SBASHK-u shkapërderdhet

28.01.2012 (komentet: 0)

Mësimdhënësit kosovarë do të kenë dhe një sindikatë të re, që do të mbrojë interesat e tyre. Disa përfaqësi sindikale nëpër komuna të Kosovës, janë shkëputur nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), duke formuar kështu një sindikatë të re. Ata në një konferencë për medie kanë bërë publike arsyet e tërheqjes nga SBASHK-u.

Korrupsioni, politizimi, nepotizmi, familjarizimi, keqpërdorimi, mosmbrojtja e interesave të mësimdhënësve janë theksuar si arsyet kryesore që i kanë shtyrë drejt themelimit të një organizate të re. Në krye të kësaj organizate janë paraqitur udhëheqësit sindikalë nëpër komuna që janë dalluar se kanë qenë zë kritik nëpër mbledhje të SBASHK-ut.

Prishtina, Juniku, Deçani, Gjakova, Peja, Podujeva kanë qenë prezent me përfaqësues të tyre në këtë konferencë, përderisa nga udhëheqësia e sindikatës së re, e kryesuar nga Nezir Gashi, kryetar i Sindikatës për komunën e Prishtinës është paralajmëruar mbështetje edhe nga njësitë sindikale nëpër komunat tjera.

“Sindikatat te ne janë qëllim për vete dhe jo për anëtarësinë. Ato kanë kuptim për kryetarët dhe klanet me pak shokë që kanë përreth vetes, por jo dhe për anëtarësinë e gjerë, e cila mbahet peng nga këta tipa”, ka thënë Gashi, duke shtuar se brenda SBASHK-ut nuk ka asnjë centimetër hapësirë për veprim sindikal.

“Për një organizim përtej politikës, çfarë është në natyrën e veprimeve sindikale as që mund të bëhet fjalë, lëre më të flasim për një qëndrim opozitar të këtyre organizimeve kaq të rëndësishme për përfaqësimin dhe mbrojtjen e të drejtave profesionale, të punës, të interesave ekonomike dhe sociale, të kulturës dhe interesave tjera të punëtorëve”.

Ai iu ka bërë thirrje degëve sindikale në gjithë Kosovën, që të ringjallen dhe të kërkojnë riorganizim sindikal, të ndërrojnë logjikën e bartur nga ish- sistemi komunist se sindikatat kanë vetëm karakter të ndihmës sociale dhe atë ta zëvendësojnë me logjikën e ndërtimit të një organizimi, i cili do të ishte me interes për të gjitha zhvillimet shoqërore.

Përfaqësuesi tjetër i sindikatës së re Ahmet Spahiu ka thënë se arsimtarët nuk kanë pasur mbështetje nga SBASHK dhe se krerët e kësaj sindikate e kanë vendin mbrapa grilave, duke mohuar ndonjë prapavijë politike të sindikatës së re. Agim Qesta, përfaqësues sindikal i Junikut, ka theksuar se vetëm pas 22 vjetësh po bëhet e mundur themelimi i një organizate që do t’iu shërbejë mësimdhënësve.

Kjo sindikatë, sipas tij, do të jetë kritike ndaj të gjitha padrejtësive që iu bëhen punëtorëve të arsimit dhe do të dalë në mbrojtje të interesave të punëtorëve. Ka theksuar se mësimdhënësit deçanas kanë shumë pakënaqësi. Përfaqësuesi sindikal i Podujevës, Naim Bajrami, është shprehur më i rezervuar.

Ai ka theksuar se të premten do të mbajë një takim me kryesinë e Sindikatës së Arsimit në këtë komunë për të vendosur për mbajtjen e kuvendit dhe përcaktimin e tyre se ku duan të rreshtohen.

Por, nuk ka mohuar pakënaqësitë e mësimdhënësve për mënyrën si përfaqësohen interesat e tyre. Nga ana tjetër, përfaqësues të SBASHK-ut fillimisht kanë hezituar të flasin për këtë sindikatë të re. I kontaktuar nga “Zëri” kreu i SBASHK-ut, Ali Shabanaj, nuk ka pranuar të flasë për gazetën me arsyetimin se gjendet në Pejë dhe nuk do të deklarohet me telefon, ndonëse këtë e kishte praktikuar më parë.

Megjithëkëtë, nuk ka hezituar që përmes telefonit të shprehë mllefin e tij ndaj shkrimit “Buja fl ladit sindikalistët”, në të cilin shkrim është pasqyruar rrjedhimisht dhe objektivisht mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të SBASHK-ut, ku ministri Buja mori lëvdata nga pjesa dërrmuese e sindikatës. Shabanaj madje ka këshilluar që “mediet të mos merren (pasqyrojnë) me sindikatën e re “.

Por, më pas janë deklaruar nënkryetarë të kësaj sindikate, duke mos hezituar të bëjnë kundërakuzë ndaj përfaqësuesve të sindikatës së re. Rashit Maliqi nënkryetar i SBASHK-ut ka mohuar akuzat në adresë të udhëheqësisë, ai madje ka thënë se disa nga anëtarësia e re e sindikatës nuk është më pjesë e SBASHK-ut. Maliqi ka akuzuar Gashin për keqpërdorim duke përmendur shifra të hollash për të cilat, ai ka thënë se atij (Gashit) i është kërkuar llogari nga SBASHK-u.

Kthehu mbrapa

Shto koment