Auron Tare: Në shtator, aksion për bregdetin

21.08.2013 (komentet: 0)

Deputeti i Partisë Socialiste, Auron Tare, konfirmon se në muajin shtator qeveria e re do të nisë aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në bregdetin shqiptar.

Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Tare thekson se këtij aksioni do t’i paraprijë krijimi i autoritetit shtetëror të bregdetit, një njësi operative që do të merret ekskluzivisht me problemet e shumta që ka bregdeti shqiptar.

 

 

 

Sipas Tares, puna nuk do të fokusohet vetëm te prishja e ndërtimeve, por dhe tek elemente të tjera të rëndësishme, siç janë mbrojtja e pronës publike në bregdet, ruajtja e karakterit të saj natyror dhe vënia e saj në dispozicion të publikut. Sipas Tares, çështja e bregdetit duhet të trajtohet si një çështje e rëndësisë kombëtare, transmeton Tch.

Deputeti socialist thekson se ai e vlerëson nismën e kryeministrit të zgjedhur, Edi Rama, për t’u dhënë mundësi qytetarëve që të jenë pjesë e mbrojtjes së bregdetit përmes denoncimeve të tyre. Tare siguron se dhe qytetarët skeptikë për këtë proces do të kenë mundësi të shohin se qeveria e re do t’ia arrijë t’i japë fund njëherë e mirë zaptimit të bregdetit shqiptar.

Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, menjëherë sapo fitoi zgjedhjet e 23 qershorit vendosi si prioritet çështjen e sistemimit të bregdetit dhe pastrimin nga ndërtimet pa leje. Gjatë fushatës elektorale, Rama lançoi idenë e krijimit të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, e cila, së bashku me Agjencinë e Pronave, do të jenë dy nga institucionet më aktive në vënien në jetë të programit të Rilindjes.

Deputeti aktual i PS-së, Auron Tare, mandati i të cilit mbaron më 9 shtator, edhe pse nuk u përfshi në listën e parlamentit të ri, pritet të jetë një nga njerëzit e rëndësishëm të ekzekutivit të ri, sipas gjasave në fushën ku ai është kompetent.

Tare ka një eksperiencë të rëndësishme bashkëpunimi me Edi Ramën, në fund të viteve ‘90, kur kryeministri i ri, mbante postin e ministrit të Kulturës. Auron Tare menaxhoi projektin e ringritjes së parkut arkeologjik të Butrintit dhe për disa vite ishte një nga njerëzit kryesor të menaxhimit të trashëgimisë kulturore të vendit. /Telegrafi/

Kthehu mbrapa

Shto koment