Ekspo-performanca “Ma thuaj një fjalë të mirë”

20.02.2012 (komentet: 0)

Grupi i artistëve “Varg e vi” nga Gjilani prezantoi ekspo-performancën “Ma thuaj një fjalë të mirë”, me rastin e përvjetorit të katërt të mëvetësisë së Kosovës, në të cilën u shfaqën tetë punime veprash artistike të shtypura në gota.


Ekspo-performanca u realizua në galerinë “Open Art” në Prishtinë, gjatë të cilës artistët ofronin kafe për pjesëmarrësit, duke qenë në banak dhe duke shërbyer vetë si kamarierë. Ata në të njëjtën kohë shërbenin kafe dhe veprat e tyre.

Avni Rudaku njëri prej anëtarëve të Grupit “Varg e vi’ tha se me këtë ekspo-performancë  “Varg e vi”, tregoi se synon që të ketë integrim të disa arteve pamore me poezinë, por edhe brenda grupit të ketë mundësi të shfaqjes së individualitetit krijues të secilit anëtar.

Ndërsa, udhëheqësi i grupit Jeton Muja ka thënë se  si grup i përbërë nga artistë të profileve të ndryshme artistike dëshirojnë që të nxisim kreativitet kulturor, bashkëpunim ndërmjet krijuesve, integrim të disa arteve (arte vizuele, poezi, muzikë dhe aktrim) dhe për të shprehur artin në forma jokonvencionale dhe bashkëkohore. 

“Koncepti kryesor i “Ma thuaj një fjalë të mirë” ka ardhur nga titulli i njëjtë i poezisë së poetit bashkëkohor Xhevat Latifit. Ne dëshiruam të themi se poezia mund të bëhet inspirim edhe për krijuesit e arteve pamore dhe disa poezi mund të bëhen antologji edhe përmes këtyre arteve”, ka thënë  Jeton Muja.

Muja duke shpjeguar më gjerësisht konceptin e ekspo-performancës së “Varg e vi”-së, tha se “Ma thuaj një fjalë të mirë” vjen edhe si nevojë e shprehjes së energjisë optimiste dhe pozitive ndërmjet njerëzve, sepse kur i thuaj dikujt “Ma thuaj një fjalë të mirë”, në njëfarë kuptimi i thua: “Po e di që është keq apo shumë keq, madje s’keni pse ma thoni këtë, mirëpo sonte po dua ta dëgjoj ndonjë fjalë të mirë”. 

Në realizimet e grupit “Varg e vi” me krijimet e tyre kanë marrur pjesë edhe poetë. “Poezia e shndërruar në vepër artistike, e shkruar në mure si grafite apo e përcjell përmes një gote kafeje sikur që ndodhi në “Open Art”, mund të jetë një ndër rrugët e tjera të ringjalljes së poezisë dhe leximit të saj” – u shpreh poeti Xhevat Latifi, anëtar i këtij grupi gjilanas.

Ndërsa veprat të cilat u paraqitën në këtë ekspo-performancë janë: “Bajraktari” i Artan Hajrullahut, “Lart-poshtë/poshtë-lartë” i Bekim Korçës, “Peisazh molekular” i Kushtrim Zeqirit, “Motrat e shëmtuara” të Jeton Mujës, “4” i Din Azizit, poezia “Pikë në qershi” e Xhevat Latifit, poezia “S’e kisha dhanën veshkën me ble iPhone” të Avni Rudakut dhe “Elementi i pestë” i muzikantit Besim Baftiut.

Ideja në përgjithësi e realizimit përmes kafes ka derivuar nga Din Azizi dhe e veçanta e këtij evenimenti ishte se vrojtuesit e pranishëm mund të zgjidhnin veprën dhe të pinin kafen në atë gotë që përmbante atë punim të dëshiruar nga recipienti, por edhe ta merrnin veprën të paketuar për në shtëpi. Ekspo-performanca zgjati tri orë. Projekti u financua nga “ProComputers” i Gjilanit. /2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment