Ban adreson kritika ndaj bashkësisë ndërkombëtare

08.08.2012 (komentet: 0)

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së , Ban Ki-moon, ka bërë vërejtje për mungesë uniteti brenda bashkësisë ndërkombëtare lidhur me Kosovën.

Kështu thuhet në raportin e tij të përgatitur për mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit kushtuar Kosovës që do të mbahet me 21 gusht, njoftojnë mediat e Beogradit.

Sekretari Ban Ki-moon ka adresuar kritika serioze ndaj bashkësisë ndërkombëtare lidhur me raportet e Kosovës dhe Serbisë, thuhet në raport.

Vërejtja më serioze bëhet, siç thuhet aty, për shkak të mungesë së një konsensusi të gjerë brenda bashkësisë ndërkombëtare dhe ky fakt sipas raportit, vështirëson shumë arritjen e kompromiseve të domosdoshme mes palëve në procesin e zgjidhjes së problemeve midis Kosovës dhe Serbisë, citohet Ban Ki-moon.

Sipas mediave serbe të Beogradit të cilat thonë se kanë pasur qasje në raportin e Ban Ki-moon, ky i fundit bën vërejtje edhe për politikat për kthimin e minoriteteve në Kosovë.

Në raport, sipas tyre, citohen të dhënat e Komisariatit të lartë për refugjatë sipas të cilave në tre muajt e fundit në Kosovë janë kthyer vetëm 131 persona, mes tyre 45 serbë, pesë romë, 36 ashkalinj dhe egjiptian, 27 goranë, 12 boshnjakë dhe dy shqiptarë, që është përgjysmë më pak se vitin e kaluar.

Si arsye përmenden incidentet që kanë ndodhur në Kosovë, si ai në Talinoc të Ferizajt, ku janë vrarë dy serbë si dhe kërcënimet që kanë marrë banorë serbë të kthyer në disa fshatra të komunës së Klinës.

Po sipas informacioneve të mediave serbe, me 21 gusht në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit pritet që Rusia të akuzojë Kosovën se është përzier në çështjet të brendshme të Libisë dhe Sirisë, siç thuhet aty, për gjoja trajnimin e rebelëve opozitarë nga këto dy vende.

Kthehu mbrapa

Shto koment