Ruani shëndetin e organeve vitale!

06.03.2013 (komentet: 0)

Trupi juaj është vepër artistike. Përbëhet nga më shumë se 200 eshtra, 600 muskuj, 6 metra zorrë, një numër i madh organesh dhe 160.000 kilometra të enëve të gjakut. Vetëm njëri sy përbëhet nga më shumë se 15 pjesë. Nga të gjitha këto pjesë, cilat janë më të rëndësishmit? Ju sjellim 5 organe trupore që kanë rëndësi të jashtëzakonshme dhe mënyrat përmes së cilave do të mund të mbani shëndetin e tyre.





 


Truri

Nuk ka transplantim të trurit, prandaj është e rëndësishme të kujdeseni për të. Më e mira që mund të bëni është që çdo ditë të flini në mënyrë kualitative. Më pak se 7 orë gjumë jo vetëm që do t’ju bëjnë më të lodhur, por do të dobësojnë edhe koncentrimin dhe kujtesën.

Shkencëtarët kanë konstatuar që ushtrimet aerobe nxisin krijimin e qelizave të reja në tru të cilat janë përgjegjëse për kujtesë. Lajmi i mirë është që 3 herë nga 15 minuta ushtrime në javë janë të mjaftueshme për trurin tuaj.

Kini kujdes se çfarë hani! Acidet yndyrore omega 3 do ta mbajnë trurin të shëndetshëm dhe do të reduktojnë rrezikun nga krijimi i dëmtimeve të shkaktuara nga plakja. Ushqimet të cilat janë të pasura me acidet yndyrore omega 3 janë salmoni, sardelet dhe arrat.

Zemra

Edhe pse pas saj nuk kthen kokën askush, zemra juaj është muskul të cilin duhet ta mbani në formën më të mirë. Sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjes tek femrat.

Hapi i parë është që të bëni kujdes në peshën tuaj. Shkencëtarët kanë konstatuar që indi dhjamor në zonën e abdomenit paraqet rrezikun më të madh nga krijimi i sëmundjeve të zemrës. Për të mbajtur peshën e shëndetshme trupore, shmangni ushqimin e përpunuar i cili përmban transacidet yndyrore, yndyrat të cilat në masë të madhe janë përgjegjëse për krijimin e dhjamit në zonën e barkut.

Kontrolloni nivelin e kolesterinës dhe tensionit të gjakut, ndërsa matni më shpesh nëse në anamnezën familjare keni raste të sëmundjeve të zemrës. Nëse kolesterina dhe tensioni i gjakut arrijnë nivel shumë të lartë, rritet rreziku nga bllokimi i artereve dhe krijimi i sulmit të zemrës më vonë në jetë.

Mëlçia

Ky organ ka meritë për kryerjen e më shumë se 500 funksioneve, duke përfshirë ruajtjen e vitaminave dhe mineraleve dhe lirimin e trupit nga toksina. Sa më shumë materie filtrohen përmes mëlçisë, ka më shumë mundësi që të krijohen dëmtime në mëlçi. E gjithë kjo rrit rrezikun nga krijimi i sëmundjeve të mëlçisë dhe cirrozës e cila mund të shkaktojë krijimin e kancerit dhe dështimin e mëlçisë.

Konsumimi i tepërt i alkoolit me siguri do të dëmtojë shëndetin e mëlçisë. Nëse pini pak por shpesh, po ashtu rrezikoni shëndetin e mëlçisë. Për shembull, 2 ose 3 gota verë çdo mbrëmje. Ekspertët rekomandojnë që femrat nuk duhen të pinë më shumë se një gotë verë, një gotë alkool të fortë ose birrë në ditë. 

Befasues, por i vërtetë është fakti që trashja paraqet rrezikun më të madh për shëndetin e mëlçisë. Grumbujt e yndyrave në mëlçi mund të shkaktojnë inflamacionin, i cili rrit rrezikun nga krijimi i cirrozës dhe kancerit. Rriteni konsumin e hekurit dhe proteinave për të ruajtur shëndetin e mëlçisë dhe muskujve. Po ashtu është e rëndësishme që të mbroheni gjatë marrëdhënieve seksuale sepse hepatit B dhe C në mënyrë serioze mund të dëmtojnë shëndetin e mëlçisë.

Mushkëritë

Mushkëritë tuaja nuk marrin vetëm oksigjen, por edhe viruset, bakteret dhe grimcat e ndryshme nga ajri. Sa më shumë kujdeseni për shëndetin e mushkërive, probabiliteti është më i vogël që do të sëmureni.

Për të ruajtur shëndetin e mushkërive, më e mira që mund të bëni është të ndalni duhanin. Madje 20 për qind e femrave në të njëzetat dhe tridhjetat pinë cigare, ndërsa duhani është shkaku kryesor i krijimit të kancerit të mushkërive, sëmundjes e cila vret më shpesh se kanceri i gjirit, prostatës dhe zorrëve.

Bëni kujdes me peshën trupore sepse trashja vështirëson punën e sistemit respirator. Një hulumtim i fundit ka treguar që reduktimi i përqindjes së yndyrave për vetëm 10 për qind në mënyrë të konsiderueshme lehtëson punën e sistemit respirator.

Pankreasi

Jeni aq të uritur sa që do të mund të hani një picë të tërë? Kjo është shenjë që pankreasi juaj punon në mënyrë të sforcuar. Ai gjendet në mes stomakut dhe shpretkës. Ka meritë për prodhimin e insulinës, hormonit i cili rregullon nivelin e sheqerit në gjak. Pankreasi është ai që ju bën të ngopur dhe të mbushur me energji, por edhe të uritur dhe të lodhur.

Hapat që janë të nevojshëm për mbajtjen e punës së rregullt të tërë trupit janë të rëndësishme edhe për shëndetin e pankreasit. Ndërpriteni duhanin, ushtroni rregullisht dhe mbani peshën e shëndetshme trupore. Rriteni konsumin e fibrave për të reduktuar rrezikun nga krijimi i kancerit të pankreasit.

Kthehu mbrapa

Shto koment