Nis gjenerata e dytë e Programit për Avancim dhe Kualifikim të Mësimdhënësve

12.03.2012 (komentet: 0)

Këtë fundjavë në Gjilan ka filluar punën (mësimin), gjenerata e dytë e Programit për Avancim dhe Kualifikim të Mësimdhënësve të Kosovës(PAKM). Kështu ka bërë me dije, Arlinda Hyseni-Selmani, koordinatore e PARM në Gjilan.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Arlinda Hyseni - Selmani

Ajo ka treguar se këtë herë,  sipas listës zyrtare që posedon, janë 385 mësimdhënës, përkatësisht 11 grupe të drejtimeve të ndryshme, të cilët për dy vite me radhë me gjithsej katër semestër, do ta ndjekin këtë kurs të këtij programi. Selmani ka potencuar se pas mbarimit të këtij programi, mësimdhënësit marrin gradën bachelor të Fakultetit të Edukimit. 

Selmani ka bërë me dije se sivjet përveç drejtimit fillor, parafillor, Gjuhës shqipe  dhe Matematikë- Informatike, të cilat ishin në gjeneratën e parë, janë edhe drejtimet e reja  si Gjuhë Angleze, Fizikë-Kimi, Biologji-Kimi, Histori-Edukatë Qytetare, Gjeografi - Edukatë Qytetare.

Ajo ka theksuar se ligjëratat mbahen ditëve të premte dhe të shtunave, në mënyrë që mësimdhënësit të mos humbin orët e tyre mësimore, derisa ka bërë me dije se janë 11 lëndë të obligueshme  dhe 3 zgjedhore. Ndërsa semestri i fundit do të jetë puna praktike dhe punimi i diplomës.

Mirëpo brengë e këtij numri të madh të mësimdhënësve, ka thënë Selmani, është hapësira e pamjaftueshme në ndërtesën e fakultetit të Edukimit. Ajo ka thënë se edhe këtë “problem”tashmë e kanë zgjidhur, për faktin se tri drejtime, mësimin do ta mbajnë në shkollën e mesme teknike dhe dy drejtime në shkollën e mesme të bujqësisë, derisa gjashtë drejtime tjera do të jenë në hapësirat e fakultetit të Edukimit.

Sipas koordinatores Selmani, përparësia e këtij programi është se mësimdhënësit nuk do të paguajnë provimet as semestrat, por do të bëjnë vetëm pagesat e diplomave. 

“Ligjëratat për këtë program do të mbahen ditëve të premte nga ora 14-18 dhe të shtunave nga ora 9 deri në ora 16”, ka thënë ajo, për të shtuar se në kuadër të këtij programi janë përfshi mësimdhënës  nga komuna e Gjilanit, Dardanës, Vitisë, Ferizajt, Kaçanikut, Lipjanit dhe Shtimes.

Ndryshe, sipas programit të Ministrisë së  Arsimit të Kosovës synohet që 7 mijë arsimtar që janë me shkolla të larta, në tërë Kosovën, brenda pesë viteve të gjithë të rikualifikohen /2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment