Pesë muaj burg për shqiptarin që dogji flamurin maqedonas

22.06.2012 (komentet: 0)

Gjykata Themelore e Strugës dënoi sot me pesë muaj burg Mynir Ismailin nga Struga për shkak të djegies së flamurit maqedonas, informon agjencia e lajmeve INA.

Menjëherë pas kumtimit të vendimit, Mynir Ismaili ka theksuar se gjykata ka sjellë një vendim politik, pasi që ai është qytetari i vetëm që është dënuar për akte të tilla. 

“Ky është vendim politik, sepse jam i vetmi qytetar i Maqedonisë që dënohem për këtë akt, që konsideroj se politika ka hyrë shumë thellë edhe në gjyqësi. Kam bindjen se gjatë ankimimit të këtij vendimi do të vlerësohet drejt veprimi im dhe besoj se do të lirohem nga kjo akuzë e rëndë e aq më tepër si rast unik në Maqedoni që të dënohem për vepër që nuk e parasheh dispozita e Kodit Penal”, theksoi strugani i dënuar. 

Avokati i tij mbrojtës, Artim Islami theksoi se vendimi është i papranueshëm dhe se ai do të bëjë ankesë në instancat e tjera gjyqësore të vendit, madje deri në Gjykatën e drejtësisë në Strasburg.

Mynir Ismaili, 47 vjeçari nga fshati Shum i Strugës, më 23 janar të këtij viti i vuri flakën flamurit maqedonas para objektit të Komunës në Strugë, në shenjë revolte kundër fyerjeve dhe akteve antishqiptare të maqedonasve në ndeshjet sportive, me ç’rast qenë djegur flamuj shqiptarë dhe qenë brohoritur parulla antishqiptare. 

Akuza ndaj tij ka të bëjë me vepër për nxitje të urrejtjes ndërnacionale, ndërfetare dhe kundër simboleve. Ky është rasti i parë që një qytetar i Maqedonisë dënohet për vepër të tillë, derisa dhjetëra maqedonas, kryesisht tifozë të njohur të klubeve maqedonase nuk kanë marrë dënime pas shumë akteve vandale të djegies së flamurit shqiptar dhe thirrjeve raciste antishqiptare. 

Kthehu mbrapa

Shto koment