Ndodhi në ditën e sotme, 2 dhjetor

02.12.2013 (komentet: 0)

'Me datën 2 dhetor 1947, plotësohet dosja për Gjykatën Ushtarake: “Për faje kundër shtetit dhe popullit”:



Grupi përbahet nga: 

1. Gjelosh Vat Maçi, 37 vjeç, Traboin - Jugosllavi,
2. Gjon Luc Leka, 25 vjeç, Shkodër,
3. Mustafa Jakup Vodaj, 48 vjeç, Shkodër, furrtar,
4. Pjetër Prendush Pali, 32 vjeç, Hot, Jugosllavi,
5. Rrok Gjok Luli, 37 vjeç, Shkodër,
6. Pjetër Gjok Luli, 43 vjeç, Shkodër,
7. Tom Lec Marku, 25 vjeç, Shkodër.

Motivi i dënimit përcaktohet pothuej plotësisht nga prokurori i Shkodrës, Zurdi Shehu. Gjykata Ushtarake e Shkodrës, e përbame nga: Kryetari, Misto Bllaci, antarë P. Alizoti dhe A. Koroveshi, prokuror Namik Qemali dhe sekretar Shaban Q. Dautaj, zhvillon gjyqin tue u bazue kryesisht në proçes-verbalin e ballafaqimit ba me dt. 18 nandor 1947, në Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës nga oficeri Ali Xhunga:
Gjon Leka para Pjetër Palit: Më ka thanë se pa tjetër do të bahet luftë se do të vijnë anglezët, do të këthehët Zogu, se komunistët nuk i donë të huejt etj...
Mustafa Jakupi: Kemi ba mbledhje, Pjetri na diftonte çka thonë në radio, kemi pritë se vijnë anglezët, prandej edhe kemi krijue nji grup që na drejtonte Pjetër Pali. Ai ishte i lidhun me ata që kanë organizue edhe përpjekjen e 9 shtatorit...

Gjelosh Vata: Pjetrin e kam takue me anglezët dhe i kam çue letra, sa njenës palë sa tjetrës.

“Pjetër Pali mbasi dëgjoi Mustafa Jakupin, Gjon Lekën dhe Gjelosh Vatën tha: Thanjët e Mustafa Jakupit nuk janë asnji të vërteta. Përsa i përket thanjes së Gjelosh Vatës, për anglezët janë të vërteta dhe, se kam përcjellë Lin Dedën, por jo se kam marrë pjesë unë. Kam marrë nji letër prej Gjeloshit, me ia dhanë L. Dedës me pseudonimin “Paloka”, nji paketë me trakte dhe disa karikatura të klerit. Përsa i përket Gjon Lekës nuk asht e vërtetë të kemi folë njiherë me té, përveç, njiherë që e gjeta në klubin e nëpunësve me Gjelosh Vatën, kushrinin tem. Aty më diftoi se jam me punë në Seksion të Punëve të Mbrendshme e tue qeshë më tha, rri mirë, se kam në dorë me të ba keq! Nuk asht e vërtetë të kemi bisedue për shënime për mue, por ai më tha, se prof. Syrri Anamalit nuk i kishte lëshue nji çertifikatë mirësjellje.
Për akuzat tjera që më bajnë: Gjelosh Vata, Gjon Leka dhe Mustafa Jakupi, nuk janë asnji të vërteta.”

Deklaruesi: Pjetër Palaj d.v. Oficeri: Ali Xhunga d.v.


Para Trupit Gjykues Pjetër P. Pali tha:
“Akuza nuk asht e vërtetë, nuk kam kenë antar i Legalitetit, por, simpatizues. Me majorin anglez jam takue. Kur erdhi fashizmi ishe mësues. Edhe mbas çlirimit ishe prap mësues. Lidhje me njeri nuk kam pasë dhe, as nuk kam bisedue, por lajmet e radios i kam ndigjue. As propagandë për të pregatitë terrenin kundër Pushtetit nuk kam ba. Unë para se të hyjshe në punë, ishe i pakënaqun, por kur u emnova ishe i kënaqun...
Me këta që ndodhen para gjyqit nuk kam ba bisedime.
Gjelosh Vatën njiherë e kam takue, ku, Gjoni më ka thanë se kam në dorë me të ba keq!
I pandehuri Gjon tha, se më pyeti për biografinë e tij.
I pandehuri Pjetër tha se nuk asht e vërtetë. Në furrë tek Mustafa nuk asht e vërtetë. Në ballafaqim kam ba, por, nuk asht e vërtetë.
I pandehuri Gjelosh tha se disa janë të vërteta, disa jo, që janë thanë në ballafaqim.
I pandehuri Mustafë tha se ballafaqimi ka qenë me shtërngesë, unë nuk kam qenë armik i Pushtetit.
Foli prokurori Namik Qemali dhe dha prëtencën. Pastaj folën të pandehurit:
Pjetër Pali tha: Përsa akuzohem s’dij gja. Jam hjellë në krah të pushtetit. Nuk kam kenë agjent i Inteligent Servisit, as nuk kam punue kundër pushtetit. Punën teme e din Fronti (Spiro Pano).
Rrok Luli tha: Kërkoj mëshirë, e pranoj fajin.
Tom Leci tha: Rrnoftë Shqipnia e Trupi gjykues.
Mustafa Jakupi tha: Kërkoj mëshirë, jam fajtor.
Pjetër Gjok Luli tha: Kërkoj mëshirë se nuk kam ba gja. Pjetër Pali nuk na ka drejtue, as nuk kemi organizue kundër Pushtetit.
Gjelosh Vata tha: Kërkoj mëshirë se jam fajtor.
Gjon Leka tha: Kërkoj mëshirë se jam fajtor.”

Të dënuemit me vdekje kishin të drejtë me ba një kërkesë për “falje jete”, e cila përcillej nga organët e Seksionit të Punëve të Mbrendshme, në ndonjë rast nga gjykata, avokati ose ndonjë familjar. Kuptohet, një formalitet sa me thanë se u shqyrtue edhe ma nalt. Kjo kërkesë dorëzohej në Degën e Mbrendshme, mbasi përcillej prej saj. Sigurisht, përveç, dokumentacionit shoqnues të dosjës së hetuesisë, dërgohej edhe një relacion nga kryetari i gjyqit, shpesh nga prokurori i rrethit ose i gjyqit dhe, kur ishte fjala me e çue tjetrin në plumb, relacioni bahej nga Kryetari i Degës së Mbrendshme, si në rastin e Pjetër P. Palit.
Kur lexova në fillim të hapjes së gjyqit listën emnore të grupit, më bani përshtypje pse vetëm Mustafa Jakupi, kishte të shënuem profesionin “furrtar”, gja të cilin tjerët nuk e kanë! Arësynë e kuptova vetëm në fund të mbylljes së çështjes, gja që keni me e kuptue edhe ju!
Seksioni i Sigurimit të Shtetit Shkodër, dërgon për shqyrtim në Gjykatën e Naltë vendimin e Gjykatës Ushtarake të Shkodrës, dhënë më dt 2dhetor 1947, për të pandehurit:

“1. Pjetër Prendush Pali dhe 2. Mustafa Jakup Vodaj, me vdekje, me pushkatim...
Akuza e Pjetër Palit, ka qenë antar i Partisë Fashiste nga të parët. Ka urryer Lëvizjen Nac.Çl. dhe sidomos P.K.Sh. I ka luftuar me çpifje e poshtërsi... Ka qenë antar i organizatës trathtare të Legalitetit në kohë të gjermanve, ka punuar për të dhe është qenë në lidhje me eksponentë në Shkodër si Lin Deda, Llesh Marashi e Daut Kombi, ku bashkë me ta, është takuar me kol. anglez Neill... Mbas çlirimit, me aktët e tij reaksionare vazhdon takime me Legalitetin e elementë të pakënaqur dhe kështu mendon t’i organizojë...
Ka formuar një grup kundërshtar me Gjelosh Vatën, Gjon Lekën, Tomë Lecin dhe Mustafa Jakupin, ku kanë diskutuar çështje me karakter politik kundër Pushtetit... Kanë komentuar lajmët e radiove, duke paraqitur gjëndjen e turbullt dhe plasjen e një lufte të re botrore, që kjo do të përfundojë në favor të Anglo-Amerikanve...
Ka qenë përgjegjës i grupit të sipërm ku pjestarët i ka udhëzuar mbi punën që do të zhvillojnë kundër Pushtetit të sotëm, të cilin do ta rrëzojnë me violencë.
Ka udhëzuar antarët e grupit për të punuar në prëgatitjen e Përpjekjes së 9 shtatorit 1946, ku dhe vetë ka punuar në këtë drejtim...

Kryetari i Seksionit të Mbrendshëm d.v. (firma)

“Gjykata e Naltë Ushtarake Tiranë e mbledhur sot më dt. 6 mars 1948, e përbërë nga Kryetari, major Niko Çeta, antarë kap. I Nexhat Hysejni dhe Kap. I Mustafa Iljazi, prokuror kap. Nevzat Hasnedari dhe kryesekretar Thoma Rino, vëndosi:
Aprovimin e vëndimit 457 dt. 2 dhjetor 1947, ME VDEKJE për PJETËR PRENDUSH PALIN, dhe modifikimin me privim lirije, përjetë për Mustafa Jakup Vodaj.
Vendimi është i formës së prerë.”
Pjetër P. Pali u ekzekutue më 11 mars 1948, në Zallin e Kirit në Shkodër, me Prelatët e Klerit Katolik. Pse u pushkatue me këtë grup? Krytari i Gjyqit, Misto Bllaci, vlleh, shënon disa herë:
“Të pandehurit Pjetër Pali dhe Rrok Luli, kanë qenë të lidhur me Komitetin Organizativ klandestin të Shkodrës, me anë të Klerit Katolik, të cilët e mohuan para gjyqit. (Dosja1251, fq. 7).
... Kanë marrë letra prej Gjelosh Lulit, me ia çue Cin Serreqit, e ky Françeskanëve...
Në mbledhjen e parë kanë caktuar si kryetar Pjetër Palin dhe sekretar Rrok Lulin. Direktivat e grupit i jepte Pjetër Pali... Ai i merrte direktivat nga Organizata terroriste Demokristjane në fillim, pastaj nga Komiteti i Përbashkët për Shkodrën...” 
Misto Bllaçi d.v.

Edhe një Martir në Elterin e Atdheut: 
I pafajshmi Pjetër P. PALI.

(Fritz RADOVANI, 'Një Monument Nën Dhe', Melbourne, 2004.)

Kthehu mbrapa

Shto koment