Kërkesa e Serbisë, autonomi territoriale për veriun

03.11.2012 (komentet: 0)

Temat që do të gjenden në tryezën e dialogut në Bruksel më 7 nëntor do të jenë financimi i institucioneve serbe në Kosovë, realizimi i marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit, trashëgimia fetare e kulturore, merr vesh media serbe. Autoritetet e Serbisë gjatë bisedimeve të ardhshme do të insistojnë që veriu i Kosovës të fitojë autonomi territoriale, tha një burim i gazetës Blic, duke shtuar se përmbushja e marrëveshjes për kalimet kufitare do të duhej të fillonte në muajin dhjetor, kur Këshilli Evropian do të mund të vendoste që Serbisë t’ia japë vendimin me kusht për datën e negociatave për anëtarësim të Serbisë në BE.

Sipas këtij burimi nga “qarqet diplomatike”, as nga Beogradi e as nga Prishtina nuk kërkohet në këtë moment realizimi i plotë i marrëveshjes së arritur.
Tash për tash ekziston propozimi që parasheh dy pilot projekte, nga të cilët një do të ishte në veri të Kosovës, kurse tjetri në Dheun e Bardhë apo në Merdare.
Sipas njohurive të kësaj gazete, parim themelor i platformës serbe për bisedime me Kosovën janë: statusi i komunitetit serb, s’ka biseda për pavarësinë e Kosovës dhe domosdoshmëria e integrimeve evropiane të Serbisë.

Kthehu mbrapa

Shto koment