INSTAT: 2.8 milionë banorë në Shqipëri

13.12.2012 (komentet: 0)

INSTAT ka vënë sot zyrtarisht në dispozicion të publikut gjetjet e censusit të popullsisë dhe banesave. Gjatë fjalës së tij Ministri i Inovacionit Genc Pollo deklaroi se “Realizimi me sukses i censusit ka qenë një ndër objektivat kryesorë të qeverisë, ne ia kemi arritur qëllimit”, tha ai ndërsa shtoi se “Vlera e këtij censusi përcaktohet nga dobia e përdorimit të tij”.

 

“Të dhënat e censusit do ndihmojnë vendimmarrësit në përcaktimin e politikave për komunitetet”, tha ai.

“Numri i popullsisë është 2.821.977 persona, nga këta janë numëruar si pjesëmarrës në census 2.800.138 persona”, tha Pollo duke deklaruar se ky nuk është një rezultat surprizë, për shkak edhe të emigrimit.

Ashtu siç ishte bërë publike edhe më herët në media rreth 83,2% e të pyeturve për kombësinë kanë deklaruar se janë shqiptarë ose 2.329.715 persona.

Shifra që bën më shumë përshtypje është ajo e minoritetit grek. Në census tregohet se vetëm 0.87% e popullsisë, ose 24.361 kanë thënë se kanë kombësi greke. Shoqatat përfaqësuese të këtij minoriteti kanë kundërshtuar hapur censusin dhe kanë bërë thirrje për mospjesëmarrje.

Censusi tregon një shifër tjetër prej rreth 14.07%, ose 393.979 persona nuk i janë përgjigjur pyetjes për kombësinë. Sidoqoftë, për saktësim, nga këta persona që nuk i janë përgjigjur pyetjes, 386.419 kanë treguar se flasin shqip.

“Mbi 99% e të intervistuarve deklarojnë se shqipja është gjuha e tyre mëmë”, tha Pollo më tej.

Procesi i regjistrimit të banesave dhe qytetarëve nisi më 1 tetor dhe u mbyll me 1 nëntor, 2011. Censusi jep një përshkrim të detajuar të të gjitha aspekteve ekonomike, sociale dhe të jetës në Shqipëri, sa njerëz banojnë në Shqipëri sot dhe si jetojnë ata, për çfarë shërbimesh kanë nevojë ata dhe shumë aspekte të tjera të shoqërisë. /balkanweb/

Kthehu mbrapa

Shto koment