Gjilani është më shumë se një kryeqendër rajonale e kulturës

31.07.2015 (komentet: 0)

 

Njësia për Kulturë, Rini e Sport ka prezantuar raportin e punës për periudhën 6-mujore në Komitetin për Kulturë. “Gjashtëmujorin e parë të këtij viti e karakterizojnë aktivitete të ndryshme dhe të shumta, duke filluar nga manifestimi mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2015”, e deri te “Ditët e Mërgatës”, ka thënë Bujar Haziri, përgjegjës i kësaj Njësie.  

 

“Flaka e Janarit” sivjet i është kushtuar masakrës së madhe të Gjilanit, ka thënë Haziri.

Sa i përket “Flakës së Janarit”, Haziri ka thënë se Komuna nuk mund t`i përballojë e vetme shpenzimet e një manifestimi me përmasa mbarëkombëtare,  andaj synon që ta fus në kalendarin kulturor të MKRS-së.

Në sektorin e rinisë janë organizuar dhe ndihmuar aktivitete të ndryshme, ndërkohë që po vazhdojnë punimet në Shtëpinë e Rinisë.

Në sektorin e trashëgimisë kulturore është duke u bërë renovimi i muzeut, për të krijuar ambient që i përgjigjet nevojave për promovimin e artefakteve historike dhe kulturore.

Në funksion të krijimit të kushteve për trashëgiminë kulturore është duke u punuar edhe ura në fshatin Pogragjë, që e krijon lidhjen e drejtpërdrejtë me Kalanë e Pogragjës.

Biblioteka rajonale, që ka mbi 21 mijë lexues,është pasuruar me 700 tituj të rinj.

Në sektorin e sportit është dhënë mbështetje pothuajse në të gjitha disiplinat sportive, duke përfshirë atletikën, futbollin, basketbollin, hendbollin, volejbollin, karatenë etj.

“Kemi krijuar marrëdhënie kontraktuale me ekipet sportive, për t`i mbështetur aktivitetet e tyre, sikur që është bërë edhe mirëmbajtja e stadiumit të qytetit”, ka thënë Haziri.

Ai ka thënë se mbi 60 mijë euro janë dhënë për projekte të ndryshme në kulturë, rreth 8 mijë euro për rininë dhe mbi 60 mijë euro për sportin.

“Asnjëherë më parë nuk është dhënë mbështetje më e madhe për sportin se sa në këtë periudhë”, ka thënë Haziri.

Shërbimet në Pallatin e Sporteve janë rritur. Stadiumi i qytetit ofron kushte të mira për ndeshje kampionle, ka thënë Haziri, duke prezantuar detaje të shumta për të gjitha aktivitetet e kësaj periudhe, që kanë qenë të vazhdueshme dhe e kanë shndërruar Gjilanin në një epiqendër të kulturës jo vetëm rajonale, por edhe mbarëkombëtare.

Kthehu mbrapa

Shto koment