bashkimin Europian dhe NATO do të përçojë stabilitetin në rajon". 
"Ndër segmentet kryesore të bashkëpunimit rajonal patjetër duhet të jetë bashkëpunimi ekonomik, i cili duhet të intensifikohet më shumë. Duhet të thellohet më tej bashkëpunimi tregtar dhe ekonomik dhe përshpejtimi i realizimit të projekteve të përbashkëta aktuale në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe energjetikës, në kuadër të korridorit të 8-të dhe lidhjeve hekurudhore", theksoi Saliu. 
Nënkryetarja e Kuvendit të Maqedonisë, Suzana Saliu, u shpreh se, "gjatë vizitës në Shqipëri disa ditë më parë ministri i Ekonomisë i Maqedonisë promovoi idenë dhe intensifikimin e bashkëpunimit tregtar sipas modelit të vendeve të Beneluksit, në të cilin do të përfshiheshin Republika e Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Mali i Zi". 
"Kjo ide tashmë është duke qarkulluar si debat në Maqedoni, por derisa nga shqiptarët e Maqedonisë kjo shikohet si mëse e nevojshme, opinionet e qytetarëve maqedonas janë të ndara", theksoi ajo, duke shtuar se është më rëndësi fakti se në Republikën e Maqedonisë po zhvillohen debate për gjithçka. 
Nënkryetarja e Kuvendit të Maqedonisë tha se, "angazhimet e vendeve të rajonit për bashkëpunim dhe zhvillim të mëtejshëm të marrëdhënieve të mira fqinjësore është nxitje kryesore që kontribuon në paqen, stabilitetin dhe prospertitetin e vendeve tona". 
"Shqiptarët e Maqedonisë i japin zemër dhe i çojnë përpara këto procese", përfundoi Saliu.

Basha
Kreu i Bashkisë se Tiranës, Basha, deklaroi se, bashkëbisedimi i hapur për tema si roli i shqiptarëve në Ballkan sot, marrëdhëniet e tyre në fushën e kulturës, arsimit, tregtisë, etj, do të ishte i rëndësishëm. 
"Cili është roli i shqiptarëve në Ballkan sot, kur pozita e tyre e transformuar brenda një kohe të shkurtër, si kurrë më parë, me Shqipërinë që feston këtë vit 100 vjetorin e pavarësisë, anëtare e Natos dhe me hapa të sigurtë drejt Bashkimit Evropian, me Kosovën e pavarur, me shqiptaret e maqedonisë 11 vjet pas marrëveshjes së Ohërit, me një bilanc që jam i sigurtë që do të bëhet sot.Ç'farë mund të përmirësojmë më tej në fushën e bashkëveprimit ekonomik, bilanceve tregtare mes njëri- tjetrit dhe aftësisë për të nxitur prodhimin dhe ekonominë e re, si një nga format kryesore të punësimit dhe mirëqënies. Ç'farë po bëjmë në fushën e arsimit, kulturës, fusha ku ajo që na bashkon si komb, gjuha dhe ndërgjegjësimi për historinë e përbashkët e bëjnë më të lehtë bashkëveprimin", u shpreh Basha. 
Për kreun e Bashkisë së Tiranës, Basha, "një bashkebisedim i hapur dhe pa komplekse, do të ishte një hap i mirë, me përfitues jo vetëm të gjithë ata që përfaqësojmë në këtë dhomë, por edhe me një përfitim të drejtëpërdrejtë për qytetin e Tiranës, qytet që është rritur me ritme të jashtëzakonshme këto 20 vitet e fundit, që po ashtu përballet me probleme dhe sfida që kërkojnë përgjigje". 

Kthehu mbrapa

Shto koment