Haziri viziton nxënësit në shkollën fillore “Thimi Mitko” për t’i uruar një vit të mbarë e të suksesshëm

02.09.2014 (komentet: 0)

 Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i shoqëruar nga kryesuesja e Kuvendit Valentina Bunjaku-Rexhepi dhe drejtori i Arsimit Nazmi Musa, kanë vizituar sot nxënësit dhe stafin e shkollës fillore “Thimi Mitko”, për t’i uruar për një vit të mbarë dhe të suksesshëm për të gjithë.

 

“Me këtë rast, në kuadër të vizitës në shkollën ku kam mësuar unë “Thimi Mitko,” dëshiroj t’i uroj gjithë nxënësit, stafit dhe prindërit, për një vit të mbarë, vit të marrjes së dijes, të shëndetshëm për të gjithë dhe falënderoj publikisht angazhimin e DKA dhe drejtori Nazmi Musa, që përfshin edhe këshilltarët komunal që merren me çështje të arsimit, për një angazhim gjatë gjithë verës në mënyrë që të fillojë sa më mbarë ky vit shkollor në Komunën tonë. Natyrisht, ka nevojë ende të punohet, por është një fillim i mirë dhe një fillim i mbarë dhe besoj shumë që rezultati nuk do të mungoj”, tha me këtë rast kryetari Haziri.

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa, ka falënderuar kryetarin Haziri që po e mban premtimin duke i dhënë prioritet sektorit të arsimit.

“Sot e patëm vizitën me kryetarin, të cilin e falënderoj dhe  i cili me jep më shumë përkrahje sepse jam i bindur në fjalën e tij që arsimi është prioritet dhe që nga sot dhe gjithëherë kjo po realizohet duke i dhënë prioritet këtij sektori shumë të rëndësishëm. Besoj se deri tani është mirë e organizuar puna nga aspekti i përgatitjes së shkollave, objekteve shkollore, shpërndarjen e librave, kuadrit mësimdhënës dhe gjithçka është në rregull”, tha drejtori Nazmi Musa.

Nga ana e saj, drejtoresha e shkollës fillore “Thimi Mitko”, Jyksele Gjinolli, ka falënderuar kryetarin Haziri dhe stafin e tij për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme në mbarëvajtjen e procesit të arsimit në Gjilan.

Kthehu mbrapa

Shto koment