Ja kush kërkon përgjegjësi profesionale dhe juridike për kundërshtuesit e vijës kufitare Kosovë-Mal i Zi

24.02.2018 (komentet: 0)

Koha e llogaridhënies për demarkacionin!

 

Pas përpjekjeve dhe sakrificave të paktën njëshekullore të brezave të tërë, Kosova e trajtuar si rast sui generis në botë, u çlirua (1999) dhe u pavarësua (2008), kur edhe faktori ndërkombëtar (SHBA, NATO, BE, GJND), ndoshta herën e parë në historinë tonë të dhimbshme, gjykoi drejt.

 

Si vend i vogël dhe më i ri sot është më i prekur se vendet e tjera nga sfidat dhe problemet e zhvillimeve në nivel rajonal, evropian dhe global, me plot divergjenca dhe përplasje. Megjithatë, është për keqardhje që Kosova më tepër po sfidohet nga kontekstet dhe frustrimet e brendshme, me irracionalitetet e papara në luftën e paskrupullt për pushtet të grupacioneve partiake-politike dhe individëve të papërgjegjshëm, duke e mbajtur peng jetën e gjithmbarshme ekonomike dhe shoqërore dhe duke e ndarë opinionin shqiptar në “patriotë” dhe “tradhëtarë! Kaluan tashmë dy vjet e gjysëm që Kosova gjendet në bllokadë të plotë, me perspektivë të venitur, me ngulfatje të investimeve të jashtme, getoizim të brezave të reja, të cilat e dëshirojnë botën e hapur, shoqërinë e dijes dhe ngritjen akademike e shkencore, me nxitje të migrimit ilegal, me tensione e grindje të vazhdueshme brendashqiptare, në konflikt me bashkësinë ndërkombëtare dhe me imazh të lënduar në botë. Në këtë mënyrë vendi më proevroamerikan në botë (!) mbeti më i izoluari dhe brenda tij kryesisht shumica shqiptare. Ky është dëmi më i madh që u bëhet shqiptarëve të Kosovës! Prandaj, është koha për llogaridhënie; ajo madje është vonuar shum

 

  1. Për këtë të keqe të përgjithshme dhe afatgjate të Kosovës, megjithatë më të përgjegjshëm duhet mbajtur dy kolegët tanë, të instrumentalizuar deri në skajshmëri,  Shpejtim Bulliqin dhe Florim Isufin. E keqpërdorën profesionin dhe shkencën dhe u vunë në funksion të agjendave të sajuara ditore të grupeve të interesit. Duke ngritur tezën se Kosova po humb territor në rripin kufitar me Malin e Zi, herë më se 150 km², herë më se 120, herë më se 80, pastaj më se 70 km² (!), ia futën flakën Kosovës dhe e minuan progresin e saj material, social dhe kulturor. Të pavërtetën e parë për “humbje” të territorit e mbështetën në një hartë të APJ-së të vitit 1953, me bazë nga viti 1925 (para matjeve të para kadastrale të fillimit të viteve të 30-ta), të bërë për nevoja orientuese, operative të ushtrisë. Mashtrimin e dytë që e lansuan ishte se në brezin kufitar të Kosovës me Malin e Zi ka “tokë të askujt” (terra nullius)! Mashtrimin e tretë që e lëshuan është se Mali i Zi nuk ka të dhëna kadastrale për pjesën lindore të saj, pra në Çakorr dhe Bjelluhë, që nuk është e vërtetë: ekzistojnë fletët poseduese, hartat e blloqeve kadastrale dhe lista e blloqeve kadastrale me numra kadastralë dhe emra të pronarëve ose trashëgimtarëve juridikë. Duke mos ofruar asnjë akt valid juridik-administrativ veprimin e radhës që e ndërmorën, bashkë me një ambasador të kohës së komunizmit jugosllav dhe një folklorist, ishte “matja” e territorit të huaj, Malit të Zi, të cilin e nxorrën borxhli për 70 km² (!), duke e shkelur rëndë Kushtetutën e Kosovës, sepse nga rezoni shtetëror-diplomatik mund kuptohet si pretendim territorial! Një maksimë e moçme popullore në formë të pyetjes thotë: “Kur shet ose blen një arë, a matet kjo arë, apo maten arat përreth”?!

 

  1. Shqiptarët kurrë nuk qenë në pozitë të bënin kufij, ndërsa kufijtë e sotëm të Kosovës shtrihen deri atje sa mund të mbulohen me dokumentacion administrativ, kadastral dhe menaxherial dhe mekanizma operacionalë në terren për shtatë dekada. Tash “ekspertët” tanë, duke mospërmendur asnjë “argument” të tyre të mësipërm, e paraqitën një raport-pamflet, fund e krye sharlatanesk dhe komik, sepse ky “raport preliminar”, siç e quajnë vetë, tregon se ka qenë i porositur me këtë përmbajtje nga se në faqen dhjetë theksohet se “raportin përfundimtar e dorëzojmë pas përfundimit të hulumtimeve në terren, në arkiva dhe në literaturën përkatëse”(!). Kjo do të thotë se ky raport-veresie, i dorëzuar si i tillë në Qeveri dhe në Kuvend për miratim (!), është hartuar pa asnjë punë në terren, pa konsultim të arkivave dhe materialeve të tjera profesionale. Raport-pamfleti nuk përmban asnjë shifër, asnjë koordinatë, asnjë emërtim vendesh të pandryshueshme në kohë, asnjë objekt, asnjë përshkrim të kufirit që do të caktonte vijën kufitare sipas tyre, të bazuar në të dhëna administrative, gjeodezike dhe të dhëna të tjera shkencore. Në këtë raport ekstensiv, me qindra faqesh (!), mund të gjendet vetëm përfundimi, i përsëritur sa e sa herë, se kufiri i Kosovës me Malin e Zi nuk është i saktë dhe Kosova humb territor, por sa humbë dhe ku humbë nuk gjendet asnjë germë, sikundër që nuk gjenden as sipërfaqet e përgjithshme të Malit të Zi dhe të Kosovës (10.905 km², sa vërtetë është, apo 10.823 km², apo 10. 987 km², pra minus-plus 82 km²). Rrëfimin e bajatshëm për “territor të humbur” e përsërisin si refren tash e 2 vjet e gjysëm. Zyrtarët amerikanë, që kanë informacione nga profesionistët e State Departamentit që janë marrë dhe me kufijtë tonë, këtë raport e quajtën me të drejtë “dokërr, pallavër, bërllog”, sikundër që Ambasadori amerikan në Kosovë, Grag Delaëie, duke u mbështetur në vlerësimet profesionale të State Deparatmentit, publikisht pati deklaruar se: “Kufiri është aty ku ka thënë Komisioni (shtetëror i Kosovës – vër. jonë), rrejshëm po thonë se humbin 8.000 ha” (Koha ditore, 4 gusht 2016, f. 2). Edhe komisionet e tjera, ndërkombëtare dhe vendore, e nxorrën këtë konstatim.

 

  1. Nga vijat në harta, veçanërisht nga hartat e enciklopedive të përgjithshme, të atlaseve, të leksikoneve, të teksteve shkollore me shkallë 1:500.000, 1:1.000.000, 1:1.500.000 etj. nuk mund të nxirren kufijtë ndërkombëtarë, aq më tepër jo në strukturat dhe formacionet komplekse natyrore-.gjeografike. Me harta shpeshherë edhe është manipuluar, por edhe është gabuar për arsye teknike, metodologjike etj. Ndërsa hartat e APJ-së nuk janë relevante për kufijtë e brendshëm politiko-administrativë të ish-Jugosllavisë, së paku jo deri në vitet e 90-ta, sepse në planin e brendshëm, veçanërisht në vitet e 50-ta, shteti politikisht ishte stabil e monolit dhe problemet ishin në planin e jashtëm (konflikti me Stalinin, BI-ja më 1948; kriza rreth Triestës më 1953; “lufta e ftoftë”). Ideja për Serbinë e Madhe në kuptimin e projektit të Millosheviqit “Të gjithë serbët, në një shtet të vetëm”, është e vonshme. Fundja, të dhënat tregojnë se kufiri midis Kosovës dhe Malit të Zi është vijëzuar menjëherë pas Luftës II, shumë para këtyre “hartave” të APJ-së dhe nga kjo kohë nuk ka ndryshim të kufijve dhe të madhësisë territoriale të Malit të Zi: 13.812 km², e referuar nga ky vit në ish-Entin Federativ të Statistikës e deri në pavarësimin e tij (2006) dhe pastaj në Eurostat dhe në OKB. Përkufizimi është bërë midis Malit të Zi dhe Serbisë. Kush e ka pyetur Kosovën si “Oblast”, që kishte status politiko-juridik nën Vojvodinën deri në nxjerrjen e Kushtetutës së tretë të ish-Jugosllavisë (1963), kur edhe statusi i shqiptarëve u ngrit nga “pakica kombëtare” në “kombësi”! Bile në fillim të vitit 1945 Kosova ishte vënë nën administrim ushtarak dhe deri më 1966 e drejtuan kuadrot malazeze. Po t’i kishte lejuar Serbia, udhëheqësit malazezë të Kosovës do t’ia kishin dhënë Malit të Zi edhe Pejën me Patrikanën, edhe Deçanin me Manastirin. Ndërkaq, tash e shtatë dekada nuk u dëgjua asnjë zë i vetëm kundërshtues për vijën kufitare me Malin e Zi dhe madhësinë territoriale të Kosovës, sikundër as për “tokë të askujt”: as nga popullata shqiptare e 4 komunave administrative (dhe 18 komunave kadastrale brenda tyre) përgjat kufirit me Malin e Zi, as nga strukturat pushtetore, komuniste dhe demokratike, as nga grupacionet e interesit. Prandaj tema e demarkacionit nisi dhe mbeti një kauzë e rrejshme. Si të tillë, e filluan dhe po e përmbyllin, mjerisht, dy kolegët tanë, Isufi dhe Bulliqi!

 

  1. Në kufijtë ekzistues administrativë (Uti possidetis), sipas Komisionit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, i njohur si Komisioni i Robert Badinterit, 6 ish-republikat të ish-Jugosllavisë janë bërë shtete të pavarura në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar (1991-1993). Kufij të tillë administrativë, me bazë kadastrale, kanë pasur dhe dy ish-Krahinat Socialiste Autonome, Kosova dhe Vojvodina. Po të ishin bërë këto ish-republika shtete të pavarura në kufij të rinj, nuk ka dyshim se luftërat e armatosura nuk do të ishin ndalur. Ndërsa, po të kërkohej që kufijtë e sotëm të Kosovës të zgjeroheshin, ajo madje as që do të fitonte një shkallë të lartë të autonomitetit me Kushtetutën Federale të vitit 1974 e as që do ta fitonte pavarësinë në vitin 2008! Kontestet eventuale rreth ndonjë prone në terrenet malore, burimi të ujit ose ndonjë rruge mund zgjidhen nga grupet punuese-profesionale dypalëshe, por pas nënshkrimit të Marrëveshjes. Kriteri kadastral është më i sakti profesionalisht, që vërteton pronësinë juridike dhe titullarin e secilës pronë. Në bazë të këtij kriteri në fillim të korrikut 2017 u zgjidh kontesti në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit midis Sllovenisë dhe Kroacisë. Në rastin e Kosovës, përveç që Mali i Zi nuk pajtohet, nuk ka as lëndë për arbitrazh, sepse nuk ka asnjë dëshmi relevante juridike-administrative, kadastrale, hartografike, statistikore dhe menaxheriale.

 

  1. Në rast të hapjes së diskutimit për ndërrimin e kufijve me marrëveshje, jashtë kufijve të sotëm administrativë të ish-KSA të Kosovës, çështja e demarkacionit dhe negocimi rreth tij me të gjithë fqinjët tanë do të kishin pasur një qasje krejtësisht tjetër – do të ishte zhvilluar një betejë mbi bazë të argumenteve historike, etnogjeografike, ekonomike, familjare etj. në gjithë kontekstin gjeohapësinor, “pëllëmb për pëllëmb”! Por në rastin tonë diskutimi për kufijtë, në raportet e sotme ndërkombëtare, është çështje e mbyllur, gjë që është vetëm në favorin e Kosovës, sikundër që duhet refuzuar çdo bisedë për ndarje të Kosovës dhe këmbim territoresh. Po të pranohet vetëm gjendja e përvijimeve kufitare të viteve 1945/46, siç kërkojnë njerëzit e papërgjegjshëm, atëherë vendi ynë do të humbë së paku 197 km² (me 45 vendbanime më 26 nëntor 1959) kur Serbia ia bashkoi Kosovës, që i shkuan qarkut të Zveçanit dhe në tërësi komunës së vogël, tashmë ekzistuese në Kosovë të Leposaviqit (me 26 fshatra më 3 prill 1952). Sikur analoge me këtë është “kontrolli efektiv” i territorit, me disa letra me vula të Kosovës: a mendohet se Serbia e Millosheviqit për më se 10 vjet e kishte qeverisur Kosovën pa shqiptarët, ose pas Luftës, cilat janë vulat dhe kush e ka kontrollin efektiv mbi territorin në sfera të rëndësishme të jetës në veri të Kosovës? Kosova, gjithsesi jo! Po edhe në brendi të Kosovës, në komunat me shumicë serbe, edhe emërtimet edhe vulat të shumtën janë të Serbisë! Të shkojmë në Graçanicë apo Ranillug, në Kllokot apo Partesh, dhe të bindemi! Ndërsa “letrat” për mirëmbajtjen e rrugëve nuk paraqesin asnjë fakt relevant, sepse Kosova ishte pjesë e një shteti (RSFJ), ku asfaltimi dhe mirëmbajtja e rrugëve rajonale dhe nacionale financohej nga nivelet qendrore (Krahina, Republika, Federata).

 

  1. Është e vërtetë se BE-ja i vuri padrejtësisht vetëm Kosovës disa kritere shtesë si kusht për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe liberalizimin e vizave, që mund të cilësohet dhe si një qasje raciste, por të gjitha pengesat tjera vijnë nga grupet e interesit dhe individët e papërgjegjshëm shqiptarë, duke i shfrytëzuar Bulliqin dhe Isufin, të cilët i njohim mirë: pa asnjë botim relevant shkencor (të dy bashkë kanë vetëm një broshurëz: “Veçoritë fiziko-gjeografike të fushëgropës së Llapit, 2011, të shaptilografuar!), pa autoritet profesional e pedagogjik, me një shqipe të bastarduar (“dojke të thojke”, “do ja dhomë historisë”, “pi di”, “pi dini”, “midyja”, atu, etj.), të shkruar e të folur me 3 rasa, ndërsa me çështje të kufijve janë bërë të zhurmshëm vetëm këto 2-3 vjetët e fundit, duke “shkundur” letra dhe krijuar huti në opinion, varësisht nga ritmet e politikës ditore! E nëpërkëmbën dhe e degraduan profesionin, shkencën dhe institucionin dikur prestigjioz – Departamentin e Gjeografisë, të ngritur me shumë punë dhe mund nga profesorët tanë eminentë: M. Krasniqi, M. Gashi, Z. Bajrami, A. Pushka, Q. Lleshi, R. Çavolli, E. Dukagjini, R. Pllana, H. Islami, I. Ahmetaj, M. Cërabregu, etj. Ka dy vjet e gjysëm që Departamentin e kanë shndërruar në pritje të emisarëve, të cilët, për interesa personale, i nxisnin “ekspertët” dhe u servonin broçkulla për kufirin.

 

  1. Sa i përket humbjes së territorreve dhe copëtimit të trungut gjeoetnik në Ballkan, është fakt i njohur se shqiptarët janë më të goditurit, por kjo çështje i takon një dimensioni të hidhur historik dhe fatkeqësisht kufijtë nuk mund të korrigjohen nga se kanë ndërruar esencialisht kohët dhe konstelacioni i forcave në relacionet ndërkombëtare. Qasjet emocionale dhe folklorizante ndaj kufijve nuk janë produktive dhe kujtesa historike e realiteti juridik dhe pastaj edhe ai faktik (në terren) nuk përkojnë me njëra-tjetrën. Përvojat kanë treguar se kufijtë i bëjnë forca ushtarake, politika dhe dimplomacia; në rastin e Kosovës e të shqiptarëve dhe në dëmin e tyre, që të tri forcat vepruan bashkë. Gjeodetët e bëjnë matjen e territorit në pikat që i diktojnë këto forca; këta territorin as nuk mund ta rrisin e as ta zvogëlojnë. Me debate shterpë dhe me “panaire”, siç ndodhi më 3 gusht 2016, duke shkundur letra pa vlerë dhe duke “i shtyrë” kufijtë deri te “molla e kuqe”, nuk mund të shpjegohet dhe ndriçohet problemi që lidhet me një materie tejet komplekse. Kolegët tanë dhe grupet e interesit një çështje të tillë e shndërruan në një dëshirë të thjeshtë: sikur të duan shqiptarët kufijtë mund t’i çojnë ku të duan! Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës në shkurt të këtij viti i ftoi publikisht profesionistët dhe të gjithë ata që mund të kontribuonin me dëshmi, të dhëna dhe fakte që të kyçeshin në këtë proces. Një ftesë të veçantë ky Komision i drejtoi Departamentin e Gjeografisë dhe dy kolegëve, Isufit (që ishte dhe është edhe sot shef i tij) dhe Bulliqit, që të vinin të përballeshin me specialistët e Komisionit, por nuk iu përgjigjën ftesës; e dërguan njëfarë “hafije”! Kolegët Bulliqi dhe Isufi as sot e gjithë ditën nuk kanë kurajo të përballen me ekspertët e vërtetë të çështjes së kufijve! Prandaj, është ofendim i rëndë për komunitetin shkencor-profesional (gjeoshkencat) që këta t’i prijnë një procesi serioz dhe kompleks, çfarë është ai i kufirit.

 

  1. Me aventura patriotike, patetikë, folklor dhe moralizim nuk zgjidhen çështjet e mëdha shtetërore, çfarë janë kufijtë. Demagogët dhe popullistët po i zënë në gojë edhe varret e gjyshërve tanë në territorin e Malit të Zi, por në qindra vendbanime të rrethinave të Prokuplës, Vranjës, Leskovcit dhe Nishit gjenden varret e stërgjyshërve tanë, por ato kanë mbetur, bashkë me territoret, për shkak të politikave të papenguara hegjemoniste sllave dhe pafuqisë së shqiptarëve që t’u kundërviheshin terrorit, pastrimit etnik dhe gjenocidit të kohëve të shkuara. Çdo instancë e jona apo individ që arrinë ta çojë kufirin, ndërkombëtarisht të pranuar, jo vetëm deri te Çakorri e Kulla e Zhlepit, por deri te “molla e kuqe” dhe ta “fut Nishin në hartën e Kosovës”, mbështetjen e parë do ta ketë nga ne të nënshkruarit, por besojmë edhe nga të gjithë shqiptarët kudo që gjenden. Injorantët shkuan edhe në anën tjetër të arsyes: thonë se në Çakorr është bërë dhe pranim-dorëzimi i Stafetës së Titos, prandaj edhe ky akt na qenka “kontroll efektiv i territorit”!

 

  1. Pas çlirimit, Kosova mori shumë detyrime ndërkombëtare, ndërsa pas pavarësisë u shtua vargu i obligimeve kushtetuese e ligjore në suaza kombëtare dhe ndërkombëtare për zgjidhjen e shumë çështjeve të tjera, midis të cilave edhe zgjidhjen e kufijve me fqinjët, në këtë rast me Maqedoninë dhe Malin e Zi, për të cilat nga askush deri para dy vjetëve nuk u dëgjua se Kosova po humbë territor, përfshirë këta dy kolegët mëkatarë, të cilët në të gjitha hartat që i kanë përdorur vetë (edhe në doktoratet e tyre në dorëshkrime), Kosovën e kornizojnë në madhësinë e njëjtë territoriale dhe vijën e njëjtë kufitare me Malin e Zi, sikurse të gjithë autorët tjerë dhe institucioni përgjegjës – dikur Drejtoria Gjeodezike e KSA të Kosovës, sot Agjencia Kadastrale e Republikës së Kosovës. Nga mesi i këtij viti, doli monografia shkencore “Kërkime gjeografike në territoret shqiptare në Mal të Zi” e gjeomorfologut tonë të njohur, prof. dr. I. Ahmetaj, me shumë harta, ku Çakori, Kulla e Bjelluha janë jashtë Kosovës (sikurse në të gjitha hartat deri sot të publikuara nga autorët tanë), por  për habi recensentë të librit janë Bulliqi dhe Isufi, që në vazhdimësi e thonin të kundërtën: se Çakori, Kulla e Bjelluha janë brenda Kosovës!

 

  1. Kur në fund të shtatorit 2017 u vunë në krye të një Komisoni të porositur dhe tashmë të njëanshëm për vijën kufitare, thonin se presin udhëzime dhe kompetenca shtesë, procedurale dhe profesionale, nga politika zyrtare për të dhënë mendim “shkencor” për demarkacionin. Këto detyra vetë i kishte kërkuar Komisioni. Por punëdhënsit e tyre politikë, duke pritur “të gjeturat shkencore”, ia caktuan tashmë rezultatin: “Komisioni ka me thënë se kufiri është në Çakorr, në Kullë e në Maje të Larta. Pra keni parasysh, kështu ka me thënë komisioni” (!), thekson Kryeministri (Koha ditore, 16 tetor 2017, fq. 15). Dhe ky na qenka Komision “i pavarur” profesional-shkencor! Qysh para 2-3 vjetëve “shkencëtarët” thonin se e “dinin” të vërtetën, “humbjen” e territorit prej mijëra e dhjetëra mijëra hektarëve (!), por pse atëherë me muaj në “raportin preliminar” i zvarritën “të gjeturat shkencore”. Derisa “blenin” kohë, sipas urdhërave të punëdhënësve, dëmi për Kosovën shumëfishohej! Çka do të thotë sjellja bizare e çdoditshme e këtyre dy kolegëve se e gjetën edhe një “letër”, sipas tyre, në favorin e Kosovës, dhe tash duhet të korrigjohen kufijtë! Në raport-pamfletin po thonë se paskan gjetur “fakte të reja” për të vërtetën, që do të thotë se deri tash paskan gënjyer. Dhe e vërteta është se gënjeshtra është i vetmi fakt i tyre, gjë të cilën nga fillimi e dinim!

 

  1. Kosova ka vetëm një bazë hartografike, kadastrale dhe statistikore, që tumir faktin se vendit nuk i cenohet asnjë pëllëmb territor dhe ka të njëjtën vijë kufitare që ka pasur me Malin e Zi nga vitet 1945/46 (1932/34), me Serbinë nga viti 1959 (kur Serbia ia “dhuroi” Kosovës 197 km²), dhe me Maqedoninë nga 1947-2007. Plani Gjithëpërfshirës i Presidentit M. Ahtisari i 2 shkurtit 2007 (Aneksi VIII, neni 3.2), precizon se “Territori i Kosovës do të definohet nga vijat kufitare të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor 1988, përveç ndryshimit të vijës kufitare nga marrëveshja e demarkacionit në mes të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë më 23 shkurt 2001“. Pas vitit 2007, sipas Planit të Ahtisarit, me këtë shtet ka një ndryshim negativ (rreth 2 km² humbje) dhe madhësia territoriale e Kosovës rezulton të jetë si para disa dekadave. Këtë gjendje, në këto parametra, e vërtetuan edhe katër instanca profesionale, dy ndërkombëtare dhe dy vendore. Një mal materialesh dhe gjetjesh profesionale, shkencore dhe menaxheriale (gjeoinformacioni, hartat e kadastrit të tokave, hartat topografike, skicat, të dhënat statistikore, planet zhvillimore e mjedisore, baza ligjore, faktet shkencore dhe ato të agjencive të ndryshme: të privatizimit, të ujit, të pyjeve, të KOST-it, të statistikës, të policisë, të Grupit për Hulmtimin e Politikave në Ballkan, të komunave të Pejës dhe të Istogut (Burimit) etj.), – janë tashmë të publikuara në faqen zyrtare të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Tekefundit, 114 shtete, anëtarë të OKB-së, e njohën Kosovën në kufijtë dhe sipërfaqen që i kishte me ligjet dhe Kushtetutën e vitit 1974 (të ish-KSAK) dhe ditën e pavarësisë dhe sovranitetit të saj, më 17 shkurt 2008, dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 15 qershorit 2008. Kushtetuta e vitit 1974 nuk ka bërë kufij të rinj – ajo është marrë me statusin politik-juridik brenda kufijve tashmë ekzistues. Në dispozitat e përgjithshme të saj thuhej se Kosova ka territorin e vet, të përbërë nga territoret e komunave administrative, ndërsa këto të fundit nga territoret e komunave kadastrale. Këto dy nivele komunash për dekada të tëra nuk e kanë ndërruar sipërfaqen për asnjë centimetër, ndërkaq nënshkruesit e “Deklaratës së Pavarësisë 2008” duhet ta lexojnë edhe njëherë tekstin e saj, si dhe ta lexojnë edhe “Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës të dt. 25 qershor 2015”, dy muaj para nënshkrimit të Marrëveshjes Ndërkombëtare për vijën kufitare Kosovë-Mal i Zi.

 

  1. Statistika zyrtare e Kosovës dhe dokumentacioni që e disponon administrata e komunës së Pejës (kadastri origjinal dhe planet e zhvillimit shoqëror dhe mjedisor), tregojnë mosndryshimin e sipërfaqes së saj prej 603 km² me dekada dhe i 13 komunave kadastrale (Rugova) që kufizohen me Malin e Zi, që nuk humbin asnjë metër katrore. Këtu duhet të përmendim se kemi dy hapësira gjeografike: Zhlebi (614 hektarë), i cili nga aspekti administrativ i ka takuar vendbanimit të Daҫiqit (komuna e Rozhajës), ndërsa është menaxhuar nga njësia pyjore e komunës së Pejës, përderisa 650 hektarë të vendbanimeve Koshutan (pas Halja e Vranocit), Radac dhe Jabllanicë e Vogël, nga aspekti administrativ i takonin Kosovës, por janë menaxhuar nga njësia pyjore e Rozhajës. Këtu ndërlidhet dhe Plani zhvillimor i komunës së Pejës 2006-2025, ku në hartë shkruhet me laps “Çakorri në Mal të Zi”, si dhe miratimi i Ligjit “Parku Kombëtar i Bjeshkëve të Nemuna” në Parlamentin e Kosovës më 13 dhjetor 2012, poashtu pa Çakorrin. Dëshmia tjetër se Kosova nuk humbë territor, janë vetë qytetarët shqiptarë të brezit kufitar me Malin e Zi: në mars 2009, kryefamiljarët, me nënshkrimet e tyre, kërkonin leje nga autoritetet e komunave të Malit të Zi që t’i shfrytëzonin pronat e tyre të ligjshme (kullosat, stanet dhe bjeshkët), të cilat tash e shtatë dekada gjenden në territorin e këtij shteti dhe atje i kanë paguar dhe taksat. Për këtë kryefamiljarët i kanë vënë në dijeni edhe strukturat pushtetore të Republikës së Kosovës, komunat dhe ministritë përkatëse. Kur sot flet me qytetarë të rripit kufitar dhe deputetë, p. sh. të zonës së Dukagjinit, të gjithë në katër sy thonë se kufiri është i saktë, por deputetët tërheqin vërejtjen se u duhen votat, me demek këta gjithë jetën duhet të jenë deputetë!

 

  1. Duhet theksuar se një konfuzion rreth kufirit Kosovë-Mali i Zi është krijuar me zonën tokësore të sigurisë prej 5 km, që e kishte vënë NATO-ja në vitin 1999 dhe ishte e ndaluar për policinë dhe ushtrinë serbomalazeze të hynin në të. Kjo zonë është shtrirë nga kufiri administrativ i Kosovës në drejtim të Malit të Zi dhe të Serbisë, në brendinë e tyre. Pra ka shkuar deri në Çakorr dhe qytetarët shqiptarë kanë lëvizur lirshëm deri atje (prerja e masës drusore, biznesi me naftë, cigare etj.). Por kur është suprimuar zona, është ndaluar lëvizja e lirë deri në Çakorr dhe vija kufitare është kthyer atje ku ka qenë për shtatë dekada. Këtu është dhe harta precize e KFOR-it e vitit 1999, që dëshmon se Çakori, Kulla e Bjelluha janë jashtë Kosovës.

 

  1. Territori është edhe çështje emocionale, që lehtë lë mundësi për manipulime me opinionin, veçanërisht me qytetarët e brezit kufitar. Por komponenti i posesizmit moral nuk zgjidhë ama asgjë, përveç që ndezë emocionet e njerëzve. Kolegët tanë, pikërisht në pika të ndjeshme e gjetën shansin për t’u “faktorizuar”, duke thënë p. sh. se edhe lumi Bjelluha, si potencial i madh hidroenergjetik, i takon Kosovës. Popullata vendëse dhe studiuesit më të spikatur të Kosovës këtë konstatim e hedhin poshtë. Materia e ujit është shumë komplekse. As fqinji komunal nuk ia jep ujin komunës tjetër dhe në shumë raste as fqinji fqinjit; këtë e dinë specialistët e të drejtës ndërkombëtare. Në anën tjetër, lartësia e madhe mbidetare, ujëmbledhësi i vogël dhe përbërja gjeologjike nuk janë të përshtatshme për akumulacione në atë terren që dominohet nga dolomitët gëlqerorë të trijasit (që janë të rrallë). Edhe në rrafshin emocional, kolegët gjetën mbështetjen nga një pjesë e “shoqërisë civile”, veçanërisht nga disa media që këto dy vjetët e fundit çdo ditë “hidhnin” benzinë në zjarr, nga “ekspertët” për të gjitha temat (deri te ngrohja globale), përfshirë disa profesorë të marrëdhënieve dhe të drejtës ndërkombëtare, që manipulojnë dhe me tezën e rreme se Leposaviqi u këmbye me Preshevën në vitin 1959, pastaj nga të gjithë ata që Kosovën e shohin vetëm si vlerë për xhepin e tyre. Është për keqardhje që ka sa kohë që për interesa meskine Kosova tërhiqet zvarrë dhe e poshtëruar para votuesve, qytetarëve dhe botës perëndimore demokratike, e izoluar dhe në krizë të thellë politike dhe institucionale. Jeta politike dhe parlamentare është shndërruar në një cirk dhe në arenë gladiatorësh, duke përdorur fyerje dhe gjuhë denigruese, veçanërisht ndaj femrave! Me këtë sjellje të përfaqësuesve institucionalë ndaj shtetit të vet dhe qytetarëve të tij, duket se po përfitojnë vetëm qarqet jashtë Kosovës, Serbia dhe Rusia!

 

  1. Për shkak të mosdijës, popullizmit primitivist dhe më tepër për arsye të keqpërdorimit të profesionit e shkencës dhe politizimit të skajshëm të tyre, për dëmet e shumëfishta që i kanë krijuar Kosovës dhe qytetarëve të saj, për tensionet e krijuara ndërshqiptare -, ne të nënshkruarit kërkojmë nga instancat përkatëse të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore dhe të UP-së «H. Prishtina» t’i shqyrtojnë sjelljet ndaj Shpejtim Bulliqit dhe Florim Isufit, në përputhje me normat e etikës shkencore dhe ligjshmërinë. Kërkojmë nga profesorët e studentët që u goditën më së shumti me izolim, si dhe ekspertët e gjeoshkencave e të shkencave sociale-hapësinore dhe opinioni i gjerë që t’i gjykojnë veprimet e këtyre dy kolegëve. Kërkojmë gjithashtu nga të gjitha nivelet përkatëse të drejtësisë që t’i ushtrojnë kompetencat e tyre ndaj mashtruesëve dhe gënjeshtarëve për shqetësimet që i kanë krijuar në opinion deri te «lufta vëllavrasëse» dhe për dëmet që i shkaktuan Kosovës dhe qytetarëve të saj në zhvillim, liberalizim të vizave e integrim dhe në perspektivën euroatlantike.

 

 

 

Prishtinë, 19. 12. 2017

 

 

 

Grupi profesional-shkencor:

 

 

 

  1. Dr. Ibrahim Ramadani, d. v.

 

  1. Dr. Qerim Kastrati, d. v.

 

  1. Dr. Tomor Çela, d. v.

 

  1. Dr. Hivzi Islami, d. v.

 

  1. Dr. Hazer Dana, d. v.

 

  1. Dr. Arsim Ejupi, d. v.

 

  1. Dr. Valbon Bytyqi, d. v.

 

  1. Dr. Ferim Gashi, d. v.

 

  1. Msc. Bajram Kafexholli, d. v.

 

 

 

 

 

Kthehu mbrapa

Shto koment