Sindikata, nga një orë dore për veteranët e arsimit

06.03.2012 (komentet: 0)

Me qëllim të kremtimit sa më dinjitoz të 7 Marsit, kësaj dite të madhe për arsimin shqip, Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASH) do të zhvillojë një varg aktivitetesh tematike e kulturore. Një aktivitet i veçantë është ai që do të organizohet nëpër të gjitha komunat e Kosovës në shenjë respekti për mësimdhënësit që janë pensionuar nga janari i vitit 2011 e deri në marsin e këtij viti.

SBASHK-u të 492 mësimdhënësve të pensionuar gjatë kësaj etape kohore do t’u dhurojë nga një orë dhe nga një mirënjohje në shenjë respekti për punën e madhe që kanë bërë ata në dekadat e kaluara duke arsimuar e edukuar gjeneratat.

“Është një përkushtim i përbashkët se këto takime me mësimdhënësit pensionistë të kalojnë në një frymë solemne me shpalosjen e kujtimeve për ditët e mëdha të arsimit shqip, për njerëzit e tij që mbrojtën shkollën dhe gjuhën tonë në vitet e rënda të okupimit, por edhe në vitet e lirisë kur po bëhen përpjekje të vazhdueshme që bashkë e përmes organizimit në SBASHK të krijohen kushte edhe më të mira e për një arsim sa më cilësor”, thuhet në një njoftim të sindikatës.

Sipas sindikatës, këto Manifestime festive do të stolisen edhe me programe të zgjedhura kulturore, kurse ky aktivitet respekti për punën e madhe arsimore të mësimdhënësve pensionistë do të bëhet tradicional.

Kthehu mbrapa

Shto koment