Kosova do t’i nënshtrohet vlerësimit ndërkombëtar në arsim

04.01.2015 (komentet: 0)

 

Programi është një vlerësim i jashtëm që matë njohuritë e nxënësve në lexim, matematikë dhe shkencë.

 

Rezultatet e vlerësimit, që do të bëhen publike në vitin 2016, do të ndihmojnë Kosovën për të krahasuar standardet me vendet e tjera.

Raporti final i rezultateve të Vlerësimit Ndërkombëtar PISA 2015, që do të publikohet në vitin 2016, Ministrisë së Arsimit do t’i shërbejë për orientimet politike në zhvillimet e mëtejme të sistemit arsimor në Kosovë. Udhëheqësi i Divizionit për Standarde dhe Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Mustafë Kadriu, tha për Radio Kosovën, se pjesëmarrja në PISA i mundëson Kosovës të matë cilësinë e sistemit të saj edukativ dhe të krahasojë standardet e saj me ato të vendeve tjera. Ai tha se tani janë në fazën përgatitore për vlerësimin final, që do të realizohet në muajin prill.

“Në pjesën finale kemi rreth 200 shkolla me 5 mijë e 800 nxënës, në mënyrë që të jetë sa më shumë përfaqësuese për nivelin e Kosovës. Deri atëherë jemi duke bërë përgatitjet, jemi në hapat e duhur. Është edhe një konferencë që organizohet për futjen e të dhënave dhe kodimin e pyetjeve. Deri në shtator përveç korrigjimit të testeve kemi edhe futjen e të dhënave në kompjuterë më pas deri në fund të vitit merren me rezultatet ku në 2016-tën publikohen rezultatet.”

Duke mos dashur të paragjykojë për rezultatet, Kadriu, bëri të ditur se Divizioni ka bërë disa përgatitje, ku një prej tyre është botimi i përmbledhjes së detyrave që është lejuar të publikohet.

“Kjo do të shpërndahet në të gjitha shkollat që do të pilotohen sivjet, drejtorëve të shkollave, veçanërisht mësimdhënësve, që së paku nxënësit të familjarizohen me detyra, pyetje të tipit PISA nga gjuha shkenca e matematike. Në bazë të punëve që kemi si shtet i ri nuk presim kush e di çka por shpresojmë, nuk dua të paragjykoj.”

Pilotimi i këtij vlerësimi në Kosovë është realizuar më 23 prill 2014 në 27 qendra të vlerësimit, të cilit i janë nënshtruar 1 mijë e 100 nxënës. Pjesë e testitit vlerësues ndërkombëtar për arsim "PISA", janë 72 vende të botës dhe organizohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Kosova ka aplikuar për tu përfshirë në këtë test në vitin 2012.

Kthehu mbrapa

Shto koment