Vetëm kryeministër

21.12.2012 (komentet: 0)

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pranuar se kanë ngrënë darkë bashkë me kryeministrin Hashim Thaçi, të mërkurën mbrëma, por se nuk janë marrë vesh për koalicionin qeverisës. Haradinaj ritheksoi qëndrimin e tij të përsëritur qindra herë, se do të hyjë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, vetëm nëse AAK do ta marrë në duar drejtimin e qeverisë.

Jeton Llapashtica 

 

Ai tha se “burri flet një herë” dhe se partia e tij ka vetëm një ofertë për qeverisje me PDK-në, postin e kryeministrit. “Unë, siç thotë populli një fjalë e kam, iu kam thënë disa herë cila është oferta. Në rast se nuk ndodh një marrëveshje, nuk e mendojmë se ndodh diçka e jashtëzakonshme, mua do të më kishte ardhur keq nëse nuk ndodh (koalicioni)”, ka thënë ai, pas takimit me kryetarin e Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku.

Kryetari i AAK-së ka shtuar se, një ditë më parë që ai ia nis punës si kryeministër i vendit, do të jetë një ditë më pak humbje për vendin, ndërsa ka theksuar se te Partia Demokratike e Kosovës vërehet një gatishmëri e mirë, siç ka thënë ai, për të shkuar drejt partneritet qeverisës.

Por, pavarësisht nga ofrimi i partisë së Haradinajt me atë të Thaçit, deri më tash nuk është parë gatishmëri nga partia e kryeministrit që t’ia japë Aleancës postin e kryeministrit.

Deputeti i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Berat Buzhala tha për “Zëri” se sikur të pyetej ai, PDK me asnjë çmim nuk do t’ia jepte postin e kryeministrit, AAKsë. “Me qenë unë kryeministër, në vend të Hashim Thaçit, nuk ia jap pozitën e kryeministrit. Nëse unë do t’i kisha numrat e koalicionit siç i ka PDK-ja, nuk do të kishte logjikë dhe do të ishte një shkëputje kontratës të kryeministrit të Kosovës me votuesit që e kanë votuar të për të qenë kryeministër i Kosovës.

Nuk ka logjikë që lideri që i ka mbi tridhjetë për qind të votave, që është për dhjetë për qind partia më e madhe në vend, ta falë postin e kryeministrit, pavarësisht faktit që kjo qeveri ka nevojë për energji të reja”, thotë Buzhala.

Ndërkaq, të enjten drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës kanë heshtur karshi pyetjeve për koalicionin qeverisës. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi është pyetur nëse PDKja është e gatshme t’ia lëshojë pozitën e kryeministrit, dhe nëse PDK-ja ka ndonjë kusht specifik për Aleancën para koalicionit të mundshëm, por ai nuk ka komentuar për këtë çështje.

Nga ana tjetër, për pjesëtarët e shoqërisë civile dhe analistët politikë, fakti se si AAK-ja dhe lideri i saj, Haradinaj janë duke iu “vardisur” PDK-së dhe kryeministrit Thaçi, është argument i mjaftueshëm se Aleanca është duke u kontrolluar tërësisht nga partia më të madhe në vend.

Drejtori i Institutit për Studime të Avancuara (GAP), Agron Demi thotë se drejtuesit e Aleancës kanë rënë në grackë të PDK-së, të cilët sipas tij, tashmë e kanë “djegur” AAK-në.

“AAK-ja e ka ulur shumë nivelin e pazarit duke u përfshirë qoftë në negociata përmes Blerim Shalës, qoftë duke thënë se do ta mbështesin Qeverinë e Kosovës me çdo kusht, sa që e kanë humbur kredibilitetin te opinioni”, thotë Demi, duke theksuar se më mirë do të ishte sikur partia e Haradinajt ta shfrytëzonte rikthimin e liderit të saj për të luajtur rol të mirëfi lltë opozitar, dhe jo, “të bëhet pjesë e skenarit të PDK-së”.

Sipas tij, qeverisja në Kosovë nuk mund të ndryshojë pavarësisht nëse bëhet ose jo Haradinaj kryeministër pa u futur fare në zgjedhje. “Prandaj, më duket e paarsyeshme kërkesa që me çdo kusht Haradinaj të jetë kryeministër, duke u bazuar në periudhën gjashtëmujore që e ka pasur (si kryeministër) pa shkuar për herë të parë në Hagë”, thekson ai.

Me Haradinajn kryeministër, PDK-ja tradhton elektoratin

Analisti politik, Agron Demi thotë se Partia Demokratike e Kosovës duhet ta ketë të qartë se mandatin qeveritar për ta drejtuar ekzekutivin e ka lideri i saj, Thaçi, në të kundërtën, sipas tij, do të tradhtoheshin ata që e kanë votuar këtë parti.

“PDK-ja fushatën zgjedhore e ka konceptuar në mes të asaj për Hashim Thaçin kryeministër dhe në emër të asaj i ka fituar zgjedhjet. Në rast se PDK vendos të bëjë lëshim është një tradhti ndaj votuesve të vet, qofshin edhe ata të cilëve ua ka vjedhur votën në shumicën e rasteve”, thotë Demi.

"Unë Zëvendëskryeministër? Jo, jo!”

Ramush Haradinaj, lider i AAK-së, ka mohuar zërat se mund të bëhet zëvendëskryeministër i Kosovës. Ai ka thënë se nuk e ka me çdo kusht që ta marr postin e kryeministrit.

“Ne (AAK) kemi bërë vetëm një ofertë. Të krijojmë një qeveri të re me PDK-në. T’i marrim përgjegjësitë bashkë”, ka thënë Haradinaj në emisionin “Rubikon” të KTV-së.

Ai ka thënë se nuk dëshiron t’i bashkëngjitet kësaj qeverisje, pasi përmes kësaj, ai do t’i ndihmonte kësaj qeverie, gjë që nuk e dëshiron ish-komandanti i UÇK-së.

“Do të jetë vazhdim i mandatit të Qeverisë, por edhe Qeveri e re”, ka shtuar Haradinaj.

Kthehu mbrapa

Shto koment