“YUE...” FTOHET N’KROACI

18.06.2012 (komentet: 0)

Shfaqja “Yue Madeleine Yue”, me regji të Blerta Rrustemi-Neziraj, premierën botërore e ka pasur në teatrin e famshëm austriak Volkstheater, ku është dhënë në kuadër të festivalit “Die Besten aus dem Osten: Folge 10”, më 24 dhe 25 shkurt.

Shfaqja kosovare “Yue Madeleine Yue” është ftuar të marrë pjesë në edicionin e tretë të festivalit ndërkombëtar teatror Zoom, që mbahet nga data 6 deri 12 shtator 2012, në Rijeka të Kroacisë. Në këtë edicion të Zoom’it marrin pjesë tetë shfaqje nga Austria, Gjermania, Kosova, Sllovenia dhe Kroacia. Shfaqja kosovare do të luhet më 7 shtator.

Në qendër të kësaj tragjikomedie të absurdit është një familje rome e kthyer me forcë nga Gjermania në Kosovë. Të ndodhur në një realitet të ri, atyre tani u duhet të ballafaqohen me sfidat e shtetit të sapolindur. Vajza rome, Medlin, një ditë bie në një gropë të hapur nga një kompani ndërtimi.

Dhe derisa vajza e mbetur në koma, lufton me vdekjen, babai i sajë, në përpjekje për të kërkuar drejtësi, ballafaqohet me zyrtarë byrokratë, biznesmenë, policë e punëtorë ambasadash. Kjo është një dramë politike për pasluftën kaotike në Kosovë, por, para së gjithash, është një dramë për romët e padëshiruar në Evropë. Larg atyre stereotipeve për romët, larg atij ekzotizmit që përcjellë zakonisht temat rome, “Yue Medlin Yue” është një dramë intelegjente që shqyrton në mënyrë të shkëlqyeshme procesin emocional nëpër të cilin sot kalojnë me mijëra rom të Evropës, të cilët u nënshtrohen proceseve të dhunshme të ri-atdhesimit.

“Yue...” ka pasur premierën botërore në teatrin e famshëm austriak “Volkstheater”, ku është dhënë në kuadër të festivalit “Die Besten aus dem Osten: Folge 10”, me datë 24 dhe 25 shkurt.

Mediat austriake i patën dhënë jehonë të jashtëzakonshme shfaqjes Kosovare. Gazeta kryesore austriake Der Standard, ndër të tjera, pat shkruar:

“Blerta Neziraj ka inskenuar këtë rrëfim tragjik me gjashtë aktorë dhe dy muzikantë, si një revy temporale numrash. Shfaqja është përplot humor, në mes një hareje fëmijërore dhe të një satire të furishme, nëpërmjet të cilave mëshira dhe poezia nuk qëndrojnë kurrë në të njëjtën rrugë” (Der Standard, Vienna)

Edhe gazeta Wiener Zeitung ka publikuar një kritikë superlative për shfaqjen. sipas gazetës, “gjashtë aktorë dhe dy muzikantë, me pak rekuizita sollën një ankth të çastshëm satiro-komik, të dhimbshëm e të përlotshëm në një skenë të zhveshur, mbi dysheme”.

Në Kosovë “Yue Madeleine Yue” është dhënë me datë 21 Maj, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ndërsa që me 23 maj është dhënë në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd.

“Yue Madeleine Yue”, një prodhim ky i Qendrës Multimedia nga Prishtina, është dramë e autorit Jeton Neziraj. Regjinë e kësaj shfaqjeje e ka bërë Blerta Neziraj, muzikën e ka kompozuar Gabriele Marangoni, koreografinë: Gjergj Prevazi, skenografinë dhe dizajnin e dritave: Nico de Rooij, kostumet Dorothy Barnes, kurse luajnë: Anisa Ismaili, Kujtim Pacaku, Adrian Morina, Fitore Broqi, Bajram Kinolli – Kafu dhe Fisnik Sykaj, muzicient: Susanna Tognella (violinë) dhe Gabriele Marangoni (harmonikë), ass. kostumografe: Amber Givens, menaxhere e skenës: Adelina Berisha, ndricimi: Skender Latifi.

Shfaqja është një projekt i financuar nga BE, Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, dhe e implementuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS.

Kthehu mbrapa

Shto koment