Sot 105 vjet nga Kongresit i Alfabetit, që i bashkoi shqiptarët

22.11.2013 (komentet: 0)

Në Maqedoni sot shënohet 105 vjetori i Kongresit të Alfabetit Shqip, me aktivitetet kryesore në qytetin e Manastirit.Nën patronatin e Qeverisë së Maqedonisë do të organizohet një manifestim me akademi solemne në Manastir. Zëvendëskryeministri Musa Xhaferri pasdite do të vizitojë Muzeun e Kongresit të Alfabetit në Manastir, ndërsa në kuadër të kësaj vizite do të jetë e pranishme edhe ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro.

Në Shkup, Instituti për Trashëgimi Kulturore të Shqiptarëve ka organizuar aktivitete me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit. Ky përvjetor i Alfabetit e ka gjetur Shkupin gjithashtu në një atmosferë festive, në prag të 101 vjetorit të Flamurit dhe Pavarësisë së shtetit shqiptar. Në Manastir do të zhvillohet pasdite një takim midis zëvendëskryeministrit të Maqedonisë, Musa Xhaferri, dhe ministres së Kulturës të Shqipërisë, Mirela Kumbaro, bën të ditur ina. Ndërsa në mbrëmje, në Pallatin e Kulturës në këtë qytet do të mbahet Akademi Solemne me rastin e kësaj dite, në organizim të Muzeut të Alfabetit mbështetur nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë.

Dita e sotshme, 22 Nëntori është festë shtetërore për shqiptarët në Maqedoni dhe ditë jopune. Edhe komuna e Strugës është përkujdesur për të shënuar me disa aktivitete 22 Nëntorin – Ditës së Alfabetit Shqip. Me rastin e 105 vjetorit të -të “Kongresit të Alfabetit” sonte mbahet mbrëmje festive në Pallatin e Kulturës, ku mes tjerash do të performojë edhe Orkestra e Qytetit të Tetovës dhe Sh.K.A ‘’Xheladin Zeqiri’’. Për nder të kësaj dite, në Tetovë mbrëmë u mbajt një akademi solemne kushtuar 22 Nëntorit. Kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi mori pjesë në manifestimin e organizuar nga shoqata e pedagogëve shqiptar në nder të 22 Nëntorit- Ditës së alfabetit shqip.

“Pas Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kongresi i Manastirit ishte tubimi i dytë më i madh i shqiptarëve, ku krahas çështjes gjuhësore, nga ky kongres dolën edhe kërkesa politike e historike që trasuan rrugën në periudhën e fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare që ajo të jetësohet me shpalljen e pavarësisë së dy shteteve shqiptare, avancimin e statusit të shqiptarëve në kufirin e tyre etnografik dhe hapjen e rrugës së perspektivës evropiane të kulturës shqiptare, e cila është sfidë e kohës tonë dhe betejë e gjeneratës sonë”, deklaroi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Aktivitete për shënimin e Ditës së Alfabetit Shqiptar janë organizuar edhe nëpër komunat e tjera shqiptare, kryesisht aktivitete nëpër shkolla dhe institucione kulturore dhe arsimore. Komuna e Gostivarit dhe disa kompani të qytetit kanë mbështetur festivalin tradicional të këngës popullore “Zëri i Alfabetit”, që u mbajt me rastin e “105 vjetorit Kongresit të Manastirit”, në qytetin e Manastirit. Në komunën e Gostivarit gjithashtu është shënuar kjo festë kombëtare shqiptare.

Kthehu mbrapa

Shto koment