Mustafa shpërbleu kompaninë me lëndë në gjykatë

12.12.2012 (komentet: 0)

Komuna e Gjilanit, e cila udhëhiqet nga Qemajl Mustafa, tenderin për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve 2012/2013-ndarja në dy lote ia ka dhënë kompanisë që ka konteste të hapura pranë Gjykatës Ekonomike në Prishtinë.

Pas ankesës së operatorit ekonomik “Tali”-Gjilan, Organi Shqyrtues i Prokurimit(OSHP) ka anuluar vendimin e autoritetit kontraktues, Komunës së Gjilanit, duke urdhëruar që këtë procedurë të prokurimit ta kthejë në rivlerësim.

Kompania “Tali” si palë e pakënaqur kishte deponuar ankesën në OSHP më 9 nëntor 2012 kundër njoftimit për dhënie të kontratës operatorit ekonomik “Magjistralja”-Gjilan, duke pretenduar se Komuna e Gjilanit ka bërë disa shkelje esenciale të Ligjit të Prokurimit Publik.

Pas kësaj ankese, OSHP-ja kishte autorizuar ekspertin shqyrtues për ta shqyrtuar procedurën e zhvilluar lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, si dhe vlefshmërinë e të gjitha pretendimeve të palës ankimore.

Eksperti shqyrtues në raportin e tij më 26 nëntor 2012 konstaton se operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë “Magjistralja” ka ofruar vërtetim nga Gjykata Ekonomike e Qarkut, ku ceket se ka procedurë kontestimore me nr.IIIC-3/12 prej 14 mijë e 893 euro dhe IIIC-4/12 në vlerë prej 35 mijë e 318 euro.

Eksperti shqyrtues njëkohësisht ka konstatuar se operatori “Tali” iu ka drejtuar në mënyrë elektronike Komunës së Gjilanit, ku ka kërkuar qasje në dokumentet e operatorit të rekomanduar për kontratë, ndërsa Komuna i ka rekomanduar që të drejtohet në Zyrën për Marrëdhënie me Qytetarë.

Kompania “Tali” ka bërë kërkesë pranë kësaj zyre, mirëpo autoriteti kontraktues iu është përgjigjur se mund të ketë qasje në këtë dokumentacion, mirëpo një gjë të tillë mund ta bëj pas ardhjes së ankesës në OSHP.

Ne fund te raportit te tij, eksperti shqyrtues rekomandon që të anulohet vendimi i Komunës dhe lënda të kthehet në rivlerësim.

Gjate seancës së shqyrtimit kryesor të datës 06.12.2012, përfaqësuesi i operatorit ekonomik ankues "TALI" ka deklaruar se operatori i rekomanduar është një kompani e cila, sipas tij, nuk e ka përmbushur asnjë kontratë të autoritetit kontraktues, edhe pse i ka disa projekte me këtë të fundit të nënshkruara dy vite më parë, të cilat nuk janë përmbushur deri më tani.

“Ne si operatorë ekonomik dyshojmë se në këtë rast nga zyra e prokurimit ka pasur manipulime edhe me mirëmbajtjen verore të rrugëve të këtij viti, ku sot e kësaj dite gropat janë të hapura në Komunën e Gjilanit”, ka thënë përfaqësuesi i kompanisë ankuese “Tali”, duke shtuar se në rastin konkret Komuna e Gjilanit dëshiron të lidhë kontratë me një kompani të falimentuar, e cila ka konteste të hapura pranë Gjykatës Ekonomike të Prishtinës.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Komunës së Gjilanit i pranishëm në seancë thotë se sa i përket vërtetimit nga Gjykata Ekonomike, askund në dosje të tenderit dhe në njoftim për kontratë nuk është kërkuar ky vërtetim.

”Është e vërtetë se ky operator ekonomik ka procedurë kontestimore pranë Gjykatës Ekonomike për mosshlyerje të obligimeve, por nuk dimë sa do të zgjatë ky proces dhe nuk jemi të informuar se ky operator ekonomik është në falimentim”, ka thënë përfaqësuesi i Komunës.

Kthehu mbrapa

Shto koment