Dhimbjet e vrasjeve politike do ti dëgjoj edhe Kryeministri Thaçi

28.12.2012 (komentet: 0)

Njëri prej emrave më popullor, që mori pjesë në ekzekutimin e shumë njerëzve pas luftës, Nazim Bllaca, ka bërë një urim për vit të ri, i cili mundohet të jap mesazhin se vrasësit duhet të pendohen, dhe nga kjo të fillojë një rrugë e re për Kosovën. Por, Bllaca nuk ndalet me kaq, ai pohon se peshën e krimeve do ta ndjejë këtë vit që po vjen edhe kryeministri Hashim Thaçi. Ndërsa, Bllaca në letër nënshkruhet si anëtarë i skuadrës së vrasjeve të SHIK-ut, ashtu siç ka pohuar para mediave dhe gjykatës. “Uroj që ky vit të jetë viti ku do të nis zbulimi i vrasjeve politike të kryera para luftës, gjatë saj dhe pas luftës”, shkruan Bllaca.

Dhimbjet e vrasjeve politike do ti dëgjoj edhe Kryeministri Thaçi


Në vazhdim botojmë letrën e plotë të Bllacës.
“Ky vit për mua, hetuesit dhe Prokurorin ishte si vit i:
- cilësimit të vrasjeve
- gjetjes së motivit të vrasjeve
- gjetjes së organizatorëve të vrasjeve
- kualifikimit të vrasjeve për periudhën 1999/2005
Kur e them këtë bazohem në raportin e EULEX-it mbi vrasje politike, të nxjerrur në media në korrik të po këtij viti. Raporti tashmë është pjesë e procesit gjyqësor ‘Bllaca”, dy “episodet” e të cilit veç përfunduan. Procesi vazhdon.
Kur kthehem në retrospektivë të këtij viti, kuptoj që për mua ndoshta edhe nuk është me rëndësi rezultati i procesit “Bllaca I” apo “Bllaca II”, por për mua me rëndësi të veçantë dhe me peshë të madhe do të jetë data 27 korrik 2012. Kjo datë ka rëndësinë e veçantë për të kaluarën dhe të ardhmen, pasi që në këtë datë për here të parë të gjitha vrasjet politike të pasluftës morën një emër. Morën një drejtim.
Që nga kjo datë, me futjen në proces të raportit të EULEX-it mbi vrasjet politike, në mënyrë institucionale, këto krime të heshtura për më shumë se një dekadë, u cilësuan si vrasje politike.
Deri në këtë datë, pak njerëz kishin menduar se vrasjet politike, të kryera para luftës, gjatë saj dhe pas luftës, do të marrin një rrugë drejt zbardhës së ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve të këtyre krimeve të harruara tash e 13 vite nga institucionet e ndjekjes vendore dhe ndërkombëtare.
Pavarësisht se Qeveria Kosovës, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e Kryeministrit Hashim Thaçi, për hesapet e së cilës punoi Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK) i Kadri Veselit dhe të tjerëve, në vitin 2012 vetë-inskenoi shumë afera, vetëm e vetëm për ta larguar vëmendjen e opinionit nga ky raport, ai do të kthehet. Dhe atë, fuqishëm bile.

Besoj fuqishëm që dhimbjet e këtij fillim-zbulimi të vrasjeve politike do ti dëgjoj edhe Kryeministri Thaçi në vitin 2013, i cili me dorën e vetë, në Rambuje kishte krijuar organizatën ilegale –kriminale të quajtur SHIK . Po, po, kriminale, pasi që për krimet e saj nuk jam i vetmi që drejtoi gishtin kah SHIK-u, por këtë e kanë bërë tashmë edhe shumë institucione ndërkombëtare, parti politike, nga shoqëria civile , si dhe njohës të fushës së drejtësisë.
Uroj gjithë popullin shqiptar, uroj gjithë ata që ndihmuan për të arritur deri këtu ku sot jemi: në rrugë për të zbardh krime të tipit “milosheviçian” të kryera në mënyrë tinëzare, madje edhe duke karbonizuar kufomat ndonjëherë.
Uroj familjet, të cilat humbën më të dashurit e tyre dhe që këto familja e presin ndërrimin e mot-moteve pa një apo më shumë anëtarë të familjes, të vrarë pasluftës nga rivalë politikë. Është e vështirë, mundohem t’ju kuptoj, mirëpo më në fund ka filluar të duket një dritë në fund të tunelit. Drita që nisi më 27 korrikun e 2012-ës.
Bllaca është këshilluar nga vitit 2004 prej një shërbimi inteligjent ushtarak perëndimor në vazhdimësi gjerë sa Nazim Bllaca ka dal në opinion me provat e tij të shumëfishta.
Misioni i pendimit për vrasjet politike është misioni i ndërtimit të shtetit të Kosovës. Është rruga e vetme që e çon Kosovën drejt integrimeve euroatlantike.
E themi këtë me përgjegjësi kombëtare dhe morale ngase provat, dhe vetëm provat e çrrënjosin krimin e vrasjeve politike.
I besojmë drejtësisë ndërkombëtare dhe e falënderojmë ata që na ndihmuan dhe po na ndihmojnë në ndërtimin e shtetit të mirëfilltë juridik, ku ligji e drejtësia, siguria personale dhe kolektive të respektohet në përpikëri. Vetëm atëherë kemi një shtet për të cilin luftuam dhe për të cilin sakrifikuam çdo gjë.
Uroj që viti 2013 të jetë viti në të cilin shumë krime do të zbardhen, sepse ky vit që po e lëmë pas ishte vit i ndërtimit të binarëve, ku këta binar do të çojnë drejt e në folenë e krimeve organet e ndjekjes dhe do të sillen në bankën e zezë shumë figura të njohura.

Urime viti i ri!

Me respekt:

Nazim Bllaca, anëtarë i skuadrës së vrasjeve të SHIK-ut dhe autor i një vrasjeje të kryer me urdhër të eprorëve, pa e njohur viktimën personalisht.

/Bota Sot /

Kthehu mbrapa

Shto koment