Arbëreshi nga Kozenca: Në shtëpi e flasim arbërishten (Video)

28.08.2016 (komentet: 0)

Arbëreshi Gianni Belluscio, i cili erdhi në Prishtinë nga një fshat afër Kozencës së Italisë për të marrë pjesë në Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, këtë rrugë po e bënë për të tretën herë me radhë.

 

Belluscio, që është edhe profesor në universitetin e Kozencës, tregon se shqipen që e flet e ka mësuar në universitet, ndërkohë, në shtëpi thotë se e flet arbërishten e cila ka shumë dallime nga shqipja e sotme.

Ai thotë se është munduar që gjuhën dhe kulturën shqiptare ta ruaj edhe në familje. Sipas tij, fëmijët që tashmë janë njëri në studime të larta dhe tjetri në shkollim parauniversitar, pasi e kanë njohur Shqipërinë dhe Kosovën, kanë shprehur interesim më të madh për t’i vizituar të dyja vendet.

“Fakti që nuk jetojmë në fshat bën që mos ta flasim shumë shqipen – arbërishten në njëfarë mënyre se unë ju flas arbërisht, tani disi më pak sepse djali është 22 vjeç dhe shkoi në universitet në Romë. Vajza është ende në shtëpi por tani e kanë zbuluar Shqipërinë dhe sivjet kanë ardh vajza për herë të parë djali për herë të tretë në Pogradec. Vitin e ardhshëm ose do vijën këtu në Prishtinë ku nuk kanë qenë deri sot. Kështu e njohin Shqipërinë, e njohin edhe nga afër se tani fakti që kanë udhëtuar kanë takuar njerëz, kanë shijuar kuzhinën, kanë parë vende të bukura vende turistike e ka çelur interesin edhe më shumë, edhe nga ana gjuhësore mendoj unë”, ka theksuar Belluscio.

Ndërsa, Belluscio thotë se nëse do t’i rekomandonte dikujt që ta vizitoje Kosovën, ai i ka disa vende të caktuara të cilat beson se duhet t’i shohin edhe qytetarët e botës.

“Prishtina, kryeqyteti duhet vizituar. Nuk mund të kuptohet Kosova pa e vizituar kryeqytetin, edhe për ngjarjet historike që kanë ndodhur. Pastaj Prizreni ka një si ta quajmë, një diçka që është  më shpirtërore, i afrohet më shumë anës njerëzorë të njeriut. Është diçka që edhe më lindore se sa Prishtina, dmth ruan disa tradita, diçka që të prek. Është hera e dytë që kam shkuar aty, kisha harruar diçka dhe kam përjetuar diçka të re atje… Pastaj natyra e Kosovës, Shpella e Gadimes, Gryka e Rugovës, që është shumë e bukur, atje është natyrë e pastër, shumë bukur”, është shprehur ai.

Belluscio tha se gjatë qëndrimit këtu do të bëjë edhe disa kërkime dialektologjike në terren me banorët e zonës së Llapit.

Ai me banorët e këtij rajoni të Kosovës do të bëjë studime fonetike të të folmeve të shqipes. /Telegrafi/

Kthehu mbrapa

Shto koment