Ohri- Qyteti i dritës

08.10.2014 (komentet: 0)

fahri 4
Fahri XHARRA

Banorët e hershëm të regjionit të gjerë të Liqenit të Ohrit ishin dasaratët dhe enkelejt (fise ilire)



Shkruan: Fahri XHARRA

 

“Disa emërtime gjeografike si Nishi, Shtipi e Ohri u erdhën sllavëve nga goja e arbanasve, e cila ndoshta kishte mundur ta paraqesë mundësinë që shqiptarët të kenë jetuar në lokalitetet e përmendura që para ardhjes së sllavëve”. (Bogumil Hrabak “Širenje arbanaških stočara po ravnicama i slovenski ratari srednjovekovne Albanije). Nga ky paragraf i cekur shihet se sa sllavët janë plagjiatorë të historisë dhe okupatorë të një toke të huaj, por në shkrimet e tyre nuk e kanë të mundshme që të ikin krejtësisht e të mos e tregojnë të vërtetën. “Jemi te Ohri dhe historia e tij shqiptare, por e stërvjedhur nga ardhacakët. Në antikuitet (shënime sllave) qyteti njihej me emrin e vjetër “Lychnidus”, që ndoshta do të thoshte “qyteti i dritës”, ose “guri i çmuar, që lëshon dritë”. Por, pas vitit 879, psK nuk quhej më Lychnidos, por sipas sllavëve Ohrid, që ndoshta rrjedh nga fjala sllave “vo hrid”, me kuptimin “në breg”, sepse qyteti i vjetër ishte në maje të bregores buzë liqenit”. E shihni, një rrenë tjetër e zakonshme sllave me qëllim të humbjes së çdo gjurme shqiptare. Por, është e pamundur! Banorët e hershëm të regjionit të gjerë të Liqenit të Ohrit (Bogumil Hrabak… Disa emërtime gjeografike si Nishi, Shtipi, Ohri iu erdhën sllavëve nga goja e arbanasve…) ishin dasaratët dhe enkelejt (fise ilire).

Zbulimet në vazhdimësi tregojnë që qyteti banohej edhe nga Filip II i Maqedonisë (Origjina ilire e Aleksandrit të Madh). Më lart i kemi sjellë origjinat familjare të Filipit II dhe Olimpisë që vijnë nga fiset ilire. Filipi ishte djali i Euridikës, e cila vinte nga fisi ilir i lynkestëve. Filipi ishte lindur nga një nënë ilire dhe Olimpia nënën dhe babanë e kishte ilir. Pra, shkencërisht, Aleksandri i Madh është ilir (shqiptar), duke pasur parasysh se logjika na shpie se nëna është ajo që e përcakton babanë e fëmijës. Aleksandri ishte djali i ilirit Filip, nipit të lynkestëve dhe ilires Olimpia, bijë e fisit ilir të epirotëve. Emri i pagëzimit të Aleksandrit ishte Meriamun, një emër që zbërthehet me anë të dialektit gegë të gjuhës shqipe: Mer+iam+un=MER-JAM-UN. Sot shumica e popullit shqiptar në Maqedoni ende thonë: MEJR JAM UN, që në gjuhën standarde është: MIRË JAM UNË. Aleksandri ishte mbajtës i Përkrenares Dybrirëshe të Cjapit, që e kishte traditë dhe trashëgim nga Kryeperëndia e Olimpit të Pellazgëve – Zeusi. Më vonë, këtë përkrenare do ta mbante Pirro i Epirit dhe Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Gjuha që u fliste Aleksandri miqve të tij ishte ilirishtja e dialektit gegë të Maqedonisë. Aleksandri e mësoi greqishten në rini nga Aristoteli. Gjatë pushtimeve romake, kah fundi shek. III dhe fillimi i atij II (prK) përmendeshin dasaratët dhe regjioni Dasaratia. Zbulimet tregojnë që “Fortifikata e Samuilit” ishte mbindërtuar mbi një kështjellë të mëhershme që datonte nga shek. IV (prK). Edhe studiuesi aspak i drejtë për çështjen shqiptare J.J. Wilkes, në librin e tij “The Illyrians, 1992”, shkruan “the Illyrian Enchelei, the ‘eel-men’, ëhose name points to a location near Lake Ohrid” (Enkelejt Ilirian , “njerëzit- njalë”, përputhet me lokacionin afër Liqenit të Ohrit). Bullgarët, rreth vitit 867 e pushtuan Ohrin, dhe Ohri ishte qendër e fortë dhe kryeqytet i Imperatorisë Bullgare. Prej vitit 990 e deri në vitin 1018, Ohri ishte qendër e Patriarkatit bullgar. Historia e shënoi këtë epokë si epokë bullgare, por ata aty e gjetën Ohrin dhe aty është ende.
Shkrimi është kryesisht për Kështjellën e “Samuilit” dhe sipas bullgarëve kjo kështjellë u zgjodh nga Cari Samuil i Bullgarisë si kryeqytet i tij, por ajo ishte aty edhe më herët para ardhjes së sllavëve. Kështjella është edhe vetë historia e Ohrit prej shek. IV prK e deri në ditët e sotme. Edhe Kalaja e Prizrenit ishte ilire, pastaj sllave, pastaj turke dhe sot është e Kosovës. Historia jonë është e papërfunduar, ajo “rrëshqet” si ngjala. Pra, “Kështjella e Samuilit” përmendet edhe nga Livy në vitin 209 prK, e kjo gjatë mbretërimit të Filipit I Maqedonisë.


“Pamja e sotme e kështjellës dhe madhësia e saj, sipas të gjitha gjasave, u formuan në shekullin IV psK”, shkruan në shënimet për këtë margaritar historik. Pra, Samuili e gjeti të gatshme, 500 vjet pas. “Teknika e ndërtimit është ‘opus mixtum’ – tulla të shtrira në tre dhe katër rende të lidhura me llaç gëlqeror. Kjo kështjellë e kishte rolin e madh në mbrojtje dhe sipas shënimeve historike Theodorik Amali, Mbreti i ostrogotëve në vitin 479 në fushatën e tij okupuese të Maqedonisë dhe Epirit ishte i pasuksesshëm në robërimin e Lychnidus-it, sepse ishte i ndërtuar fort dhe kishte burime të brendshme të ujit, brenda mureve. Kështjella, varësisht prej rrethanave historike ishte gjithnjë në fokus dhe shkatërrohej dhe rindërtohej në vazhdimësi. Përndryshe, hapësira sipërfaqësore ka mbetur e njëjtë që nga koha e antikuitetit. Pas vdekjes së Samulit më 1014, Kështjella u mor nga Mbreti bizantin Basili II. Në shek. XIV, gjysma e dytë e këtij shekulli pra shënohet me një përforcim dhe rindërtim i Kështjellës në kohën e bujshme të familjes shqiptare të Andrea Gropës, e cila ishte mbretëruese e regjionit të Ohrit. Pra, historia nuk e ndalet, as nuk fshihet, e aq më pak të vidhet. Edhe turqit e patën pushtuar Ohrin dhe njësitet ushtarake ishin vendosur brenda kështjellës, e cila në atë kohë e mori një emër tjetër. Xheladin-Beu (1880) ndërtoi, meremetoi edhe ai diçka dhe e bëri Sarajin brenda saj. Në vitin 1934, mbreti Aleksandër i ish-Jugosllavisë, edhe ai çapuriti diçka këndej pari për t’i lënë gjurmët e tij. Por, origjina nuk i humbi kurrë. Në kuadrin e hulumtimeve të vazhdueshme (2001-2002) brenda kështjellës janë gjetur varreza të vjetra, maskat e arta të varrosjes, si dhe dorëzat e arta, që janë unike jo vetëm për këto anë, e që datojnë që nga shek. VI-V para Krishtit. Pra, një histori e vjedhur nga ardhacakët, të cilët nuk kanë mundësi ta fshehin krejtësisht hajninë e tyre. Për të dëshmuar se kjo anë ishte ortodokse shqiptare ja edhe disa shënime: autorët Shukarova, Aneta; Mitko B. Panov, Dragi Georgiev, Kërste Bitovski, Academician Ivan Katardziev, Vanche Stojchev, Novica Veljanovski, Todor Chepreganov (2008) dhe Todor Cepreganov në librin e tyre “History of the Macedonian People” (20011), ndër të tjera, shkruajnë: “Kryepeshkopi i Ohrit, Dorotej në vitin 1466, me të gjithë priftërinjtë e tjerë u dërgua në Stamboll, sepse gjatë luftës së Skënderbeut kishin treguar antiosmanizëm”. Të njëjtën e thotë edhe “Srpsko arheološko društvo (1951), Starinar, Beograd: Arheološki institut”: “Sulltani pas vdekjes së Skënderbeut i shpërnguli një numër të madh të banorëve të Ohrit, si dhe kryepeshkopin Dorotej”. Vallë, Kisha e Shën Naumit a nuk ishte ortodokse shqiptare?


Kemi ende të flasim për Ohrin, qytetin e dritës. Shpesh e kam thënë se historia jonë edhe nëse është zhdukur mbi dhe, ajo me krenarinë e saj qëndron nën të. Kemi mrekulli të ruajtura, të cilat vetëm se e dokumentojnë autoktoninë tonë në këto toka. Historia jonë është e artë, është e praruar dhe u ka bërë ballë mijëravjeçarëve; edhe pse është zhbërë, por ishte edhe e mençur dhe me dinakëri qëndronte ndër dhe duke pritur momentin që të shfaqet dhe ta tregojë vetveten.

10719502_841155249251410_968451963_n


Dy mijë e pesëqind vjet pas u gjetën maskat e arta të pavdekshme të engjëjve, për të cilët ishin bërë. Mrekullia së cilës vështirë e kemi t’ia vëmë çmimin u gjet në fshatin Trebenishtë, në rrugën Kërçovë-Ohër: Varrezat Antike nga mileniumi i parë para Krishtit, të mbushura me ar, argjend dhe dhurata tjera të ndryshme të varrosjes. Ishte 39 shtatori 2002 kur u gjet maska e artë e pestë me rend në një kohë më pak se një shekull. (Maska e parë ishte zbuluar para 94 vjetësh), shenjë e gjallë e një toke me pasuri të madhe arkeologjike në Evropë. “Mos i lejoni shqiptarët të gjurmojnë nëntokën, se me atë çka do të gjejnë do t’u rritet krenaria, e mandej e kemi vështirë të qeverisim me ta”, thoshin turqit në vazhdimësi. Pika arkeologjike Gorenci-Trebenishtë që daton nga shekulli VI prK u zbulua për herë të parë më 1918. U gjet nekropoli, gjëja më interesante arkeologjike e Epokës së Hekurit në këto anë. U gjetën 12 varret mbretërore, e tërë dinastia e varrosur në atë vend.

10719178_841155345918067_790786653_n

Historia e maskave të arta në nekropolën e Trebenishtës (10 km nga Ohri) e kanë traditën e tyre të gjatë. Maskat e para të arta u gjetën në kohën e sundimit bullgar të Maqedonisë (1918). Një vit pasi erdhi Mbretëria SKS, ku një pjesë e rrethinës së Ohrit me 22 fshatra iu dha (?) Shqipërisë. Në vitet 1930-1934 , arkeologu serbe H. Vuliç e vazhdoi zbulimin e tij me ç’rast i gjeti edhe 6 varre të tjera në të njëjtin vend, dhe e tëra që u gjet aty shkoi në Muzeun Kombëtar të Serbisë. Të shtojmë edhe një herë që banorët e parë regjionit të Ohrit ishin fiset ilire të enkelejve dhe desaratëve. “Mos i lejoni shqiptarët të shkollohen, mos i lejoni shqiptarët ta gjurmojnë nëntokën e tyre se pastaj na bëhen të rrezikshëm”.

967827_841155222584746_1741127567_n

Kthehu mbrapa

Shto koment