Ngriten shqetësime rreth vlerësimit të dijes së nxënësve nëpër shkolla

02.02.2012 (komentet: 0)

Suksesi i gjysmëvjetorit të parë në shkollat e Gjilanit, ku vijojnë gjithsej 23.353 nxënës, ka shënuar një rritje të lehtë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, derisa mungesat kanë shënuar një rënie të vogël.



Jetmir Jerliu, zyrtar arsimor në DKA, ka thënë se 98 për qind e nxënësve të arsimit fillor (niveli 1-5) kanë dalë me sukses pozitiv. Në arsimin e mesëm të ultë (niveli 6-9), sukses pozitiv kanë arritur 82.43 për qind, derisa në arsimin e mesëm të lartë (niveli 10-13), këtë sukses e kanë arritur 53 për qind e nxënësve. 

Notimi i nxënësve, përkatësisht dallimi i madh në vlerësimin e tyre, nga njëri gjysmëvjetor në tjetrin, ka ngritur shqetësime te Komiteti i Arsimit. Ajtene Shahiqi ka thënë se nxënësit duhet t`i vlerësohen të gjitha karakteristikat dhe jo të jetë vlerësim i momentit.

Sarandë Bllaca ka thënë se suksesi negativ në shkollimin e mesëm prej 46 për qind, është i lartë dhe ka ngritur dilema te vlerësimi. “Nëse ky vlerësim është real, atëherë kjo duhet të jetë shqetësuese edhe për ne mësimdhënësit”, ka thënë Bllaca. 

Mimoza Shkodra ka thënë se autoritete komunale të arsimit duhet ta analizojnë suksesin në shkollat tona, për të konstatuar se ku qëndron problemi që kemi kaq shumë nxënës me nota të dobët në arsimin e mesëm. “Sipas metodikës, njëshi është notë e dobët edhe për vetë mësimdhënësin” ka thënë Shkodra.

Rashit Sahiti ka thënë se suksesi në disa shkolla fillore është i fryrë, ndërsa në shkolla të mesme, është më objektiv. Ai ka thënë se duhet të organizohen trajnime për mësimdhënës sa i përket notimit të nxënësve, duke shtuar se nxënësi vlerësohet në disa faza dhe jo aty për aty.

Edhe Shukrije Rapuca tha se procesi i notimit është komponentë e veçantë dhe që vazhdon të bëhet sipas një përvoje të bartur me vite, prandaj duhet të bëhen përpjekje për ta ndryshuar. 

Ndërkaq, Bahrije Veseli ka thënë se notimin në fillore duhet kuptuar edhe si element inkurajues për nxënës të këtij niveli, derisa ka shprehur brengosje për disiplinën në disa shkolla.

Shkëlqim Latifi, kryesues i Komitetit për Arsim, tha se të gjitha këto shqetësime rreth vlerësimit të dijes së nxënësve nëpër shkolla, që u ngritën nga anëtarët e kësaj trupe profesionale, duhet të merren parasysh dhe të analizohen nga autoritetet arsimore, për të shikuar mundësinë e organizimit të trajnimeve për arsimtarë sa i përket metodave të notimit.

Ndryshe, Komiteti i Arsimit rekomandoi rritjen e shumës për bursa dhe shpërblime të studentëve nga 30 mijë euro, sa ishte vitin e kaluar, në 40 mijë, për të krijuar kështu mundësi për rritjen e numrit të përfituesve.  /2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment