KOSOVA ME VETËM 1,7 MILION BANORË

21.09.2012 (komentet: 1)

1 milion e 739 mijë e 825 persona janë banorët rezidentë të Kosovës, ku nga ta janë 92.93% shqiptarë. Kjo është publikuar të premten në Prishtinë, në regjistrimin e popullsisë që është bërë pas tridhjetë vitesh në Kosovë.

Në këto rezultate thuhet se ka rënë numri i lindjeve në dekadën e fundit, ndërsa për 100 gra janë deri në 132 burra. Pastaj 61% e popullsisë jetojnë në zonat rurale ndërsa 35% janë ekonomikisht joaktiv.

Isa Krasniqi, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka thënë se këto të dhëna do të vënë një pikë përfundimtare të gjitha spekulimeve joshkencore dhe se do të mundësojnë planifikim dhe zhvillim të politikave, të bazuara në parametra profesionalë.

Ndërsa, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se këto të dhëna do të kenë ndikime pozitive në fushën e zhvillimit, në ekonomi, arsim, demografi, studime shkencore si dhe zhvillimin e komunave.

Ajo i ka quajtur thesar të dhënat që tashmë i posedon vendi ynë.

“Për shtetin tonë të ri kjo është ngjarje historike sepse pas tridhjetë vitesh, Republika e Kosovës tashmë ka prodhuar të dhënat zyrtare për popullsinë e saj, ekonomitë familjare dhe banesat, duke krijuar kështu një pasqyrë gjithëpërfshirëse për numrin dhe kushtet shoqërore e jetësore të popullsisë sonë. Qeveria e Kosovës e konsideron këtë regjistrim si projekt me rëndësi kapitale, si një faktor esencial në planifikimin e politikave zhvillimore dhe marrjen e vendimeve të drejta për një të ardhme më të mirë për shtetin tonë dhe qytetarët e saj”, ka thënë ajo, siç transmeton Kosovapress.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar ka thënë se posedimi i të dhënave të sakta është kyçe për çdo politikëbërje.

“Në të njëjtën kohë, ato do t’u mundësojnë qytetarëve, shoqërisë civile, akademisë, forumeve, etj, që të përcjellin më mirë politikat qeveritare dhe të mbajnë autoritet përgjegjëse për veprimet e tyre. Por ndoshta fakti më i rëndësishëm është se do të ketë më pak hapësirë për manipulim, qoftë ai ekzagjerim apo minimizim i fakteve të caktuara sasiore”, ka thënë ai.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë 2011, dihet tashmë se nuk është mbajtur në tri komuna në veri të vendit dhe në një pjesë të Komunës së Mitrovicës.

Kthehu mbrapa

Shto koment

Koment nga Rexhep | 21.09.2012

A ku esht diaspora?ju nuk jeni normal ju nuk jeni te afte.
Pa diaspor ju nuk mundeni me i dhane te dhana te sakta.