Mashtrimi me i madh i koherave. Klouni gjerman i cirkut, mashtroi shqiptaret duke u bere 5 dite mbret i tyre

03.08.2014 (komentet: 0)

otto


Me 1913, një vit pas shpalljes së pavarësisë, në Durrës mbërrin një njeri që vetemërohet për pesë ditë Mbret i Shqiperise duke    pretenduar    se ishte një princ turk...

Ne shqiptarët ndoshta mburremi, ndoshta pretendojmë se nuk e hamë lehtë sapunin për djathë, por ama jo shumë larg në kohë na ka ndodhur që ta hamë një kloun për mbret. Shqipëria e vitit të mbrapshtë 1913. Klouni gjerman, Otto Witte (1871-1958), mbërrin në Durrës në muajin gusht, i shoqëruar nga zhongleri i thikave, Max Sclepsig. Ai u prezantua si nipi i Sulltanit, princi Halim Edin, mbërritja e të cilit pritej në fakt në vendin tonë. Që të dy priten në portin e Durrësit nga gjeneral Esat Pashë Toptani, i njëjti që një vit më pas do të priste e përcillte (!?) Princ Vidin...
 
Më të vënë këmbët në Tiranë, Otto Witte kurorëzohet Mbret i Shqipërisë dhe pak orë më pas paralajmëron se do t'i shpallte luftë Malit të Zi të Nikollës së Parë. Paralelisht formoi edhe një harem femrash për vete.
Por mashtrimi i tij zgjati vetëm pesë ditë. Pasi u demaskua, më 16 gusht 1913 ia mbathi, duke rrëmbyer edhe një pjesë të thesarit të vendit.
Por tri ditët e ngjeshura të kalendarit të tij në Shqipëri simbolizojnë një veprimtari mashtruese të shkallës më të lartë.
Otto Witte ishte një personazh i papërsëritshëm me një karrierë të pasur si piktor, më pas kloun cirku, më vonë ushtar në Indi dhe në fund legjionar në ushtrinë turke. Ai ishte lindur në Dyseldorf në vitin 1871 dhe kishte jetuar në Berlin, në lagjen Weding nga 1946 deri më 1950. Më pas banoi në Bad Kreuznach, ku kishte një hotel- restorant në pronësi dhe vdiq më 13 gusht 1958, në Hamburg.
Që në fillim jeta e tij u karakterizua nga etja për aventura. Në moshën tetë vjeç, Otto i vogël e fitonte bukën e gojës si artist cirku nëpër panaire dhe si iluzionist. Ky i ri, që kurrë nuk mësoi të shkruante e të lexonte në mënyrë korrekte gjermanisht, i ka provuar të gjitha profesionet: artist, punëtor ndërtimi, hotelxhi, zbutës kafshësh të egra, komandant në ushtrinë turke.
Në Adis Abeba u bë famshëm kur rrëmbeu një princeshë etiopiane. Ka dëshmi që pohojnë se ka punuar në Stamboll për shërbimet sekrete otomane, para se të nisej në fundin e verës së vitit 1913 për në Shqipëri.
Ishte koha kur Shqipëria e copëtuar kërkonte një Mbret dhe shpresonte se princi Halim Edin, nipi i Sulltanit, do ta pranonte kurorën e saj. Otto Witte, një gjerman 42-vjeçar, e pa këtë në gazetë dhe duket i tërhoqi vëmendjen fotografia e Edinit, e ngjashme me tiparet e tij. Menjëherë i lind në mendje ideja gjeniale.
I dërgon një telegram Kryegjeneralit shqiptar, Esat Pasha, duke e njoftuar për ardhjen e princit. Në Selanik i hipën një anijeje dhe zbret në Durrës me ceremoni madhështore. I veshur me uniformë teatrale, ai kalon në revistë Gardën Shqiptare, që kishte ardhur për ta nderuar. Një ditë më pas, Otto dha një pritje madhështore në muzeun e qytetit. Nuk kishte kohë të humbiste. Shpejt urdhëron dhe krijon një harem për vete dhe mikun e tij.
Në po të njëjtën ditë uzurpatori mashtrues Otto Witte, arriti që në mes haresë së përgjithshme të vetëshpallej Otto i Parë, Mbret i Shqipërisë. Natyrisht që emri i Princit turk, Halim Edin, përfshihej në titull, diku pas emrit gjerman Otto.
Mashtrimi zgjati vetëm pesë ditë. Ai u zbulua vetëm kur Halim Edini i vërtetë dërgoi nga Stambolli një telegram, ku shprehte habinë e tij se ishte shpallur Mbret i Shqipërisë, pa e ditur dhe pa i marrë mendim!
Por vetëm pas pesë ditësh, kur princi i vërtetë u shfaq në Shqipëri, Otto Witte ia mbathi.
Me ndihmën e femrave të haremit, Otto Witte dhe bashkëfajtori i tij, Max Schlepsig, ia dolën mbanë të largoheshin nga Pallati Mbretëror dhe hipën në një anije peshkimi, që i transportoi deri në Bari.
Me të mbërritur në Gjermani, parakaloi me një uniformë fantaziste në sheshin Rumelp si Mbret i Shqipërisë.
Për koincidencë, "Mbreti Otto i Parë" është kurorëzuar me 13 gusht 1913 dhe ka vdekur më 13 gusht 1958, saktësisht 45 vjet pas asaj që mbetet një nga mashtrimet më fantastike të të gjitha kohërave.
Në vitin 1939, botoi librin e tij autobiografik "5 ditë Mbret i Shqipërisë".
Në Gjermani ka jetuar në Renani dhe në Hes. Pas Luftës II Botërore, më 1946, u vendos në Berlin, ku banoi në rrugën Kategatstrase nr. 10, ndërsa në rrugën Volankstrase nr. 42
Shiste mallra okazioni në një dyqan. Por, nuk mbaron me kaq.
Komikja duket gjente te Otto katërçipërisht vetveten. Pasi dhjetë vjet më vonë, kur princi Ranieri i Monakos u martua me aktoren amerikane, Grejs Kelli, Otto Witte rikthehet në titujt e mëdhenj të gazetave. Ai u ankua zyrtarisht pranë Protokollit të Principatës për faktin se nuk ishte ftuar në këtë
ceremoni me cilësinë e ish-Mbretit të Shqiptarëve.
Në vitin 1950 shkoi të jetonte në Hamburg në shtëpinë e vajzës së tij, ku vdiq më 1958, në moshën 86-vjeçare.
Edhe sot e kësaj dite në pllakën e varrit të tij, poshtë fotografisë dhe datave të lindjes dhe vdekjes është gdhendur titulli monarkik "Otto Witte, ish-Mbret i Shqipërisë"./index.al/

Kthehu mbrapa

Shto koment