Ndodhi në ditën e somte, 09 shtator

09.09.2013 (komentet: 0)

1882 - Lind në fshatin Avdela të Çamërisë, fotografi dhe kineasti i parë shqiptar Milto Manaqi. Bashkë me të vëllanë Janaqin janë pionerët e parë të kinematografisë shqiptare dhe asaj ballkanike dhe mjeshtra të rrallë të artit fotografik. Me fotografinë "Gruaja nga Klisura me foshnjen" Manaqi fitoi Medaljen e artë në konkursin ndërkombëtar të fotografisë artistike më 1906. Ndërkaq me filmin dokumentar "Tierrset" xhiruar më 1905 ai shënoi fillimin e artit të kinemasë në Ballkan.

Në ditën e somte, 09 shtator
337 - Kostanci i dytë me prejardhje ilire u zgjodh perandor romak. Ai ishte djali i parë i Kostandinit të madh. E sundoi perandorinë e parë romake për 31 vjet rresht. 23 vjet të jetës së tij i kaloi në beteja fitimtare. Biografët e kanë cilësuar edhe si një studiues të zellshëm.
1585 - Lindi pushtetari francez, Armend-Zhan Dy Plesis, kardinal dhe Duka Rishelje. Në vitin 1829 ai u bë ministri kryesor i Luigjit XIII dhe sundimtari virtual i Francës. Ai ndërtoi pushtetin e kurorës franceze
1737 - Lindi Luigji Galvani, mjek i shquar dhe fizikant italian, i cili përcaktoi forcat bioelektrike që ekzistojnë brenda ideve të qënieve të gjalla.
1828 - Lindi Lev Nikolajeviç Tolstoi, shkrimtar rus, i famshëm për romanet e tij "Lufta dhe Paqja" dhe "Ana Karenina". Në vitet e fundit të jetës së tij ai bëhet reformator dhe mendimtar social.
1886 - Në Bernë u përfundua konventa për mbrojtjen e veprave letrare dhe artistike e plotësuar me aktin e Parisit të vitit 1971. Vendi ynë është bërë palë në këto akte të rëndësishme në mars të vitit 1993.
1901 - Vdiq Henri de Tuluz-Lotrek, piktor dhe litograf francez që i regjistroi dhe vizatoi karakteret e kabaresë dhe jetës së natës të Parisit.
1906 - U vra Papa Kristo Negovani. Vrasja e tij u shoqërua me revoltën e Çetës atdhetare të Bajo Topullit.
1914 - Gjatë Luftës së Parë Botërore, shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjerman, gjenerali Helmut fon Moltke, ndërpreu avancimin e gjermanëve mbas kundërsulmit të francezëve dhe britanikëve. Kjo i dha fund Betejës së parë të Marnes. Humbjet e gjermanëve u vlerësuan në rreth 800 000 vetë.
1944 - Një ditë pasi trupat sovjetike në Bullgari, morën pushtetin me një grusht shteti, Kimon Giorgiev zevendësoi Konstantin Muravier në postin e kryeministrit.
1943 - Pas kapitullimit të Italisë fashiste, populli i Korçës organizoi një protestë të madhe. Po atë ditë një demostratë masive u zhvillua edhe në Durrës ku në përleshje me fashistët u vra Dalip Tabaku dhe Aleksandër Goga.
1945 - Shpërtheu kryengritja e Postribës e organizuar dhe drejtuar nga opozita dhe forcat antikomuniste që vepronin në Shqipërinë e veriut. Ato luftuan kundër pushtetit komunist dhe përpjekja e tyre e armatosur u shtyp me dhunë.
1948 - Mbas tërheqjes së forcave sovjetike nga Koreja e Veriut, shpallet Republika Popullore Demokratike e Koresë, me kryeqytet Piongjangun.
1969 - Kompozitori i famshëm Prenk Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës. Prenk Jakova u lind më 27 qershor 1917 në qytetin e Shkodrës. Origjina e familjes së tij është nga Gjakova prej së cilës ata patën marrë dhe mbiemrin.
1975 - Tenistja çeke Martina Navratilova kërkon azil politik në Shtetet e Bashkuara.
1976 - Vdiq kryetari Mao Ce Dun, ushtarak dhe politikan revolucionar kinez. Ai shpalli Republikën Popullore të Kinës në vitin 1949 në Pekin. Idetë e tij u bënë të famshme në "Libri i vogël i kuq".
1991 - Sot është përvjetori i vdekjes së kompozitorit të shquar Nikolla Zoraqi, Artist i Popullit, një nga  bashkëpunëtorët më të vjetër të Radio Tiranës si pjesë e orkestrës dhe si drejtues redaksisë së muzikës dhe aktiviteteve muzikore. Kompozimi i tij i parë është skena koreografike "Ushtari dhe vdekja" që u pasua nga 29 vepra të tjera muzikore të gjinive të ndryshme nga baladat deri tek operat.
1991 - Republika Sovjetike e Azisë Qendrore e Taxhikistanit shpalli pavarësinë nga Moska.
1990 - Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, dhe ai i Bashkimit Sovjetik, Mikail Gorbaçov, përfunduan Samitin e Helsinkit, duke vulosur unitetin e tyre mbi luftën kundër agresionit të Irakut. Samiti u mbajt pas invazionit te Irakut në Kuvajt.
1996 - Rebelët hutu vrasin në një pritë kryepeshkopin e kishës katolike të Burundit, Johachim Ruhuna.
1999 - 94 persona gjetën vdekjen kur një shpërthim i fortë shkatërroi një bllok apartamentesh në juglindje të Moskës.
2002 - U nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit të bashkëpunimit policor në luftën kundër terrorizmit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
2002 - Vatikani njoftoi për vdekjen në Romë të kardinalit brazilian Lucas Moreira Neves, 76 vjeç, emri i të cilit ishte përmendur si pasardhës i mundshëm i Papës. Ipeshkv i merituar i San Salvador de Bahia, prefekt i kongregacionit për peshkopët dhe kryetar i komisionit pontifikal për Amerikën Latine, Hirësia e tij Moreira Neves ishte një "papabile" i shquar, domethënë kandidati më i mundshëm për të zëvendësuar Papën.

Kthehu mbrapa

Shto koment